The Economist: Pse po thellohet hendeku midis femrave dhe meshkujve?

Në një treg ushqimesh në Varshavë, kryeqytetin e Polonisë, dy gra inxhiniere po bisedojnë se sa e vështirë është të gjesh sot një burrë të sjellshëm dhe mendjehapur.

Paulina Nasilowska u ngrit në detyrë disa vite më parë. I dashuri e akuzoi se kishte pasur lidhje me shefin e punës. Tani ai është një ish i dashur.

Shoqja e zonjës Nasilowska, e quajtur Joanna Walczak, flet për një burrë që takoi në Tinder, i cili i tha se ishte nga ata burra që kishte marrë “pilulën e kuqe” (një shprehje nga filmi “The Matrix”, që nënkupton dikë që e sheh realitetin qartë.

Në botën e “manosferës”, një komunitet online i burrave të zemëruar, është përhapur ideja se burrat janë pjesa e shtypur e popullsisë). Ai mendonte se punët e shtëpisë dhe kujdesi për fëmijët janë detyrë që u takon vetëm grave dhe se këto të fundit nuk mund të ishin udhëheqëse. Ata nuk patën një takim të dytë.

Siç është tipike për gratë e reja polake, zonja Nasilowska dhe zonja Walczak mbështesin partitë e së majtës liberale, të cilat i marrin seriozisht çështjet e grave dhe premtojnë të legalizojnë abortin. Ato ankohen se meshkujt e rinj polakë anojnë më tepër nga e djathta apo edhe nga e djathta e skajshme.

Marrim parasysh zgjedhjet e vitit të kaluar. Asokohe, partia më e votuar nga meshkujt e moshës 18 deri në 29 vjeç ishte Konfederata, një parti që përkrah ekonominë e tregut të lirë dhe vlerat tradicionale sociale.

(Një nga sloganet e partisë është “Kundër feministeve. Në mbrojtje të grave të vërteta”.) Rreth 26% e të rinjve meshkuj e mbështetën këtë parti, por vetëm 6% e bashkëmoshatareve femra.

Meshkujt e rinj polakë kanë ankesat e veta. “Feminizmi ka shkuar shumë larg”, thonë dy zjarrfikës në të njëzetat, që banojnë në një qytezë të vogël. Lukasz thotë se më parë mund të shkonte në një festë vallëzimi në fshat dhe “femrat atje ishin gra për shtëpi”.

Në ditët e sotme, “të gjitha postojnë foto të paturpshme në mediat sociale”, ankohet ai. Mediat janë “të gjitha të njëanshme dhe e shtyjnë kulturën shoqërore në të majtë”, ankohet Mateusz (asnjë prej tyre nuk dëshiron të thotë mbiemrin). “Njerëzit nuk e pranojnë më se burrat dhe gratë shpesh duan të bëjnë lloje të ndryshme pune”.

Në shumicën e vendeve të zhvilluara, qëndrimet e të rinjve dhe të rejave janë të kundërta. The Economist analizoi të dhënat e sondazheve nga 20 shtete të pasura, duke përdorur Anketën Sociale Europiane, Anketën Sociale të Përgjithshme të Amerikës dhe Anketën Sociale Koreane.

Dy dekada më parë, kishte vetëm pak dallim midis burrave dhe grave të moshës 18-29 vjeç, në shkallën e pikëpamjeve shoqërore, të renditur nga 1 në dhjetë, ku 1 nënkupton pikëpamje shumë liberale dhe 10 pikëpamje shumë konservatore.

Por analiza jonë zbuloi se deri në vitin 2020, ky hendek kishte shkuar në 0.75 (shih grafikun 1). Për krahasim, ky është afërsisht sa dyfishi i hendekut të pikëpamjeve midis njerëzve me dhe pa diploma, në të njëjtin vit. 

E thënë ndryshe, në vitin 2020, meshkujt e rinj kishin më pak gjasa që ta përshkruanin veten si liberalë, në krahasim me femrat e reja, të cilat kishin më shumë gjasa që të anonin nga e majta sesa nga e djathta, me një hendek të madh prej 27 pikë përqindje.

