Nga Entela Sula Prifti
BOSTON – Tingujt e pianos kishin zënë vend në hapsirën kumbuese të sallës. Ishte një prej këngëve të tij më të njohura të Festivalit të Fundvitit të cilës ai po i shkundte pluhurin e harresës mes gishtave që vallëzonin në tastierë. Teksa i drejtohesha vendit ku ishte ulur aty pranë pianos, tingujve i bashkëngjita zërin tim. Ishte e vështirë ti rezistoje muzikës që kishte pushtuar sallën. Ktheu kokën dhe më buzëqeshi pa e shkëputur vëmendjen nga vija e melodisë. Isha vetëm 16 vjeç kur për herë të parë dëgjova emrin e kompozitorit Valentin Veizi. Njësoj sa vajza e ëmbël me kostumin e bardhë që këngëve të tij do tu jepte një trofe duke rrëmbyer dy herë rradhazi vendin e parë në Festival. Nuk ishim takuar kurrë më parë personalisht, as atëherë kur të dy frekuentonim të njëjtat aktivitete për shkak të qasjes së ngjashme në besimin tonë religjoz. Kush do e kish menduar që këtë takim fati e kishte rezervuar larg Tiranës tonë, aty ne katin e parë të shtëpisë së tij në një prej qyteteve të vogla të Bostonit. Takimi i parë me Valentinin më kishte krijuar emocione që vinin nga kurioziteti dhe padija si të sillesha përpara një artisti me përmasa të tilla. Për fat të keq apo të mirë emocionet e takimit të parë i thyen telefonatat e shpeshta të cilat erdhën si pasojë e vonesës time. Kisha ngatërruar adresë dhe pas vërdallisjesh të gjata, ai me pret tek dera me një buzëqeshje miqësore a thua kishim vite që njiheshim. Më ftoi në studion e tij. Tek hidhja vështrimin në atë dhomë të bardhë çdo faqe muri sillte tek unë copëza festivalesh apo dhe emra artistësh që kanë bërë historin e muzikës shqiptare. Gjeje aty dhe copëza shqipërie përmes suvenireve që i thyenin bardhësin dhomës. Pak më tutje varur në kornizë qëndronin disa faqe gazete. Të zverdhura ato revokonin kohën. Ishte një intervistë e shumë viteve më parë ku përmes rrjeshtave e fotove familja Veizi tregonte historin e saj të emigrimit. Ishte një histori e ngjashme me atë të milionave të tjerë në Amerikë me ndryshimin që vula e suksesit e ka ndjekur atë edhe në atdheun e ri. Ai zuri vend pranë pianos madhështore ndërsa unë pyesja veten në sa e sa netë dhe krijime ata të dy kanë qenë të pandarë nga njëri tjetri. Ishte pikërisht ky intstrument që më kishte bërë të udhëtoja disa kilometra për ta takuar. Kisha mësuar vetëm prej pak kohësh që kompozitori jetonte në Boston. Isha në kërkim të një mësuesi për time bijë që kishte filluar ndërkaq të merrte mësimet e para në piano. Dukej se ylli fatit po shndrinte fort, jo vetëm për Emmën, por edhe për mua që të njihja nga afër një ndër kompozitorët më të mirë shqiptarë…
Ftesës për t’i bërë Valentin Veizit një intervistë ndryshe live, përpara një audience të gjerë i thash po pa u menduar dy herë. Ishte privilegj por edhe përgjegjësi. Peshën e kësaj të dytës fillova ta kuptoj vetëm kur vala e ngazëllimit për një intervistë të tillë filloi të ulej me këmbë në tokë. Ai njihet si njeri strikt dhe me shumë kërkesa deri në perfeksion, çka diktonte edhe kurimin e këtij aktiviteti nga ana e organizatorëve. “Një jete me muzikë” do të ishte nje rrëfim i gjatë i kompozitorit që nga fëmijëria deri në ditët e sotme aty në studion e tij. Artdashësit shqiptarë të bostonit kishin mbushur sallën e kishës ku jo pa qëllim ishte vendosur të zhvillohej intervista, pasi besimi në Zot do të ndikonte jo pak në krijmtarin e kompozitorit ndër vite. I lexoheshin emocionet në fytyre dhe lëvizjen e duarve tek shihte që salla mbushej plot. I kishte të rralla intervistat, ndaj nuk ishte çudi të shihje aq shumë shqiptarë të bërë bashkë për ta dëgjuar me kureshtje. Unë isha po aq e emocionuar sa ai tek minutat afronin për të çelur aktivitetin. Kisha më shumë se një dekadë që nuk përjetoja atë komunikim të drejtepërdrejt më publikun ndaj emocionet rriteshin dyfish. Bashkëbisedimi do të niste rrugëtimin e tij që në vitet e para të fëmijërisë aty në qytetin e lindjes Kuçovë, për të vazhduar tek pasioni për pianon, çmimet e para në festivalet e fundvitit, njohja me bashkëshorten, emigrimi në Amerikë e deri tek projektet e tij të momentit për të cilat ai nuk foli shumë duke i ruajtur ato si një surprize të bukur për publikun.
