Çikago, 22 gusht 2024 – Guvernatori i Minesotës, Tim Walz pranoi emërimin e partisë së tij për nënpresident në ditën e tretë të Kuvendit Kombëtar Demokrat.
Punimet e ditës së tretë të Kongresit Kombëtar të Partisë Demokrate në Çikago u hapën nga senatori nga Nju Xhersi, Cory Booker.
“Mirësevini në natën e tretë e cila i kushtohet lirisë”, tha ai.
Ndërsa disa nga folësit u përqëndruan tek çështje si e drejta riprodhuese, mjedisi dhe siguria e kufirit, mesazhi i shumë të tjerëve e vuri theksin tek dallimet mes alternativave që do të jenë para votuesve në zgjedhjet e nëntorit.
“Kamala Harris për popullin… dhe ai tjetri, që po e dëshmon përsëri, më fortë se më parë, se do t’ia dijë vetëm për veten”, tha ish-Presidenti Bill Clinton.
Ai ishte një nga folësit kryesor të mbrëmjes. Zoti Clinton ka marrë pjesë në çdo kuvend të partisë që nga viti 1972. Nisur nga përvoja e tij në Shtëpinë e Bardhë, ai shpjegoi arsyet pse beson se Nënpresidentja Harris është zgjedhja e duhur për presidente.
“Kamala Harris do të punojë për të zgjidhur problemet tona, për të na krijuar më shumë mundësi, për të na lehtësuar frikën dhe do të punojë, që çdo amerikan, pavarësisht se për kë voton, të ketë mundësi të ndjekë ëndrrat e tij”, tha ai.
Momenti kyç për demokratet ishte ngjitja në skenë e Guvernatorit të Minesotës, Tim Walz, i cili pranoi emërimin e partisë si kandidat për nënpresident.
“Është nderi i jetës sime të pranoj emërimin tuaj për nënpresident të Shteteve të Bashkuara”, tha zoti Walz.
Për shumë të pranishëm, ose për ata që e ndoqën nga televizori, fjalimi i zotit Walz ishte si prezantim para votuesve.
“Jam rritur në Butte të Nebraskës, një qytet me 400 banorë. Ishim 24 fëmijë në klasë, në shkollën e mesme dhe asnjëri prej nesh nuk shkoi në Universitetin Yale. Por mund t’ju them, se jeta në një qytet të vogël, të mëson si të kujdesesh për të tjerët”, tha ai.
Zoti Walz, një veteran i ushtrisë, ish-mësues dhe trajner futbolli dhe basketbolli në shkollën e mesme, theksoi se si këto pjesë të biografisë së tij e ka përgatitur për një karrierë në politikë.
“Ishin ata lojtarë dhe studentët e mi që më frymëzuan të garoj për në Kongres. Ata panë tek unë atë që shpresoja të ushqeja tek ata, përkushtimin për të mirën e përbashkët, të kuptuarit se jemi një dhe se besojmë se edhe një person i vetëm mund të sjellë ndryshime për fqinjët e tij”, tha ai.
Zoti Walz foli edhe temën kryesore të mbrëmjes, lirinë.
“Kur ne demokratët flasim për lirinë, nënkuptojmë lirinë për të bërë jetë më të mirë për veten tuaj dhe njerëzit që doni. Lirinë për të marrë vendimet tuaja për kujdesin shëndetësor dhe lirinë e fëmijëve tuaj për të shkuar në shkollë, pa u frikësuar, se mos qëllohen për vdekje”, tha ai.
Demokratët e mbyllin kuvendin sonte në mbrëmje me momentin kryesor: fjalimin e kandidates së partisë për presidente, Kamala Harris.
(Zëri i Amerikës)