Në të gjitha shtetet e mëdha që shqyrtuam, meshkujt e rinj ishin më konservatorë se femrat e reja (shih grafikun 2). Në Poloni, ndryshimi midis gjinive ishte 1.1 pikë në shkallën nga 1 në 10. Në Amerikë ishte 1.4, në Francë ishte 1, në Itali ishte 0.75, në Britani ishte 0.71 dhe në Korenë e Jugut, 0.74.

Burrat dhe gratë e kanë parë gjithmonë botën ndryshe. Por ajo që bie në sy tani, është se është hapur një hendek në këndvështrimet politike, pasi gratë e reja po bëhen shumë më liberale, ndërsa moshatarët e tyre meshkuj, jo.

Për gratë e reja, fitoret e mëdha të brezave të mëparshme të feministeve në rritjen e madhe të mundësive të grave në vendin e punës dhe në jetën publike, tashmë i përkasin së shkuarës.

Ato janë të shqetësuara me padrejtësitë e vazhdueshme, nga dhuna e meshkujve, deri te ligjet mizore kundër abortit (në disa shtete) dhe hendekun e pagës për gratë që për më tepër, mbajnë përsipër një përgjegjësi jo të barabartë të punëve të shtëpisë dhe kujdesit ndaj fëmijëve. Liberalizmi i zjarrtë i grave të reja, mund të burojë nga një ndjenjë se ka ende shumë punë për të bërë në të drejtat e grave dhe se kundërshtimi ndaj këtij emancipimi është i ashpër. 

Hendeku nuk përkthehet drejtpërdrejt në mënyrën e votimit, por është i dukshëm. Një sondazh zbuloi se 72% e grave të reja amerikane, që votuan në zgjedhjet e Dhomës së Përfaqësuesve në vitin 2022, mbështetën kandidatin demokrat, në krahasim me 54% të burrave të rinj.

Në vitin 2008, nuk kishte pothuajse asnjë hendek gjinor në votim. Në Europë, ku ka një grup më të madh partish, gratë e reja kanë më shumë gjasa të mbështesin partitë e majta, ndërsa burrat e rinj kanë më shumë gjasa të mbështesin të djathtën, apo edhe të djathtën radikale.

Në vitin 2022, në Francë, meshkujt e rinj mbështetën më shumë se femrat e reja kandidatin presidencial Eric Zemmour, i cili ka shkruar një libër ku kundërshton Simone de Beauvoir, feministen më të shquar në historinë e Francës.

Në zgjedhjet e Gjermanisë në vitin 2021 u shënua hendeku më i madh në histori midis votave të femrave dhe meshkujve të rinj, sipas Ansgar Hudde nga Universiteti i Këlnit.

Në Portugali, ku ka fituar popullaritet partia e së djathtës së skajshme Chega, pjesa më e madhe e mbështetësve të saj janë meshkuj të rinj dhe më pak të arsimuar. Në vitin 2022, Koreja e Jugut zgjodhi një president të hapur antifeminist.

Për të, votuan më shumë se 58% e meshkujve në të 20-at. Rreth 58% e femrave në të 20-at, mbështetën rivalin e tij. 

Të rinj të zemëruar

Hendeku midis gjinive është i dukshëm edhe në mënyrën se si burrat dhe gratë e shohin njëri-tjetrin. Njerëzit në 27 shtete europiane u pyetën nëse ishin dakord se “përparimi i të drejtave të grave dhe vajzave ka shkuar shumë larg sepse kërcënon mundësitë e burrave dhe djemve”.

Burrat kishin më shumë gjasa të pajtoheshin me këtë ide sesa gratë. Dhe burrat e rinj ishin më antifeministë se burrat më të mëdhenj në moshë, duke kundërshtuar idenë popullore se çdo brez është më liberal se i mëparshmi. Gefjon Off, Nicholas Charron dhe Amy Alexander nga Universiteti i Goteborg-ut, përdorën një analogji holandeze për të ilustruar ndryshimin midis meshkujve të rinj (18-29 vjeç) dhe të moshuar (65+) në Europë.

Ky hendek është po aq i madh sa hendeku midis një mbështetësi mesatar holandez të partisë së djathtë radikale të drejtuar nga Geert Wilders, dhe një mbështetësi mesatar të Liberal Demokratëve.

