Prishtinë, 13 tetor 2021 – Gjashtë pjesëtarë të policisë së Kosovës dhe një pjesëtar i komunitetit serb janë plagosur të mërkurën gjatë një përplasjeje mes policisë dhe grupeve të protestuesve serbë në veriun e Kosovës, që kundërshtuan një operacion në shkallë të gjerë të policisë për sekuestrimin e mallrave të kontrabanduara në disa qytete.
Policia tha se operacioni është zhvilluar në rajonin e Prishtinës, Pejës dhe Mitrovicës së Jugut pa ndonjë problem, ndërsa ajo hasi në rezistencë në Mitrovicën e Veriut dhe në komunën e Zveçanit, të banuar me shumicë serbe.
“Grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve doganorë dhe policorë, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia, tha se hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.
Sipas policisë, përgjatë operacionit janë arrestuar tetë persona, të përkatësive të ndryshme etnike dhe janë sekuestruar mallra të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra eurosh, që janë gjetur në zonat ku janë kryer bastisjet.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në një reagim përmes rrjeteve sociale se veprimet e sotme policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë kryuer me urdhër e të bashkërenduar me prokuroritë dhe gjykatat përgjegjëse.
“Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë”, shkroi ai, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre, siç tha, e disa medieve në Serbi “që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë”.
Tensionet e së mërkurës në pjesën veriore të Kosovës ndodhën pak kohë pasi Bashkimi Evropian, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, ndërmjetësoi një marrëveshje për zgjidhjen e çështjes së reciprocitetit për targat e automjeteve, që shkaktoi tensione të larta ndërmjet të dyja vendeve.
(Zëri i Amerikës)