Telekomi i Kosovës – i mbytur në borxhe, rrezikon edhe licensën e operimit

Prishtinë, 3 gusht 2021 – Komisioni i Kuvendit të Kosovës për Mbikëqyrjen e Financave Publike e ka shqyrtuar të martën Raportin e auditimit të pasqyrave financiare vjetore të Kompanisë Publike “Telekomi i Kosovës” për vitin 2020.

Deputeti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani, ka thënë se ky raport ka për qëllim të pasqyrojë gjendjen materiale dhe menaxhimin e kësaj kompanie. Ai tha se kjo kompani është e mbytur në borxhe dhe ballafaqohet me probleme të mëdha teknike.

“Situata në përgjithësi vazhdon të jetë e rëndë dhe ka një përkeqësim të platformave dhe projekteve”, ka thënë ai.

Rrahmani ka thënë se, sipas Raportit të Auditimit, kjo kompani ballafaqohet me probleme të mëdha, si pasojë e keqmenaxhimit të saj, me vite të tëra. Ai ka thënë se Telekomi i Kosovës paguan çdo muaj rreth 750 mijë euro borxh ndaj kompanisë “Dardafone”, në bazë të vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar, për shkak të prishjes së kontratës me operatorin virtual “Z-mobile”.

Sipas Raportit  të Auditimit, Telekomi i Kosovës paguan ende nga 1.8 milionë euro në vit për shfrytëzimin e kodit telefonik të Telekomit të Monakos.

 

Burbuqe Hana, ushtruese e detyrës së kryeshefes ekzekutive të Telekomit të Kosovës, ka thënë se të gjeturat e raportit dëshmojnë gjendjen e vështirë të kompanisë.

“Të gjeturat e raportit tregojnë mirë gjendjen e Telekomit. Të gjeturat pasqyrojnë gjendjen e rëndë të kompanisë, e cila është çdo vit e më e rëndë dhe për këtë pajtohemi”, ka thënë ajo.

Zonja Hana ka shpjeguar se Telekomi i Kosovës nuk ka arritur të impelentojë kodin shtetëror të Kosovës, për shkak se për këtë nevojiten investime prej 5 milionë eurosh dhe këtë nuk e ka bërë për shkak të mungesës së mjeteve. Ajo ka treguar se kjo kompani ka një borxh të grumbulluar prej 5 milionë eurosh edhe ndaj Autoritetet Rregullativ të Komunikacionit Elektronik dhe Postar (ARKEP) për çka rrezikon të humbasë edhe liencën e operimit.

Disa prej të dhënave të Raportit të Auditimit dhe të informacioneve të kryeshefes ekzekutive të Telekomit të Kosovës, ishin të panjohura për anëtarët e Komisionit të Kuvendit të Kosovës për Mbikëqyrjen e Financave Publike, madje edhe për kryetaren e komisionit, Hykmete Bajramin, e cila ka qenë ministre e Financave në qeverinë e kaluar të Kosovës.

Zonja Bajrami ka thënë se ajo nuk ka qenë e informuar për të gjitha borxhet dhe obligimetfinanciare të Telekomit të Kosovës dhe për këtë e ka fajësuar menaxhmentin e kompanisë.

Telekomi i Kosovës ka qenë kompania publike më profitabile në Kosovë. Prej disa vitesh, ajo është shndërruar në një kompani që rrezikon të falimentojë. Me falimentin e saj borxhet e shkaktuara nga kjo kompani do t’i barteshin qeverisë, si aksionare e vetme në këtë kompani.

Para disa vitesh, një pjesë e aksioneve të Telekomit të Kosovës ishin nxjerrë në shitje, por kjo kishte dështuar për shkak se kompania që ishte shpallur fituese, Axos, nuk kishte arritur t’i përmbushte detyrimet e saj financiare.

Opozita e atëhershme kishte ngritur dyshime se Axos ishte kompani e krijuar enkas për privatizimin e pjesshëm të Telekomit të Kosovës, që atëherë ishte kompani që siguronte të hyra të mëdha, kryesisht për shkak të monopolist që e kishte në tregun e Kosovës.

Me kalimin e viteve, vlera e Telekomit të Kosovës në treg ka rënë vazhdimisht.  

(r.m.)