Një model i ngjashëm vlen edhe për shtetet e tjera të përparuara. Edhe pse në përgjithësi, një përqindje më e lartë e meshkujve të rinj britanikë mendojnë se është më e vështirë të jesh një grua sesa një burrë, ata kanë më shumë gjasa se burrat më të mëdhenj në moshë, që të thonë se është më e vështirë të jesh burrë se grua.

Gratë e reja britanike kanë më shumë gjasa se nënat e tyre që të besojnë të kundërtën. Gati 80% e meshkujve koreanojugorë në të 20-at thonë se meshkujt janë të diskriminuar. Vetëm më pak se 30% e meshkujve mbi 60 vjeç pajtohen me këtë ide.

Në Kinë, anketuesit nuk bëjnë pyetje për qëllimet e votimit, por kanë zbuluar një dallim të ngjashëm midis burrave dhe grave të reja, kur bëhet fjalë për rolet gjinore (shih grafikun 3). Yue Qian, nga Universiteti i Kolumbisë dhe Jiaxing Li, nga Universiteti i Mjekësisë dhe Shkencave Shëndetësore në Shangai, këqyrën të dhënat e anketës për rreth 35,000 kinezë.

Në analizën e tyre zbuluan se meshkujt e rinj kinezë kishin shumë më tepër gjasa se të rejat që të pajtoheshin me ide seksiste si: “burrat duhet të vënë karrierën në radhë të parë, ndërsa gratë duhet të vënë familjen në radhë të parë” dhe “kur ekonomia është në gjendje të keqe, të parat që duhen pushuar nga puna duhet të jenë punonjëset femra”.

Pikëpamjet e burrave të rinj kinezë nuk ishin shumë të ndryshme nga ato të burrave të moshuar, ndërsa pikëpamjet e grave të reja ishin shumë më egalitare sesa të nënave të tyre. Claire, një studiuese tregu në Pekin (e cila përdor një emër anglisht për të ruajtur anonimitetin), thotë se dëshiron një partner që ta trajtojë si të barabartë dhe të ndajë me të punët e shtëpisë.

“Mendoj se shumica e burrave kinezë do të dështonin në këtë pikë”, psherëtin ajo. Dr. Qian vëren se kur prindërit kinezë kërkojnë burra dhe gra për fëmijët e tyre, ata mburren për karrierat dhe diplomat e djemve, por fshehin arritjet e vajzave, nga frika se mos largojnë dhëndrit e mundshëm.

Çfarë po ndodh? Shkaqet më të mundshme të kësaj ndarjeje gjinore janë arsimi (meshkujt e rinj po arsimohen më pak se femrat e reja), përvoja (shtetet e përparuara janë bërë më pak maskiliste dhe burrat dhe gratë e përjetojnë këtë në mënyra të ndryshme) dhe mediat sociale (që e përkeqësojnë polarizimin).

Gjithashtu, në demokraci, shumë politikanë në të djathtë po ushqejnë ankesat e të rinjve meshkuj, ndërsa shumë nga e majta, e pranojnë me vështirësi se meshkujt e rinj kanë probleme të vërteta.

Por, në fakt, ata kanë, duke filluar nga arsimi. Edhe pse burrat më të pasur po ecin mirë, shumë të tjerë janë në vështirësi. Në shtetet e pasura, 28% e djemve, por vetëm 18% e vajzave, nuk arrijnë dot nivelin minimal të aftësisë për të lexuar. Ndërkohë, femrat ua kanë kaluar meshkujve në universitet (shih grafikun 4).

Në BE, përqindja e meshkujve të moshës 25 deri në 34 vjeç me diploma të arsimit të lartë u rrit nga 21% në 35% midis viteve 2002 dhe 2020. Përqindja e femrave u rrit më shpejt, nga 25% në 46%. Në Amerikë, hendeku është pothuajse i njëjtë: dhjetë pikë përqindje më shumë gra të reja se burra, fitojnë një diplomë bachelor. 

