Prishtinë, 5 dhjetor 2022 – Kur kanë mbetur edhe dy javë nga mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës, kandidati i vetëm serb në këto zgjedhje është tërhequr nga gara.
Aleksandar Arsenijeviq, i cili ishte kandidat për kryetar të Mitrovicës së Veriut, është tërhequr nga gara, tri ditë më parë.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Mund t’ua konfirmoj se më 2 dhjetor 2022, brenda afatit ligjor të vendosur nga KQZ-ja për tërheqjen e subjekteve politike, kemi pranuar njoftimin për tërheqjen e kandidatit të Iniciativës Qytetare “Srpski Opstanak”, Aleksandar Arsenijeviq, nga gara për kryetar komune në Mitrovicën e Veriut”, ka thënë Elezi.
Elezi ka shtuar se në arsyetimin me shkrim që kanë pranuar, ai ka tërhequr kandidaturën e tij me vullnet të lirë.
Kujtojmë se KQZ më 28 nëntor 2022, mori vendim për certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Në këto zgjedhje do të garojnë edhe Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës me nga 4 kandidatë, ndërsa pjesë e procesit zgjedhor janë edhe subjektet tjera politike.
Zgjedhjet në komunat e veriut do të mbahen më 18 dhjetor.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës që ka 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës vendosi që të largohet nga institucionet qendrore të Kosovës si dhe nga komunat në veri të vendit.
Këtë vendim lista Srpska e mori pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq.
Ky i fundit u suspendua pasi refuzoi të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës.
(Telegrafi)