Ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” siguron energji të mjaftueshme për konsumatorët dhe njëherësh largon varshmërinë e Kosovës nga importi i energjisë nga vendet rajonale, me çmime shumë të larta, thonë njohës të çështjeve energjetike.
Vendimi për ndërtimin e këtij projekti, ka filluar para tetë vjetësh, menjëherë pas formimit të, atëherë, Ministrisë së Energjisë dhe Miniserave, por ky projekt vazhdimisht është zvarritur.
Ndërsa, gjatë këtij muaji, ekzekutivi i vendit, ka aprovuar dokumentet e tenderit për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, i cili do të realizohet me partneritet publiko – privat.
Autoritetet kompetente planifikojnë që dorëzimi i ofertave nga investitorët të ndodhë në fund të këtij viti, ndërsa zgjedhja e kompanisë fituese parashihet në janar të vitit 2014. Kurse, në dhjetor të po të këtij viti, pritet të fillojë edhe ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”
Palokë Berisha, njohës i çështjeve energjetike, konsideron se autoritetet kosovare janë vonuar në fillimin e ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike, por që shprehet optimist se vitin e ardhshëm punët do të nisin në terren.
Ai thotë se për çdo vit në Kosovë po rritet kërkesa për energji elektrike.
“Unë llogaris se për çdo vit e më shumë kemi nevojë për më shumë energji, sepse energjia te ne, shpenzohet në mënyrë joracionale dhe kemi humbje të mëdha teknike”.
“Ndërsa, sa i përket kapaciteteve ekzistuese, do të ishim shumë të lumtur sikur ky nivel i prodhimit të zgjasë në pesë vitet e ardhshme. Pastaj do të kemi rritje të importit, ndërsa dëmet që i shkakton ambientit, shëndetit të qytetarëve dhe shoqërisë, në përgjithësi, janë enorme. Prandaj, mendoj se zgjidhja duhet të ofrohet sa më shpejt që është e mundur”, konsideron Berisha.
Ndryshe, Komitetit Drejtues për Termocentralin “ Kosova e Re” planifikon që në vitin 2018 të hyjë në operim njësia e parë, ndërsa gjashtë muaj më vonë, edhe njësia e dytë.
Konsorciumi i Organizatave të Shoqërisë Civile për Energji, kanë kundërshtuar vazhdimisht ndërtimin e Termocentralit e “Kosova e Re”.
Nazim Haliti, nga ky konsorcium, thotë se duke u bazuar në problemet që e kanë përcjellë këtë projekt, dhe neglizhencën e autoriteteve kompetente, ndërtimi i termocentralit nuk do të fillojë në periudhën e caktuar.
“Unë nuk di që projekti është duke ecur mbarë që të nisë me kohë ndërtimi i tij dhe që të lëshohen blloqet e para në vitin 2018. Por, në parim, dua të them se mbështesim të gjitha nismat tjera që do të ndërmarrë Qeveria e Kosovës, me akterët tjerë ndërkombëtarë, për t’i rritur projektet dhe për të zhvilluar projektet që kanë të bëjnë me energji të ripërtërishme. Prandaj, ne mbesim me këtë qëndrim”, thotë Haliti.
Sidoqoftë, në garë për ndërtimin e këtij termocentrali, janë katër konsorciume ndërkombëtare, që thuhet se i kanë përmbushur kriteret për realizmin e projektit.
Lidhur me këtë, Palokë Berisha, konsideron se autoritetet kompetente, me ligjet ekzistuese, duhet t’ia imponojnë kompanisë fituese që të jetë e përgjegjshme karshi projektit.
“Ne duhet të dimë, se cilat janë kompanitë, çfarë standardesh ofrojnë këto kompani në shtetet e veta për punëtorët e tyre, kjo është me rëndësi, sepse një numër i madh i kompanive lokale dhe njerëzve, do të lidhen me ato kompani. Dhe, nëse ato vijnë nga vendet e strukturuara mirë, ku sundon ligji, ku standardet i kanë të larta, ku edhe ne, me ligjet tona duhet t’ua imponojmë atyre një sjellje të përgjegjshme lidhur me zbatimin e standardeve ‘perëndimore’”, thekson Berisha.
Projekti ka pësuar ndryshime, duke u bërë ndarja e Termocentralit “Kosova B” nga pakoja tenderuese e projektit “Kosova e Re”.
Sipas kësaj pakoje, Termocentrali “Kosova e Re”, do të ketë kapacitet prej 600 megavatësh. (rel)