TË VOTOJMË PA TIFOZËRI TË SËMURË!

Thanas L. Gjika

Thanas L. Gjika

Midis ne shqiptarëve bie në sy një tipar jo i mirë, madje i keq: na pëlqen vetja. Mendojmë se unë jam më i miri, unë i kam mendimet dhe shijet më të mira se të tjerët. Nuk pranojmë mendimet dhe opinionet e tjetrit si më të mira se tonat. Kjo mendësi ndikon që ne shpesh herë të shfaqemi në jetë si tifozë të tepruar. Mbrojmë me kokëfortësi një person, një ide ose një parti dhe nuk pranojmë të diskutojmë konkretisht për të mirat e të metat që ka personi, ose mendimi ynë, ose partia politike që ne simpatizojmë e mbrojmë me zjarr.

Me fjalë të tjera, një tifoz i sëmurë mund të quhet njeri me tru të shpëlarë, që nuk ha logjikë, po shprehet e vepron vetëm sipas disa idesh fikse që i janë ngulur në kokë prej kohësh dhe nuk pranon të ndërrojë mendimin e vet, nuk pranon të përqafojë të vërtetën, nuk pranon të evoluojë në përputhje me rrethanat shoqërore.

Tifozi i sëmurë është i keqi i vetes dhe i familjes, sepse ai zihet me të gjithë ata që mendojnë ndryshe. Ai do që t’u imponojë mendimin e vet të tjerëve. Këtë ves të keq e kultivuan në maksimun partitë komunistë midis anëtarëve dhe simpatizantëve të tyre për të sunduat popullin sipas programeve të tyre.

Kur tifozëria prokomuniste mori përmasa globale u bë rrezik për mbarë njerëzimin, si u bë komunizmi në vitet 1921-1989, kur shkaktoi njëqind milion viktima që përkujtohen sot prej botës EuroAtlantike më 23 gusht të cdo viti.

Kurse kur tifozëria bëhet pjesë e mendësisë së pjesës më të madhe të shoqërisë brenda një vendi, ajo kthehet në një dukuri me pasoja shkatërrimtare për shoqërinë e atij vendi, si po ndodh në Shqipërinë e viteve 1991-2021. Shqiptarët në këto vite edhe pse jetojnë në ecurinë drejt demokracisë, ata kanë vijuar të votojnë të udhëhequr sipas tifozërisë së tyre të sëmurë ndaj këtij, ose atij drejtuesi partie, ose kandidatit të kësaj, ose të asaj partie. Votuesit shqiptarë nuk kanë menduar se personi për të cilin votojnë është njeri i korruptuar, njeri që është marrë e merret me drogë, të cilin e kanë votuar dhe më parë, por ky pasi ka ardhur në pushtet nuk e ka carë më kokën për premtimet që ka dhënë gjatë fushatës, por ka parë thjesht interesin e xhepit të tij dhe në parlament ose në postin që i është dhënë ka vepruar si robot i partisë që e ka emëruar.

Partia Socialiste, pasuesja e PKSh/PPSh-së, gjatë tranzicionit forcoi propgandën e fshehtë për të mbajtur grusht bashkuar pjesën besnike fanatike të ish-komunistëve dhe sigurimsave, me të cilët rimori pushtetin dhe po e mban me presione nga më të ndryshmit. Njerëzit që i kishin shërbyer sistemit të vjetër, duke mos pasur kurajo që të pranonin gabimet e krimet që kishin bërë në kohën kur ishin shërbëtorë të regjimit komunist, filluan të luftonin për ta paraqitur sistemin socialist si sistem më të mirë se sistemi i ri i ekonomisë së tregut të lirë. Këta njerëz mbas dështimit të diktaturës, u bënë tifozë edhe më të sëmurë të socializmit. Duke qenë shumicë në gjirin e klasës politike të sotme, ata e dëmtuan ecurinë e demokracisë së brishtë, mbushën partitë e reja opozitare me ish-komunistë e ish-sigurimsa dhe vijojnë t’i shërbejnë enverizmit, mbajnë gjallë nostalgjinë komuniste duke i mbajtur masat popullore të trembura e trushpëlara. Këto masa nuk e njohin ende forcën e votës së lirë.

Disa kuadro socialistë dalin në shtyp e në televizion dhe guxojnë të thonë pas tridhjet vjetëtësh nga dështimi me turp i sistemit komunist se në atë kohë ishim më të nderuar se sot, se ai regjim kishte më shumë të mira se të këqia.

Brenda në Shqipëri median kryesore e manipulon krahu i majtë socialist, kështu që atje ka shumë pak njerëz që punojnë për të kthjelluar popullin nga tifozëria e sëmurë prosocialiste. Ka rrezik që edhe më 25 prill 2021 votuesit shqiptarë t’ua japin votën po shërbëtorëve të enverizmit, prej të cilëve kanë vuajtur 75 vjet, të cilët quhen socialistë pa qenë eurosocialistë, ose demokratë e republikanë, pa qenë demokratë e republikanë të vertetë.

Zgjedhjet e popullit shqiptar në Kosovën kreshnike na treguan se shpëtimi vjen nga zgjedhja e njerëzve të përndjekur si Albin Kurti, Vjosa Osmani, vajza e heroit Isuf Gërvalla, etj. Pra na treguan se pjesa më e mirë e popullit përbëhet nga bijtë e familjeve të përndjekura dhe jo nga familjet e ish-komunistëve dhe sigurimsave, të cilët i tërheq për hunde klani i fshehtë Hoxha-Alia me në krye Edi Ramën, Gramos Rucin, Spartk Brahon, etj.

Populli ynë duhet të clirohet nga tifozëria e sëmurë dhe në zgjedhjet e 25 prillit të votojë kandidatët që janë bij të familjeve të përndjekura. Nga ana tjetër të përndjekurit pas këtyre zgjedhjeve duhet të jenë më aktivë dhe të bashkohen kudo ku jetojnë brenda e jashtë Shqipërisë për të forcuar partinë e tyre ashtu si punoi dhe Z. Albin Kurti për forcimin e partisë së tij Vetvendosja. Nëse kandidojnë në partinë e të përndjekurve intelektualë të shquar si Visar Zhiti, Jozef Radi, Spartak Ngjela, Romeo Gurakuqi, Robert Martiko, etj mendoj se populli shqiptar do t’i votonte me qejf sepse këta me jetën dhe veprat e tyre gjatë diktaturës dhe pas saj kanë treguar se mund të kryejnë me moral të lartë larg korrupsionit cdo detyrë që mund t’u ngarkohet qoftë si Kryeministër (J. Radi), President (V. Zhiti), Kryetar i Gjykatës Kushtetuese (S. Ngjela), Ministër Kulture (R. Martiko), Ministë Arsimi (R. Gurakuqi), etj.