Terrorizmi, Kodheli: Fatkeqësisht trevat shqiptare janë burim i luftëtarëve të huaj (zë)

Intervistë e ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhënë gazetës “Illyria” të komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara (Pjesa 4)

Bisedoi: Denion Ndrenika

-Shqipëria është pjesë e operacioneve detare tanimë për emigrantët.

-Mimi Kodheli: “Do të jetë. Në 1 nëntor do të fillojë aktivisht”.

-Mendoni se ne i kemi kapacitetet e plota?

-Mimi Kodheli: “Jo nuk mendoj. Unë e di që janë kapacitetet e plota, sepse me këtë punë merrem, këtë punë drejtoj.
Për aq kohë sa ne deklarojmë gatishmërinë, sigurisht që i kemi kapacitetet. Nuk mund të deklarojmë një gatishmëri, duke pasur gomone.
Kemi anije luftarake që i deklarojmë të tilla me përgatitjen me stafin, me armatimin, me gjithçka që ka që është e nevojshme për të qenë pjesë e këtyre misioneve detare”.

-Kjo është një shenjë që Shqipëria është e kujdesshme nga paralajmërimet e terrorizmit?

-Mimi Kodheli: “Shqipëria është shumë e kujdesshme ndaj këtyre paralajmërimeve, siç duhet në fakt të jetë çdo vend i NATO-s dhe çdo vend europian që mbron vlerat e lirisë si vlerat e të drejtës së ushtrimit të lirive, religjionit e kështu me radhë.
Shqipëria është një vend mëndjehapur. Shqiptarët janë një komb mendjehapur dhe ne duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë fort këtë gjë që kemi mbërritur deri më sot, sepse nuk na e ka falur njeri dhe nuk e kemi mbërritur lehtësisht në histori.
Qeveria shqiptare punon fort për të pasur një siguri të lartë. Në ditët e sotme kjo nuk është e thjeshtë, por ndërkohë shkëmben, merr dhe jep informacion me shërbimet e rajonit e më shumë se kaq.
Sepse, për fat të keq trevat shqiptare kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë një burim i luftëtarëve të huaj, ashtu siç tashmë janë bërë burim i luftëtarëve të huaj, qoftë dhe vende, apo kryeqytete si Parisi apo Londra.
Por ne po flasim për këtë qoshen tonë të botës ku jetojmë dhe ky është një fenomen që duhet mbajtur nën kontroll, që duhet luftuar dhe sigurisht që kjo nuk bëhet për një ditë, “me një lule nuk vjen pranvera”.
Të gjithë institucionet, aktorët, faktorët bashkërendojnë dhe bashkëpunojnë, sidomos në rastin e Shqipërisë për të pasur një vend më të sigurtë”.

-Sa raste keni pasur në dijeninë tuaj zonja Ministre të mundësisë së trafikut të armëve veçanërisht me këta persona që shkojnë në luftëra të huaja?

-Mimi Kodheli: “Jo domosdoshmërisht. Ne nuk kemi pasur raste të trafikut të armëve. Në dijeni në time ata kanë një mënyrë organizimi tjetër. Ata nuk bëjnë trafikun këtu, ata nisen me “duar në xhepa” dhe gjejnë municion dhe armatim atje ku shkojnë.
Pra thjesht dhe vetëm çfarë ndodh këtu është indoktrinimi ideologjik i këtyre personave për t’i transformuar nga qytetarë të mirë, të zakonshëm normalë, në persona që shkojnë e bëjnë një luftë që nuk është absolutisht e tyre”.

-Shërben stërvitja e përbashkët “Luani Shqiptar” me Britaninë e Madhe për të provuar kapacitetet e Shqipërisë, për të gjitha këto sa thatë ju, ndihmave për emigrantët e paligjshëm në det, rrezikun e terrorizmit, përfshirë dhe mundësitë që vetë Shqipëria do të ketë në ndonjë zhvillim të mundshëm të tejkalimit të gjendjes në rajone të ndryshme?

