Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both (Na shkruani në shqip në [email protected])
Ambasada e SHBA-së në Tiranë, Shqipëri
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë mbetet ende e mbyllur për shumicën e takimeve lidhur me dhënien e vizave imigruese dhe joimigruese. Aktualisht ambasada ofron vetëm shërbime të një natyre urgjente dhe për nënshtetasit amerikanë (ACS). Nëse kërkoni një shërbim urgjent ju lutemi të na shkruani në internet në adresën [email protected]. Gjatë kësaj periudhe, ambasada do të marrë në konsideratë vetëm kërkesat për takime për viza urgjente joimigruese të bëra për arsye humanitare. Për të kërkuar një takim të tillë urgjent për viza joemigruese (NIV), duhet të hyni në llogarinë tuaj në faqen https://ais.usvisa-info.com/
Aplikimet dhe Peticionet
Shtyrje të mëtejshme të afateve përfundimtare për t’iu përgjigjur kërkesave për dëshmi si dhe mosaprovimeve të aplikimeve dhe peticioneve.
Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së Shteteve të Bashkuara (USCIS), përpara se të ndërmarrë çfarëdolloj veprimi lidhur me një kërkesë apo njoftim të caktuar, do të pranojë të marrë në konsideratë përgjigjet që do t’i vijnë brenda 60 ditëve kalendarike pas afatit që ka caktuar në njoftimet apo kërkesat si vijojnë, gjithnjë nëse kërkesa apo njoftimi në fjalë është lëshuar në periudhën nga 1 marsi, 2020 deri më 30 shtator, 2021. Në këto kategori aplikimesh apo vendimesh përfshihen:
Kërkesa për dëshmi;
Kërkesa e mëtejshme për dëshmi shtesë (N-14);
Njoftim i synimit për mosaprovim (NOID);
Njoftim i synimit për revokim (NOIR);
Njoftim i synimit për anullim (NOIR);
Njoftim i synimit për mbylljen e qendrave rajonale (NOIT); dhe,
Mocion për rihapje të çështjeve N-400 në rrethana të caktuara.
USCIS-i gjithashtu do të marrë në konsideratë formularët e kërkesave për apelim apo mocion I-290B, apo formularët N-336, Request for a Hearing on a Decision in Naturalization Proceedings në rast se formulari në fjalë është paraqitur deri në 60 ditë kalendarike nga dita e lëshimit të vendimit dhe në rast se USCIS-i e ka marrë vendimin në fjalë brenda periudhës nga 1 marsi, 2020 deri në 30 shtator, 2021.
USCIS-i njofton që lockbox-et e tij do të tregojnë fleksibilitet
Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së SHBA-së do të tregojë fleksibilitet për t’u ardhur në ndihmë atyre aplikantëve dhe peticionerëve që janë prekur nga vonesat në lockbox-et e USCIS-it (pikat ku dërgohen aplikimet dhe procesohen pagesat përkatëse). Ky fleksibilitet do të tregohet vetëm ndaj atyre aplikimeve për benefite të ndryshme të cilat paraqiten pranë një lockbox-i të USCIS-it, por nuk vlen për qendrat e shërbimeve (service centers) apo zyrat e USCIS-it që merren me shërbime të ndryshme si dhe intervistat që nuk kanë të bëjnë me kërkesat për strehim politik (field offices). Fleksibiliteti përkohshëm që do të tregohet për rastet në vijim është në fuqi për 60 ditë nga 10 qershori deri më 9 gusht, 2021:
Nëse keni paraqitur kërkesë për një benefit të caktuar pranë një lockbox-i në periudhën ndërmjet 1 tetorit, 2020 dhe 1 prillit, 2021 dhe kjo kërkesë ju është hedhur poshtë gjatë kësaj hapësire kohore vetëm për shkak të një pagese tarife të cilës i iku afati gjatë kohës që kërkesa në fjalë ishte në pritje për t’u shqyrtuar, mund të paraqisni sërish kërkesën me një pagesë të re. Nëse USCIS-i është gjithashtu i mendimit që kërkesa është hedhur poshtë vetëm për shkak të vonesës, USCIS-i do të gjykojë si datë marrje të kërkesës datën kur ajo u mor fillimisht (kur u paraqit për herë të parë) si dhe do t’jua falë dëmshpërblimin financiar prej 30 dollarësh që vihet në ngarkim në raste të tilla.
USCIS-i do t’u lejojë aplikantëve dhe peticionerëve të paraqesin së bashku me kërkesën e riparaqitur për një benefit të caktuar dhe dokumentacionin që tregon që për shkak të kohës që ka kaluar që kur u paraqit fillimisht kërkesa pranë një lockbox-i të USCIS-it deri kur USCIS-i e hodhi poshtë këtë kërkesë, një aplikant, bashkë-aplikant, përfitues apo dikush që indirekt përfiton nga kërkesa në fjalë nuk kualifikohet më për të bërë kërkesë për arsye të moshës. Nëse USCIS-i bie dakort që vonesa ka bërë që personi të mos kualifikohet më për shkak të moshës, atëherë USCIS-i do ta pranojë kërkesën dhe do të gjykojë si datë të marrjes së kërkesës datën kur kjo kërkesë u paraqit dhe u mor fillimisht. Një fleksibilitet i tillë nuk do të tregohet për formularët N-600K, Application for Citizenship and Issuance of Certificate Under Section 322.
Aplikantët dhe peticionerët mund të kontaktojnë USCIS-in për të verifikuar nëse kërkesat për benefite të paraqitura më parë prej tyre nuk janë hedhur poshtë gabimisht. Nëse USCIS-i është i po këtij mendimi, mund t’u lejohet aplikantëve dhe peticionerëve të riparaqesin një kërkesë që është hedhur poshtë gabimisht si dhe të gjykojnë që data e marrjes së kësaj kërkese është po ajo datë kur kërkesa në fjalë u mor nga lockbox-i përkatës i USCIS-it herën e parë.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]