Dallimet në arsim çojnë në dallime në qëndrim: njerëzit që mbarojnë universitetin, kanë më shumë gjasa të kenë një këndvështrim liberal dhe egalitar. Hendeku arsimor çon gjithashtu në dallime në mënyrën se si burrat dhe gratë e përjetojnë jetën, punën dhe romancën.

Për ta thjeshtuar: kur një grua diplomohet në një shtet të pasur, ajo ka shumë gjasa që të gjejë një vend të mirë pune dhe të jetë financiarisht e pavarur.

Por kur ajo hyn në “tregun” e takimeve romantike (duke hamendësuar se është heteroseksuale), ajo zbulon se, për shkak se ka më shumë femra të diplomuara sesa meshkuj të diplomuar, oferta e meshkujve liberalë dhe të arsimuar është më e ulët se kërkesa. Charelle Lewis, punonjëse 26-vjeçare e kujdesit shëndetësor në Uashington, ankohet se meshkujt e moshës së saj, kanë një “mendje çunaku”.

Gjetja e një partnereje mund të jetë e vështirë edhe për burrat që nuk kanë shkuar në universitet. Gratë e mbajtura dhe të diplomuara i përbuzin ata. Michal Pazura, fermer i ri polak, kujton një të dashur së cilës “nuk i pëlqente era e fermës” dhe e braktisi atë për të jetuar në qytet.

“Unë doja një mënyrë jetese tradicionale dhe të qëndrueshme. Ajo donte argëtim”. Fermerët meshkuj e kanë aq të vështirë të gjejnë një bashkëshorte, sa që është krijuar një “reality show” me titull “Fermeri kërkon një grua” dhe është bërë nga më popullorët në televizionin polak.

“Është e vështirë të thuash se çfarë duan të rejat në një burrë këto ditë”, thotë zjarrfikësi polak Lukasz. Më parë, ato thjesht donin një burrë me “të ardhura të qëndrueshme, i cili mund të ndreqte gjëra në shtëpi… dhe që kishte një patentë”, kujton ai.

A do të ndikojë ky hendek në pikëpamje në çiftimin dhe lindjen e fëmijëve? Është shumë herët për ta ditur. Por për ata që mendojnë se shkalla e rënies së lindjeve në vendet e pasura është një problem, shenjat e hershme janë shkurajuese.

Në Amerikë, Daniel Cox, Kelsey Eyre Hammond dhe Kyle Grey nga Qendra e Anketimit për Jetën Amerikane zbulojnë se personat e “brezit Z” (ata që kanë lindur midis fundit të viteve 1990 dhe fillimit të viteve 2000) e kanë lidhjen e parë romantike disa vite më vonë sesa personat e “brezit Millennial” (të lindur midis vitit 1980 dhe fundit të viteve 1990), ose personat e “brezit X” (të lindur në dekadën deri në vitin 1980), dhe kanë më shumë gjasa që të ndihen të vetmuar.

Gjithashtu, femrat e “brezit Z”, kanë më shumë gjasa se bashkëmoshatarët meshkuj që ta përshkruajnë veten si LGBT (31% në krahasim me 16%). Mbetet për t’u parë nëse kjo mospërputhje do të zgjasë dhe nëse po, si do të ndikojë në formimin e familjeve në të ardhmen.

Reagimi kundër feminizmit mund të jetë veçanërisht i fortë mes meshkujve të rinj, për shkak se ata ndihen më të kërcënuar nga përparimi i grave. Punët më të mira për gratë nuk duhet të nënkuptojnë punë më të këqija për burrat, por shumë burra mendojnë se fuqizimi i grave është kërcënim për ta. Burrat më të mëdhenj në moshë, shqetësohen më pak, pasi kanë tashmë karriera të pjekura ose kanë dalë në pension.

Ndërsa burrat e rinj sapo kanë filluar rrugën e karrierës dhe “kanë më shumë gjasa që ta perceptojnë konkurrencën e grave si një kërcënim për jetën e tyre të ardhshme”, argumentojnë Dr. Off, Dr. Charron dhe Dr. Alexander.

