Tiranë, 1 shtator 2022 – Termocentrali i Vlorës ishte zgjidhja e gabuar për Shqipërinë në kohën kur u vendos të ndërtohej. Teknologjia e përzgjedhur dhe mënyra e prokurimit rezultoi gjithashtu e gabuar. Megjithatë, objekti prej 10 vitesh i pavlerë ka gjasa të ofrojë një zgjidhje për krizën energjetike, në rast se qeverisja e Koorporatës do të ishte sadopak e përgjegjshme.
Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare dhe kompanitë e tjera shtetërore të sistemit po shpenzojnë qindramilionë euro për të blerë energji elektrike jashtëzakonisht të shtrenjtë nga importi, në një kohë që një zgjidhje goxha më ekonomike injorohet në mënyrë të pakuptimtë.
Çmimet e energjisë elektrike në rajon kanë fluturuar në 500 dhe 600 euro për MWh, shifra këto të pabesueshme deri para luftës në Ukrainë, por që gjasat janë që situata mund të përkeqësohet me afrimin e dimrit. Arsyet se pse çmimet e energjisë elektrike në Evropë janë kaq të shtrenjta është se ato varen veçanërisht shumë nga çmimi i gazit, i cili është rritur për shkak të Rusisë.
Ndërkohë, termocentrali i Vlorës, i cili u ndërtua mbi një dekadë më parë, vijon të jetë jashtë pune dhe pa plane konkrete për ta vënë në punë, për shkak të një defekti në sistemin e furnizmit me ujë deti për ftohje. Termocentrali, i cili është projektuar të punojë me naftë, ka gjasa që do të mund të realizojë prodhim energjie me çmim dy herë më të lirë se sa çmimet aktuale të importit, por përfitimi indirekt i tij mund të jetë aftësia që KESH fiton për të menaxhuar më me efikasitet Kaskadën e Drinit.
Termocentrali ka një fuqi të instaluar prej 97 MW dhe është në gjendje të prodhojë deri në 700 milionë kWh në vit, gjë që do të thotë se mund të mbulojë pothuaje të gjithë deficitin vjetor të energjisë elektrike në vend. I gjithë termocentrali ka kushtuar rreth 100 milionë euro dhe ai u ndërtua brenda një afati dyvjeçar. Kostot e riparimit të defektit vështirë se mund t’i kushtonin Shqipërisë më shumë se sa mbajtja e tij jashtë funksionit.
Ndërsa termocentrali qëndron pa punë, shqiptarët paguajnë koston e pagave dhe shpenzimeve të tjera të mirëmbajtjes, ndërsa KESH ka bërë të ditur që prej vitesh se “po zbaton një plan masash për rivënien në punë të TEC-it.” [Link] Megjithatë, ndërsa vitet kanë kaluar, defekti nuk është zgjidhur.
Në vitin 2020, viti i fundit në të cilin është publikuar bilanci i kompanisë së termocentralit, shqiptarëve u kushtoi 893 milionë lekë mbajtja e një TEC-i jashtë funksioni, nga të cilat, rreth 143 milionë lekë ishin shpenzime për paga e shpenzime të tjera operative, ndërsa pjesa tjetër ishin kostoja e amortizimit dhe e shpenzimeve financiare.
Prokurimi i drejtpëdrejtë nën suazën e emergjencave të paqena ka qenë mjeti i parapëlqyer i qeverisë aktuale në kryerjen e shumë punëve. Megjithatë, rasti i krizës aktuale është nga të paktat që justifikon me të vërtetë zgjidhjen e defektit të termocentralit të Vlorës me përzgjedhjen e një konsulenti mes kompanive të specializuara.
Nëse arrihet të vihet në punë, kostoja e prodhimit të energjisë nga TEC Vlora nuk është e ulët. Një studim i Entit Rregullator të Energjisë [Link], del në konkluzionin se me çmimin e naftës 80 USD për fuçi, kostoja e prodhimit të energjisë elektrike në TEC është rreth 21 lekë, ndërsa nëse marrim parasysh se çmimi i naftës sot është 90-100 USD për fuçi, atëhere kostoja e energjisë elektrike mund të jetë 24-27 lekë për kWh. Kjo është gjithsesi një shifër shumë më e ulët se sa çmimi aktual prej 400 apo 500 euro për MW/h, e cila në lekë i bie 47 deri në 58 lekë për kWh.
Shqipëria e ka gjithashtu mundësinë që të shohë nëse mund ta vendosë termocentralin e Vlorës në punë me gazin e gazsjellësit TAP. Situata aktuale e furnizimit me gaz nga gazsjellësi nuk është e qartë, por Shqipërisë i takojnë disa të drejta nga kalimi i gazsjellësit në territorin shqiptar.
Situata duket jo thjesht emergjente, ajo duket alarmante. Rezerva hidroenergjetike e vendit po shkon drejt zerimit, ndërsa çmimet në tregun rajonal po shkojnë në stratosferë. Por pavarësisht se sa emergjente është situata, qeveria duket se ka prioritete të tjera.
Një vlerësim i situatës në termocentralin e Vlorës, nëse nuk do të sjellë vënien e tij në punë, së paku do t’i japë fund dilemave dhe do t’i hapë rrugë dekomisionimit të termocentralit që nuk funksionoi kurrë. Nëse termocentrali nuk punon, afërmendësh që ai duhet të çohet për skrap ndërsa zona e zënë prej tij duhet të rehabilitohet, në vend që të lihet si të gjitha gërmadhat e mbetura nga fabrikat e rrënuara të kohës së komunizmit. Së paku, taksapaguesve do t’i kursehen miliona euro në vit kosto pagash dhe shpenzimesh të tjera të punëtorëve që mirëmbajnë një termocentral që nuk hyn në punë as për ditë të mira dhe as për ditë të këqija.
(Gjergj Erebara, Reporter.al)