Allen (Texas), 7 maj 2023 – Një person i armatosur qëlloi dhe vrau tetë persona dhe plagosi të paktën shtatë të tjerë në një qendër tregtare në veri të Dallasit, të shtunën, me 6 maj.
Personi i armatosur, për të cilin autoritetet mendojnë se veproi i vetëm dhe motivet e cilit ende nuk dihen, u vra nga një oficer policie, pasi filloi të qëllonte jashtë qendrës tregtare ‘Allen Premium Outlets’ në Allen të Teksasit, tha në një konferencë me gazetarë shefi i policisë së qytetit, Brian Harvey.
Shefi i departamentit të zjarrfikësve të Allenit, Jon Boyd, tha se departamenti i tij dërgoi të paktën nëntë të plagosur në spitalet e zonës.
Dy prej tyre vdiqën në spital, tha zoti Boyd në një konferencë të dytë për gazetarë të shtunën në mbrëmje, duke shtuar se tri nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë dhe katër të tjerë në gjendje të qëndrueshme.
Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, duke e cilësuar ngjarjen si “tragjedi të papërshkrueshme “, tha në një deklaratë se shteti ishte i përgatitur të ofrojë çdo ndihmë që mund t’u nevojitet autoriteteve lokale.
Allen, është një komunitet me rreth 100,000 banorë.
Të shtënat në masë janë bërë të zakonshme në Shtetet e Bashkuara, me të paktën 198 të tilla në vitin 2023, sipas grupit për “Arkivimin e dhunës së armatosur”, i cili e përkufizon si “sulm në masë” çdo rast në të cilën katër ose më shumë plagosen apo vriten, duke mos përfshirë sulmuesin.
(Zëri i Amerikës)