Në një studim të kohëve të fundit, ata zbuluan se meshkujt e rinj europianë kanë më shumë gjasa të inatosen me gratë (dhe të mendojnë se feminizmi ka shkuar shumë larg), nëse papunësia është rritur së fundmi në zonën e tyre dhe nëse i perceptojnë institucionet e shoqërisë si të padrejta.

Dilema

Jo të gjitha ankesat e meshkujve janë të pabaza. Në disa shtete, gjykatat e divorcit kanë prirjen që të mbajnë anën e nënave në mosmarrëveshjet për kujdestarinë e fëmijëve. Në vende të tjera, rregullat e pensionit janë të njëanshme.

Burrat hyjnë në tregun e punës më herët dhe vdesin në moshë më të re, por mosha e daljes në pension për gratë në shtetet e pasura është mesatarisht pak më e ulët. Në Poloni, është pesë vjet më e ulët, kështu që një burrë polak mund të punojë tri herë më shumë sesa do të jetojë pas daljes në pension, ndërsa për një grua polake, ky raport është 1.4, vëren Michał Gulczyński nga Universiteti Bocconi.

Kjo u duket e padrejtë shumë burrave. Zjarrfikësi polak Mateusz thotë se kur një ligjvënëse të krahut të majtë e kishin pyetur nëse do të përfshinte barazimin e moshës së pensionit në luftën për të drejtat e barabarta, “ajo e ndryshoi temën”, shfryn ai me inat.

Një problem tjetër që shqetëson veçanërisht meshkujt e rinj, është rekrutimi në ushtri. Ata janë të parët që thirren në detyrë dhe gratë shpesh përjashtohen. Në Korenë e Jugut, ku shërbimi ushtarak është i përbotshëm për burrat dhe shumë rraskapitës, ai nxit zemërimin e meshkujve.

Në Europë, rekrutimi nuk është i zakonshëm, por pushtimi i Ukrainës nga Rusia i ka bërë të rinjtë në vendet fqinje, si Polonia, që të frikësohen se mund të rekrutohen, thotë Gulczyński.

Media sociale, thjerrëza përmes së cilës shumë të rinj shohin botën, mund ta ketë rënduar ndarjen gjinore. Së pari, rrjetet sociale mundësojnë që njerëzit të formojnë grupet e veta të ndara.

Problemi me këtë është se kur grupe homogjene njerëzish me të njëjtin mendim bisedojnë për një çështje, ata kanë prirjen që të bëhen më të skajshëm, pasi individët garojnë për pranim duke e ripërcaktuar pozicionin e grupit në terma gjithnjë e më të skajshëm, dhe duke denoncuar ata që i kundërshtojnë.

Kur grupe meshkujsh të rinj të zemëruar, lidhen së bashku në internet, biseda shpesh kthehet në maskiliste. Në grupet e bisedave online të mbizotëruara nga meshkujt kinezë, është e zakonshme shprehja “kurvë feministe”, dhe shprehje të tjera më agresive.

Sapo një burrë u bashkohet një grupi burrash të frustruar në internet, trysnia për të qëndruar në grup është shumë e fortë. Benjamin, student në Uashington, thotë se më parë ai ishte një djalë i stresuar që kishte “gëlltitur pilulën e kuqe… punonte si roje, hante gjithë ditën McDonalds dhe zhytej në keqardhje për veten”.

Gjithashtu shihte video në internet nga burra të tjerë, që e mësonin si të rriste vetëbesimin dhe të tërhiqte gratë. Kur u largua nga “manosfera”, miqtë e tij e sulmuan duke e quajtur “burracak i dobët”.

Së dyti, algoritmet online u tregojnë përdoruesve përmbajtje që të frikëson ose të zemëron, duke e bërë botën të duket edhe më e frikshme dhe më e padrejtë nga sa është në të vërtetë.

Gratë që klikojnë në rrëfimet #MeToo të femrave që kanë vuajtur përdhunime dhe ngacmime seksuale, do të shohin më shumë të tilla në të ardhmen; e njëjta gjë edhe për burrat që klikojnë në histori të burrave që janë akuzuar në mënyrë të rreme për përdhunim. Secili mund të krijojë një ide të fryrë të rreziqeve me të cilat përballet personalisht.

