Berlin, 29 shtator 2023 – Raportuesi për Kosovën në Bundestagun gjerman, udhëheqës i grupit parlamentar të FDP-së, Thomas Hacker, ka thënë se udhëheqësi i grupit terrorist serb që e sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të ekstradohet në Kosovë dhe të nxirret para drejtësisë. Ndërkaq nga Bashkimi Evropian kërkoi të vendosë sanksione ndaj tij.
“Deklarimi i Milan Radoiçiqit jep më shumë qartësi për ata që qendrojnë pas grupit kriminal që janë bashkë-përgjegjës për vrasjen e policit kosovar. Milan Radoiçiq duhet të mbajë përgjegjësi para ligjit për këtë akt të neveritshëm dhe të pajustifikueshëm. Nëse ai ndodhet në Beograd dhe aty merr mbrojtje, është i nevojshëm ekstradimi në Republikën e Kosovës. BE-ja duhet të vijojë me konsekuenca dhe të vendosë sanksione kundër tij”, shkruan Hacker në një deklaratë të publikuar të premten në mbrëmje.
Milan Radoiçiq pranoi të premten se ai e udhëhoqi grupin terrorist serb në përleshjen e armatosurr me Policinë e Kosovës në Banjskë të komunës së Zveçanit, në pjesën veriore të Kosovës.
Ai tha se kishte ardhur në Kosovë, siç u shpreh, “për të inkurajuar serbët të bëjnë rezistencë kundër regjimit terrorist të Kurtit”.
“Unë personalisht e kam përgatitur logjistikën për mbrojtjen e serbëve”, tha ai, në një letër që e publikoi para gazetarëve në Beograd avokati i tij.
Radoiçiq u përpoq të shfajësonte autoritetet e Serbisë, duke thënë se këtë akt e ka kryer krye më vete.
Milan Radoiçiq është person në kërkim nga organet e drejtësisë në Kosovë. Në SHBA ai është futur në listen e personave ‘non grata’, si udhëheqës i grupit të organizuar kriminal.
Prej se është shpallur person në kërkim nga Kosova, Radoiçiq jeton dhe vepron në Serbi, ku gëzon mbrojtje dhe mbështetje shtetërore.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në disa raste e ka mbrojtur publikisht, duke e cilësuar serb të ndershëm dhe patriot.
(r.m.)