Thaçi nuk deklarohet për aktakuzën shtesë, aludon se të dy aktakuzat kundër tij janë të motivuara politikisht

Hagë, 17 dhjetor 2024 – Ish Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjerncë (AKI). Bashkim Smakaj, nuk janë deklaruar lidhur me akuzat e Zyrës së Prokurorisë së Specializuar në Hagë  për ndikim te dëshmitarët.

Të martën, në paraqitjen e tij para gjykatës, Thaçi nuk e ka mohuar por as nuk e ka pranuar fajësinë lidhur me aktakuzën e re, pjesë e së cilës janë tri akuza për tentim pengimi të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedures dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Thaçi, i cili akuzohet edhe për krime lufte, la të kuptohej se të dy aktakuzat kundër tij janë të motivuara politikisht sepse ato u ngritën në kohët që në Kosovë kishte zhvillime të rëndësishme politike.

“E dini, para 4 vjetësh, më 2020, u ngrit aktakuzë kundër meje vetëm tre muaj para se të rizgjidhesha president i vendit. Tash, para 10 ditësh, Zyra e Prokurorit prezantoi me nxitim aktakuzë shtesë, vetëm dy muaj para zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë”, tha Thaçi.

Ai la të nënkuptohet se aktakuza e re është e pajustifikueshme derisa ai tani nuk është pjesë e politikës.

“Duhet të sqaroj edhe një herë: nuk jam pjesë e garës politike e as s’kam ndonjë ambicie politike, as për president, as për kryeministër, as për deputet e as ndonjë ambicie tjetër për ndonjë pozitë publike”, u shpreh Thaçi.

“Ritheksoi se nuk jam pengesë e as nuk paraqes rrezik për askënd në kuptimin politik, e as për ndonjë projekt qeverisës”, theksoi ai.

Thaçi kërkoi edhe të martën që Gjykata Speciale ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, duke theksuar se mosrespektimi i tyre e minon demokracinë në Kosovë.

“E nderuara gjyqtare, dëshiroj të ritheksoj dhe nënvizoj domosdoshmërinë e respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, në këtë sallë. Mosrespektimi i Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe normave të tjera ligjore nga palët në këtë sallë të shenjtë për drejtësinë paraqet rrezik për minimin e demokracisë në Kosovë, paraqet rrezik për cenimin e besimit qytetar. Prandaj shtoj që të ruhet vetëpërmbajtja institucionale nga të gjithë, e edhe në këtë sallë”, tha Thaçi.

As ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, nuk u deklarua të martën për dy akuzat e ngritura kundër tij nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar.

Me që Thaçi dhe Smakaj nuk u deklaruan për akuzat e ngritura nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar, gjyqtarja Majorie Masselot kujtoi se të dy të akuzuarit kanë kohë të deklarohen mbi akuzar deri më 7 janar. Ajo tha se sipas rregullin 95 të Dhomave të Specializuara të Kosovës, do të konsiderojë se ata vetëdeklarohen të pafajshëm.

“Meqë të dy keni zgjedhur të mos e bëni vetëdeklarimin sot, jua kujtoj udhëzimet që i kam përcaktuar në urdhrin për caktimin e kësaj seance sot dhe ju ftoj që të bëni vetëdeklarimin, në qoftë se do ta bëni në formë të shkruar, deri me datën 7 janar 2025 në orën 12:00. Në qoftë se vendosni që të mos e përdorni këtë të drejtë, atëherë unë në emrin tuaj do ta bëj vetëdeklarimin tuaj si të pafajshëm, në përputhje me rregullën 95”, tha ajo.

Gjyqtarja Masselot e urdhëroi Zyrën e Prokurorit të Specializuar që mbrojtjes së të akuzuarve t’ua japë disa materiale , përfshirë përgjimin e bisedave të Hashim Thaçit me të pandehurit e tjerë, të zhvilluara në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Ndërkaq, Prokurori i rastit Joshua Hafetz bëri të ditur se ai synon t’i thërrasë të paktën tre dëshmitarë në këtë rast.

Të akuzuar për tentim përpjekje për të ushtruar ndikim tek dëshmitarët e rastit Thaçi e të tjerբt, të akuzuar për krime lug=fye dhe për krime kundër njerëzimit, janë edhe ish-zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Fadil Fazliu. Këta të tre  janë deklaruar të pafajshëm në seancën e mbajtur më 9 dhjetor.

(r.m.)

Comment

*