“Kur shkon në një palestër për t’u ushtruar dhe ke një grua përpara, po e vështrove atë, befas do të përfundosh në TikTok si ngacmues seksual apo ndonjë gjë e tillë”, pretendon Kahlil Rose, një burrë konservator 28-vjeçar në Atlanta. Ama kjo nuk i ka ndodhur askujt që ai njeh.

Por e ka lexuar në internet, kështu që i duket një problem madhor. Benjamin, studenti në Uashington që përmendëm më lart, ka një këndvështrim të ngjashëm të zymtë: “Burrat e moshës sime kanë frikë të martohen sepse dëgjojnë një përrallë paralajmëruese: gruaja të tradhton, bën kërkesë për divorc dhe pastaj të merr gjithçka për të cilën ke punuar”.

Ndërsa gratë shohin një botë krejt ndryshe në internet. Julia Kozik, studente në Varshavë, ndjek një këshillë që ka parë në TikTok. Kur hipën në një taksi, ajo këput një fije floku dhe e vendos nën sedilje në rast se rrëmbehet dhe policia ka nevojë për prova ADN-je. “Unë në përgjithësi i shmang meshkujt me çdo kusht”, thotë ajo.

E majta politike i ka bindur me sukses gratë se kujdeset për problemet e tyre. Por nuk ka gjetur mënyrën si të flasë me burrat, argumenton Richard Reeves, studiues liberal. Progresistët shpesh hamendësojnë “se pabarazia gjinore mund të shkojë vetëm në një drejtim, domethënë në dëm të grave”.

Dhe ata përdorin terma si “sjellje mashkullore toksike” aq gjerësisht, sa që të krijohet përshtypja se mendojnë se ka diçka të gabuar në të qenët mashkull.

Kjo sjellje, në vend që t’i nxisë djemtë dhe burrat e papjekur në një dialog për sjelljen e tyre, “ka më shumë gjasa që t’i dërgojë në manosferën online, ku do të sigurohen nga të tjerët se nuk kanë bërë asgjë të keqe dhe se gjithë fajin e kanë gratë”.

Hendeku midis gjinive në Amerikë

Disa politikanë të djathtë kanë gjetur mënyra për t’u lidhur me meshkujt e frustruar. Donald Trump është një shembull i qartë. Ai kultivon “një imazh të burrërisë dhe pjellorisë”, argumenton zoti Cox nga Qendra e Anketimit për Jetën Amerikane.

Ai ka prirjen që “të mbajë anën e burrave në konfliktet kulturore”. Në vitin 2018, Trump u ankua për barrën e provës në rastet e përdhunimeve dhe sulmeve seksuale: “Është një kohë shumë e frikshme për meshkujt e rinj në Amerikë, ku mund të jesh fajtor për diçka për të cilën mund të mos jesh fajtor…

Kjo është një nga gjërat shumë të këqija që po ndodh tani”. Progresistët mund ta hedhin poshtë këtë si një sulm me interes egoist të një abuzuesi serial. Por ka arsye për të besuar se sjellja maço e zotit Trump “mund t’u duket tërheqëse meshkujve të rinj”, thotë zoti Cox.

E vërteta është se asnjëra palë nuk ka bërë hapa të mirë në trajtimin e problemeve themelore që po i ndajnë të rinjtë dhe të rejat. Politikanët mund të përqendrohen më shumë për t’i nxitur shkollat që të ndihmojnë djemtë me rezultate të dobëta.

Zoti Reeves këshillon si një zgjidhje të mundshme punësimin e më shumë mësuesve meshkuj dhe që djemtë të fillojnë shkollën një vit më vonë, duke qenë se ata piqen më ngadalë se vajzat.

Gjithashtu, duke qenë se “ndarja e tregut të punës ka qenë pothuajse tërësisht e njëanshme”, shteti mund të forcojë trajnimin profesional për të përgatitur meshkujt e rinj për profesione që ata zakonisht i shmangin, si ato që përfshijnë shëndetin, arsimin ose detyrat administrative. Nëse reforma të tilla ndihmojnë më shumë djem dhe burra të përshtaten me një botë në ndryshim, kjo do të ishte përfituese si për burrat dhe për gratë.

(Monitor.al)