Tetë nxënës dhe një roje vriten në një sulm me armë në një shkollë të Beogradit

Beograd, 3 maj 2023 – Tetë nxënës dhe një pjesëtar i sigurisë janë vrarë të mërkurën në një sulm me armë në shkollë fillore në Beograd. Gjashtë nxënës të tjerë dhe një mësues kanë mbetur të plagosur.

Sulmi me armë është kryer të mëkurën në mëngjes në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në lagjen Vraçar, në kryeqytetin e Serbisë.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi se sulmi me armë dyshohet se është kryer nga një nxënës i kësaj shkolle.

Një nxënëse e klasës së autorit të sulmit ka thënë se sulmi është kryer në orën e historisë dhe sulmuesi e ka shënjestruar së pari mësuesen.

Një tjetër nxënëse e klasës ka thënë se autori i ka shkrepur mbi 20 fishekë. Sipas saj, ai i ka ndërruar dy-tre karikatorë dhe ka shtënë ndaj nxënësve që po pëpiqeshin t’u shpëtonin plumbave duke u përpjekur të ikin jashtë dheduke u futur nën bankat shkollore.

Autori është kapur në oborrin e shkollës dhe është arrestuar.

Të plagosurit janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente dhe në Klinikën Universitare të Fëmijëve në Beograd.

Motivet e sulmit me armë mbeten të panjohura tash për tash.  Autoritetet kompetente thonë se po punojnë intensivisht për zbardhjen e gjitha fakteve dhe rrethanave që kanë çuar në këtë tragjedi të rëndë.

https://www.instagram.com/p/CrxqkdWqWf3/?utm_source=ig_embed&ig_rid=39c599a2-e1b8-49eb-8f74-913018cfcaf8

(r.m.)