Prishtinë, 17 korrik 2023 – Ministria e Shëndetësisë në Kosovë u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes nga temperaturat e larta të hënën dhe ditëve në vijim, për t’iu shmangur komplikimeve të mundshme shëndetësore.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se temperaturat të hënën në Kosovë mund të arrijnë deri në 36 gradë Celsius.
Sipas Institutit, era me raste mund të ndikojë që temperaturat të arrijnë deri në 40 gradë Celsius.
Mot i ngjashëm do të mbizotërojë gjatë gjithë javës.
Ministria e Shëndetësisë e ka përmendur rrezikun e goditjes nga vapa, andaj ka rekomanduar që njerëzit me sëmundje kronike të mos ekspozohen në rreze të diellit në intervalin 10:00 – 17:00.
Ky institucion ka porositur që në ditët me mot shumë të nxehtë, qytetarët të qëndrojnë të hidratuar, të vishen me veshje të lehta, të pinë shumë ujë, të shmangin pijet me sheqer, t’i hapin dritaret, të reduktojnë përdorimin e pajisjeve elektronike dhe të qëndrojnë në hije.
“Nëse ju paraqiten simptoma si kokëdhembje, mundim, marramendje, tharje e gojës dhe lëkurës, lajmërohuni tek institucioni më i afërt shëndetësor”, është thënë mes tjerash në njoftim.
Agjencia evropiane e Statistikave, EUROSTAT, ka vlerësuar se mbi 61.000 persona kanë vdekur në Evropë gjatë valës së nxehtësisë vitin e kaluar.
Me mot shumë të nxehtë janë duke u përballur Evropa, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Azisë.
Temperatura mesatare globale e ka prekur një rekord të ri në javën e parë të korrikut.
Këto kushte klimatike po konsiderohen vetëm një prej shembujve se si po rrezikohet bota nga ngrohja globale.
(REL)