Nga Ruben Avxhiu
Partia e Pavarësisë së Mbretërisë së Bashkuar (e njohur si UKIP) mori 28% të votave për Parlamentin Europian, duke u bërë partia e parë në historinë moderne britanike që del mbi dy partitë kryesore të vendit, Partinë Laburiste (25.7%) dhe atë Konservatore (24.5%).
Partia euroskeptike britanike e drejtuar sot nga Nigel Farage është themeluar qysh në 1994, por deri vonë pakkush nuk e merrte seriozisht. Në 2005 mori vetëm 0.9%, ndërsa në 2010 3.1%.
Mirëpo, në zgjedhjet europiane, ajo bëhet tërheqëse sepse luan me dyshimet që kanë britanikët se angazhimi me BE-në u kufizon liritë dhe mundësitë.
Kriza globale ka shtuar këto shqetësimet si dhe ndjeshmërinë ndaj pranisë së emigrantëve. UKIP i ka shfrytëzuar mirë këto aspekte ndërsa partitë e tjera i kanë trajtuar me doreza për të mos rënë në pozitat e ksenofobisë dhe racizmit. Guximi (dhe paturpësia) e UKIP-it u shpërblye në zgjedhjet e vitit 2009 mori 16% të votave dhe siguroi 13 vende në Parlamentin Europian. Po ai sukses gati u dyfishua në këtë fundjavë. UKIP mund të marrë të paktën 23 ose 24 deputetë në parlamentin e ri.
Ndërkohë, humbësja më e madhe e ditës ishte Partia Liberal-Demokrate (7%) që është pjesë e koalicionit qeveritar bashkë me Konservatorët. Nga 11 deputetë në Parlamentin Europian, ata do të kenë vetëm 1.
“Ky ishte rezultati më i jashtëzakonshëm që është parë në politikën britanike në 100 vitet e fundit, dhe ndjehem krenar që i u udhëhoqa votuesit drejt tij”, tha Nigel Farage.
Populistët janë në rritje kudo në Europë, ndonëse dallojnë nga vendi në vend. Parlamenti Europian ka një rol më të kufizuar se parlamentet e shteteve, mirëpo suksesi i UKIP-it do të ketë patjetër ndikime. Një prej tyre do të ketë të bëjë me negociatat që kryeministri britanik Cameron do të bëjë me zyrtarët e lartë të Brukselit. BE-ja ka nevojë urgjente për reforma, ndërsa Mbretëria e Bashkuar ndjek me shqetësim perspektivën e transformimit të bllokut ku bën pjesë.
Në raportet me BE-në, qeveria britanike mund të marrë tani një pozicion më të ashpër për t’ia përshtatur sentimenteve mbizotëruese në elektoratin britanik. Vërtet UKIP nuk ka shumicën, por si forca kryesore, partia euroskeptike shënon një prirje në rritje që konservatorët thjesht nuk mund ta injorojnë më.