“The Guardian”: “Sulmi në afërsi të kufirit me Poloninë, mesazh për NATO-n

Londër, 14 mars 2022 – Sulmi me raketa ndaj bazës ushtarake ukrainase në Javoriv, jo larg qytetit të Lvivit, ka shkaktuar shqetësim në Perëndim.

Kjo bazë ndodhet vetëm 20 kilometra nga kufiri me Poloninë, e cila është anëtarë e NATO-s, prandaj ekspertët mendojnë se sulmi është një mesazh i Moskës për NATO-n dhe për Perëndimin.

Gazeta autoritative britanike “The Guardian” shkruan se baza ushtarake në Javoriv, ku instrukturët e NATO-s i kanë trajnuar ushtarët ukrainas shumë kohë përpara agresionit rus, gjendet shumë afër aeroportit “Zheshov” në Poloni, nëpërmjet të cilit Ukraina është furnizuar me armë nga Perëndimi.

Sipas “The Guardian”, përmes bombardimit të bazës ushtarake në Javoriv, Kremlini ka dashur të thotë se trupat ruse mund të bombardojnë edhe objektiva në pjesën perëndimore të Ukrainës dhe se nuk brengoset fare nëse në objektet e bombarduara mund të ketë instruktorë amerikanë apo vullnetarë të huaj.

Një ditë më parë zëvendës ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Rjabkov, kishte thënë se ushtria ruse i konsideron “shënjestra legjitime” dërgesat e armëve të NATO-s për Ukrainën.

Polonia e ka cilësuar si provokim ndaj saj dhe ndaj NATO-s bombardimin e bazës ushtarake në afërsi të kufirit të saj.

“Rusia e ka ditur se kjo bazë ushtarake gjendet shumë afër kufirit me Poloninë”, ka shtuar ai.

“Natyrisht, rusët kanë ditur çka po sulmojnë dhe kanë dashur të kërcënojnë edhe NATO-n. Kanë dashur t’ia përcjellin NATO-s një mesazh kërcënues”, ka thënë ai.

Por, “The Guardian” paralajmëron se sulmet e Rusisë ndaj objektivave në afërsi të kufirit me zonën e NATO-s mund të nxisin reagimin e NATO-s. Gazeta kujton se Amerika dhe aleatët e saj kanë ndërmarrë masa shtesë për forcimin e sistemit mbrojtës të Polonisë.

Nënpresidentja e SHBA-së, Kamala Haris, në fund të javës që shkoi, bëri të ditur se dy sisteme raketore “Patriot” janë dërguar në Poloni dhe janë vendosur pikërisht pranë aeroportit ushtarak “Zheshov”.

Ndërkaq, burime ushtarake britanike kanë thënë se pranë tyre mund të stacionohet edhe sistemi “Sky Cyber” me rreze të mesme veprimi.

Rumania, një vend tjetër i NATO-s që kufizohet me Ukrainën, tashmë e ka sistemin e saj mbrojtës “Patriot”, ndërsa  Gjermania dhe Holanda kanë thënë se një pjesë të sistemeve të tyre mbrojtëse mund ta zhvendosin në Sllovaki, një shtet tjetër i NATO-s në kufi me Ukrainën.

Analistët ushtarakë thonë se Rusia do të vazhdojë përpjekjet për ndërprerjen e rrugëve të furnizimit të Ukrainës me armë. Por, “The Guardian” thotë se kjo është gjë e pamundur, sepse  kufiri polako-ukrainas është i gjatë afër 500 kilometra.

“Nuk është e mundur që me sulme ajrore periodike të ndërpritet ose të ndalohet furnizimi me armë, sepse bëhet fjalë për një territor shumë të madh. Kjo është e mundur vetëm në hapësira ku dominojnë forcat ruse. E trupat ruse të këmbësorisë tash për tash janë  të fokusuara në Kijev, në lindje, larg nga Lvivi dhe nga kufijtë perëndimorë të Ukrainës?, thekson “Guardian”.

Baza ushtarake që u bombardua nga Rusia konsiderohet si pikë me rëndësi strategjike si për Perëndimin ashtu edhe për Rusinë.

Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Alexy Reznikov, ka thënë se në këtë ndërtesën e Qendrës për Paqe e Siguri në Javoriv punojnë edhe instruktorë ushtarakë të huaj, por tash për tash nuk dihet nëse në momentin e bombardimit ka pësuar ndonjëri prej tyre.

Por, sipas zëdhënësit të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, Igor Konashenkov, në këtë sulm janë vrarë rreth 180 “mercenarë të huaj” dhe është shkatërruar “një sasi e konsiderueshme e armatimit të sofistikuar” të Perëndimit.

Qendra për Paqe e Siguri në Javoriv, 20 kilometra nga kufiri me Poloninë, është bombarduar të dielën në mëngjes me mbi  30 raketa.

(r.m.)