Tiranë, 1 shtator 2022 – Një grup të rinjsh nga vende të ndryshme europiane u njohën me të shkuarën e errët të Shqipërisë përmes ish-burgut të Spaçit në Mirditë dhe ish-të dënuarve politikë.
Një grup të rinjsh nga vende të ndryshme të Evropës u bënë bashkë në ish-burgun famëkeq të Spaçit në Mirditë për të njohur të kaluarën e errët komuniste të Shqipërisë si dhe për të ndarë eksperiencat e vendeve të tyre.
Aktiviteti u zhvillua në formën e një kampi veror dhe zgjati pesë ditë, gjatë së cilave të rinjtë dëgjuan edhe historitë e ish-të dënuarve politikë të Spaçit.
“Organizimi i veprimtarive të tilla është shumë i rëndësishëm, pasi në këtë mënyrë kuptohet historia dhe nuk duhet të harrohet kjo histori”, tha Paulis Apinis, drejtuesi i organizatës për arsimimin e të rriturve me bazë në Gjermani.
“Qëllimi është që pikërisht të ndahen eksperienca, jo vetem të Shqipërisë por edhe vendeve të tjera të BE që kanë vuajtur nga komunizmi”, shtoi ai.
Mes aktiviteteve të kryera në kampin e Spaçit, një i ri gjerman veçoi dëshmitë e ish-të dënuarve politikë.
“Ajo që më ka bërë shumë përshtypje është prania e ish të burgosurve politikë dhe kurajo e tyre që të vijnë këtu dhe të vazhdojnë e të tregojnë historitë e tyre. Duket qartë dëshira e tyre që këtë histori dhe vuajtje të transmetojnë tek brezat”, tha ai.
“Për ne nuk është diçka e re, pasi po punojmë për ballafaqimin me të kaluarën, por kur vjen këtu është krejt diçka tjeter nga ajo që mendon ti”. shtoi ai.
I pranishëm në mbylljen e kampit veror në ish-burgun e Spaçit ishte edhe arqipeshvi i dioqezës Shkodër-Pult, Imzot Angelo Masafra, i cili theksoi rëndësinë e përmballjes me të kaluarën.
“Ky është viti i katërt që organizohet kampi veror në ish-burgun e Spaçit në Mirditë, ndërsa të pranishëm ishin dhe ish të burgosur politikë, të cilët ju rrëfyen të rinjve historitë dhe vuajtjet e tyre në këtë vend diktatorial”, tha ai.
(Reporter.al)