Thaçi ankohet për redaktime të shumta të aktakuzës së zgjeruar, por deklarohet i pafajshëm

Hagë, 10 prill 2022 – Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot (e martë) ka filluar konferenca dëgjimore lidhur me aktakuzën e zgjeruar ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi).

Më 29 prill, Dhoma e Prokurorisë Speciale ka njoftuar për zgjerimin e aktakuzës ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së, të cilët akuzohen për krime  lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzat e reja për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gjilan, në Budakovë dhe në Seminishtë, ndonëse ka thënë se nuk i ka kuptuar ato, për shkak të redaktimeve të shumta të tyre.

Paraprakisht, gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, tha se qëllimi i kësaj seance është t’i lexohen të akuzuarit akuzat e paraqitura në gjuhën që flet, të konfirmojë se e kupton aktakuzën, të bindet se të drejtat e të akuzuarit të respektohen.

Tutje, gjykatësi tha se Thaçi do të informohet se brenda 30 ditësh mund të vetëdeklarohet për fajësinë apo pafajësinë e tij, por këtë deklarim mund ta bëjë edhe gjatë kësaj seance.

I pyetur nga gjykatësi Guillou se a ka pranuar aktakuzën e konfirmuar të datës 29 prill 2022, e cila përmban ndryshimet, pra akuzat e reja, Thaçi u përgjigj pozitivisht. Më pas, filloi leximi i akuzave nga sekretarja e gjykatës, por leximi u ndërpre me propozim  të mbrojtjes dhe me aprovim të Thaçit, të cilët thanë se nuk ka nevojë të lexohen akuzat e reja.

Thaçi, duke iu përgjigjur gjyqtarit Guillou, deklaroi se ai nuk i ka kuptuar akuzat e reja, duke shtuar se ato janë të pakuptueshme, për shkak të redaktimeve të shumta.

Edhe avokati i tij Gregory Kehoe tha se akuzat e reja janë shumë  të redaktuara dhe kjo e bën klientin e tij dhe të akuzuarit tjerë të mos kuptojnë se çfarë saktësisht paraqet Prokurori i Sspecializuar.

“Me këto redaktime është e pamundur të kuptohet se për çfarë bëhet fjalë. Ne i kemi kaluar këto me Thaçin, i kemi diskutuar këto çështje dhe kemi thënë se do të vetëdeklarohet i pafajshëm në këtë moment”, tha Kehoe.

“Duke pasur parasysh këto redaktime, presidentit Thaçi po paraqet një deklarim jo fajtor, i pafajshëm” tha Kehoe.

Ndërsa, Thaçi tha se nuk dëshiron të shtojë asgjë, por deklarohet i pafajshëm, ndonëse aktakuzën nuk e ka lexuar për shkak se nuk e ka kuptuar.

Gjyqtari Guillou shpjegoi për publikun se në aktakuzën e re ka vërtetë shumë redaktime, por shpjegoi se ato redaktime janë miratuar nga gjykata. Më pas ai e pyeti edhe formalisht Thaçin për vetëdeklarimin e tij lidhur me aktakuzën e re.

“Do të kërkoj zyrtarisht të më thoni nëse deklaroheni fajtor apo jo fajtor lidhur me akuzat e reja që i përmban aktakuza e ndryshuar”, tha Guillou.

Kurse Thaçi përsëriti se është i pafajshëm, ndonëse nuk e kuptuar akuzat e reja.

“Zoti gjyqtar, theksova edhe një herë se amendamentet shtesë (të aktakuzës) janë të redaktuara. Jam munduar t’i lexoj, por nuk kam arritur. Prandaj nuk kam mundur edhe t’í kuptoj. Por deklarohem i pafajshëm”, tha Thaçi.

Në fund të seancës, avokati Kehoe deklaroi se nga Dhoma e Apelit nuk ka marrë ende përgjigje lidhur me mangësitë e aktakuzës.

Gjykatësi tha se afati për përgjigje lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me aktakuzën shtesë do të fillojë nga dita e sotme.

Hashim Thaçi nuk ishte i pranishëm fizikisht në sallën ku u mbajt seanca dëgjimore. Ai mori pjesë përmes videolidhjes.

Sot gjatë ditës do të mbahen seancat dëgjimore edhe ndaj Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

(r.m.)

One Response to “Thaçi ankohet për redaktime të shumta të aktakuzës së zgjeruar, por deklarohet i pafajshëm”

Read below or add a comment...

  1. Mala says:

    Jo vetem redaktime te qellimkeqija e te sajuara.Por eshte futur edhe “mish dhije’ sic ishte akatakuza e sajuar e fillimit te “ndjekjes se çlirimtarve”.Tash “hijet e zeza” po çdo dite vijne ne Hage me strajca e shula magjistarë per te renduar çlirimtaret per “mekatet” pse çliruan atdheun dhe pas shkujve roberie ju sollen lirine popullit te tyre,Madje, edhe ketyre “magjistrave” qe po e mallkojne lirin e popullit te tyre dhe te vetvetes.MALLKIMI I LIRISE ESHTE NDESHKIM I RENDE SA TUNXHI. ZOT NDIMOJ ! SE NUK DIJNE CKA BEJNE !