Rrëfimi i Valentinit do të bëhej më emocionues kur herë pas here do të gërshetonte fjalët me tingujt. Së bashku me publikun ai do të këndonte disa prej këngëve më të njohura të krijuara prej tij duke na bërë padashje nostalgjik për të shkuarën dhe Shqipërinë që kishim lënë pas. Sukseset e tij me këngëtaren Elsa Lila më ngacmonin sedrën profesionale për të bërë një pyetje jashtë skenarit. Gjatë gjithë bashkëbisedimit kisha kuriozitet të dija nëse ata të dy do të kishin një bashkëpunim të rradhës për të kapur pse jo një tjetër trofe. “Jo” mu përgjigj me buzëqeshje. “Pasi të tjera projekte kanë zënë vend në tavolinën time të punës.” Kompozitori Valentin Veizi është duke punuar aktualisht për muzikën e filmit “Tropoja” me producent Ermal Mamaqin, që pritet të dalë së shpejti në kinematë shqiptare. Gjithashtu ai po punon edhe për një musikal që shfaqet shfaqet në skenat më të njohura të teatrove amerikanë. Edhe pse kërkova të mësoja më shumë për të dy projektet e tij, Valentini ishte diskret dhe nuk dëshironte të ndante shumë detaje pasi puna e tij krijuese ende nuk kishte përfunduar. Bashkëbisedimi me kompozitorin ishte vërtet interesant. Ai nuk ishte linear, por plot ngjyra njësoj si tingujt që luheshin në piano. Gjeje aty humorin, dhimbjen, suksesin, mallin, krenarinë, punën e palodhur të një njeriu që ka lënë një gjurmë të jashtëzakonshme në historin e muzikologjisë shqiptare. Por në këtë frekuencë përjetimesh vëmëndjen time do ta tërhiqte pyetja se “cili nxënës ka lënë më shumë gjurmë në jetën profesionale të kompozitorit.” Valentini u emocionua edhe njëherë. Nuk e kishte të rrufeshme përgjigjen, mori kohë dhe u mendua. “Në gjithë këto vite të karrierës sime është e vështirë ti ndaj dhe të zgjedh më të mirin. Dy prej tyre i kam edhe sot në sallë dhe shumë prej tyre kanë pushtuar skenat e botës. Por nëse do të më duhej të zgjidhja një, padyshim ai është im bir, Erli…” Përgjigja e tij u duartrokit gjatë madje disa lëshuan edhe pasthirrma habije e ngazëllimi. Pak kush e dinte se pasionin e tij për pianon dhe kompozicionin Valentini e ka trashëguar edhe tek i biri i cili sot është një prej pianistëve më të mirë në shtetin e Filadelfias. Salla u mbush sërisht me tinguj e ëmbël të pianos, ku një artist si ai di ti përçojë në çdo të pranishëm. Këtë herë së bashku me Valentinin do të këndonte edhe publiku. Mes tyre në rrjeshtat e parë dikush e shoqëron në çdo varg, pa humbur ritmin apo qoftë edhe një fjalë. Është bashkëshortja e tij, aktoria e humorit Pranvera Veizi. Duket se vitet për Pranverën kishin qëndruar në vend që prej herës së fundit që e kisha parë në ekran. Hera herës shkëmbenin shikime, buzëqeshje por edhe batuta që i rrinin aq bukur një çifti artistësh. Ai u përkul me mirënjohje përpara artdashësve, pasi tingujt e fundit i la në tastierën bardh e zi. Duartrokitjet përcillnin të njëjtën dashuri që ai kishte marrë për vite më rradhë në skenat shqiptare. Një buqetë lulesh dhe një souvenir i mbushën krahët teksa pas shpinës së tij dritat e skenës shuheshin një e nga një. U perqafuam! Ia kishim dalë më së miri ti dhuronim publikut dhe vetes një kujtim nga ato që do të mbahen mend gjatë, një mbremje artistike në zemër të Bostonit.