Një grua e arratisur nga lufta e Kosovës dhe një yll i muzikës pop, të dy shqiptare, të dy në kopertinën e prestigjiozes Time Magazine me një diferencë prej 25 vjetësh – ky është tregimi i dy grave që kanë shkruar histori.
Në prillin e vitit 1999, e shënjestruar nga objektivi i fotografit, Sherife Luta u bë ikonë e rezistencës dhe e dhimbjes njerëzore. Fotografia e saj, në të cilën ajo shfaqet duke ikur nga lufta, u bë një nga imazhet më të fuqishme në Kosovë. Ajo nuk ishte vetëm një fytyrë në turmën e refugjatëve – ajo u bë fytyra e të gjithë atyre që lënë pas jetën, shtëpinë dhe të ardhmen në kërkim të sigurisë.
Kjo grua shqiptare që iu desh të largohej nga zjarri i luftës, të kapërcente malet me vajzën në krah, udhëtoi drejt të panjohurës, duke u bërë ikona e një kohe plumash.
Prill, 2024, Time Magazine përsëri e ka vëmendjen te një grua shqiptare. Kësaj here është Dua Lipa, këngëtarja me famë botërore që ka pushtuar skenat e muzikës dhe zemrat e dëgjuesve. Në një intervistë ekskluzive, Dua ndan rrugëtimin që e solli atë nga ëndrrat e fëmijërisë, deri te sfidat dhe triumfet e saj si një artiste me ndikim të madh global.
E rritur në një familje shqiptare që ka përjetuar vetë sfidat e refugjatëve, Dua shprehet me pasion për rrënjët e saj dhe për dëshirën e të rinjve në Kosovë për të eksploruar botën. Ajo thekson rëndësinë e lirisë së lëvizjes dhe të mundësisë për të krijuar lidhje dhe përshtypje të reja, për një vend, që shpesh është perceptuar nëpërmjet këndvështrimit të konfliktit.
Përmes përkushtimit të saj të palëkundur për të ndryshuar narrativën dhe për të nxjerrë në pah potencialin dhe bukurinë e Kosovës, Dua ka bërë më shumë se thjesht të sjellë muzikë të mirë në botë – ajo ka sjellë shpresë dhe frymëzim.
Dy kopertina të Time Magazine, dy histori krejtësisht të ndryshme, por ato bashkohen në frymën e fortë shqiptare që i karakterizon. Nëpërmjet luftës dhe paqes, nëpërmjet dhimbjes dhe suksesit, këto gra kanë treguar se përtej sfidave, identiteti shqiptar mbetet i pandarë dhe i fuqishëm. Sherife Luta dhe Dua Lipa janë dëshmi e asaj që njeriu mund të përballet dhe të lulëzojë, pa harruar kurrë prej nga vjen.