-Mimi Kodheli: “Sigurisht, pa këto stërvitje të përbashkëta është e pamundur që të mund të jesh i sigurtë për suksesin nëse një gjë konkrete ndodh.
Në vitin e kaluar kemi marrë pjesë në stërvitjet më të mëdha që NATO kishte realizuar në këto dekadat e fundit dhe kemi marrë suksesshëm pjesë atje.
Kemi marrë vlerësime të drejtëpërdrejta për të gjithë ushtarakët që kanë qenë pjesë e këtyre stërvitjeve.
E ndihmon vetë Shqipërinë një stërvitje e tillë e këtyre përmasave. Imagjinoni 1500 ushtarë të huaj britanikë, amerikanë, por edhe nga rajone të tjera, edhe nga Kosova janë prezentë në territorin shqiptar.
Dhe, kjo thjesht dhe vetëm bën të mundur që një ngjarje e jashtëzakonshme të mund të jetë, nëpërmjet stërvitjes të mund të bëhet diçka e zakonshme, në mënyrë që lufta që mësohet të bëhet, e uroj shumë që mos të ndodhë asnjëherë, të mos ketë një luftë në kompjutera, por të jetë diçka pranë realitetit dhe këtë më shumë se sa stërvitja nuk e bën askush të prekshme.
Ka zhvillime dhe kjo sjell nevojën e bërjes së sa më shumë stërvitje dhe kjo i bën vetëm mirë Forcave të Armatosura, ashtu siç i bën mirë çdo force tjetër. Por më së pari i bën mirë sigurisë së vendit”.

-A i përmbush gjithmonë Shqipëria, po them nëpërmjet Forcave të Armatosura “detyrat” të ndihmës së komunitetit, përveç rasteve të emergjencës… Ka shumë zëra që thonë që ushtria dhe uniforma nuk janë gjithmonë në rrugën e duhur për t’u marrë me çështje civile, përjashto rastet e emergjencave.

-Mimi Kodheli: “Me thënë të drejtën unë këtë zërin nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë dhe është vetëm hera e parë, po e dëgjoj prej jush.
Unë jam një person, duke qenë një njeri në këtë pozicion dhe aktiv në jetën shoqërore shqiptare, jam shumë e vëmëndshme ndaj mediave, por nuk e kam dëgjuar ndonjëherë këtë gjë.
Megjithëse mund të jetë një zë i vetëm, prap e vlerësoj këtë zërin. FA janë më shumë sesa u kërkohet të jenë prezent në shërbimin ndaj komunitetit.
Ne në fakt, besoj që ju jeni në dijeni të të gjithë veprimarisë që ne kemi zhvilluar për arsye strategjike, por ndërkohë që ndihmojnë komunitetin, që kanë të bëjnë me ndërtimin e urave Bejli.
Në të gjithë territorin shqiptar ku ne kemi ndërtuar me qindra metra linear ura dhe kemi lidhur dhjetra qindra fshatra dhe mijëra e mijëra banorë, të cilëve u kemi mundësuar shkuarjen në shkollë më të sigurtë, shkuarjen në spital më të sigurtë dhe më të shpejtë, shkëmbimin e produkteve të tyre bujqësore, lëvizjen e tyre më të lirshme.
Sigurisht ne e bëjmë për arsye ushtarake strategjike, por ndërkohë kjo ndihmon afrimin e zonave të largëta më shpejt, më sigurtë dhe më mirë drejt qendrave më të banuara.
Kjo është një gjë. Tjetra gjë, është se besoj ndonjëherë edhe kemi “thyer” ndonjë ligj strikt lidhur me prezencën e Forcave të Armatosura në Emergjencat Civile.
Këtë e kemi bërë sepse ne kemi mundësi më të mëdha për të shuar zjarre, ne kemi mundësi dhe mjete më shumë për të nxjerrë njerëzit nga përmbytjet dhe njëkohësisht për t’i shërbyer njerëzve, sa herë kanë kërkuar nevojë.
Sot që flota ushtarake ka në përbërje të saj, jo vetëm helikopterë ushtarakë, por edhe ato të policisë dhe ato shëndetësorë, e bën këtë shërbim më të mirë, më të shpejtë, më të saktë.
Ndaj, një arsye më tepër pse ne mund të themi se jemi krenarë për çka kemi bërë deri më sot, kur flitet për shërbimin civilo-ushtarak, kur flitet për praninë tonë në raste emergjencash apo nevojash jetike për qytetarët shqiptarë”.

(vijon)