Shkup, 23 qershor 2021 – Në Shkup u mbajt një forum ekonomik i organizuar nga Instituti grek “Delphi”. Kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Zoran Zaev, shprehën zhgënjimin e tyre për mosmarrjen e një date nga Këshilli Evropian, për fillimin e bisedimeve me BE-në. Por, ata thanë se dy vendet nuk kanë alternativë tjetër përveçse të presin hapjen e bisedimeve për integrim evropian, teksa vazhdojnë me reformat për të mirën e qytetarëve dhe të vendeve të tyre.
Forumi ekonomik në Shkup vuri në dukje shqetësimet jo vetëm të autoriteve shqiptare dhe maqedonase, por dhe të një pjese të ambasadorëve perëndimorë, pas dështimit të Brukselit për të përcaktuar një datë për fillimin e bisedimeve me Tiranën dhe Shkupin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kryeministri Edi Rama, theksoi në këtë forum dëshpërimin lidhur me takimin e djeshëm të Bashkimit Evropian, ndërsa tha se BE-ja ka problemin brenda vetes kur nuk arriti ta heq bllokadën e një vendi anëtar (Bullgarisë) ndaj dy vendeve aspirante.
“Duhet të presim, por nuk do të mbështetemi vetëm tek ajo çka do të thotë Brukseli, por edhe tek populli ynë dhe energjitë tona”, tha Kryeministri Rama.
“Çfarëdo që ndodh në Bruksel, ne jemi shumë të vendosur që të vazhdojmë me të gjitha forcat ta rrisim ekonominë, mirëqenien, krenarinë dhe forcën e dinjitetit të popujve tanë”, theksoi zoti Rama duke shtuar se “kush ngatërron Shengenin rajonal, pra zbatimin e katër lirive të BE-së me një alternativë të vetë Bashkimit Evropian, ose nuk kupton, ose nuk do të kuptojë! Sepse është absurde të mendosh që duke qenë se ne të gjithë duam të jemi pjesë e BE-së do të rrinim me kurriz nga njëri tjetri këtu në rajon”, tha zoti Rama.
Kryeministri Zoran Zaev u shpreh se: “Ne jemi Evropë, pa marrë parasysh a hiqen ose jo bllokadat”.
“Idea vizionare e madhe evropiane sot ka problem. Brukseli na dërgoi porosi se BE-ja nuk arrin të gjejë mënyrën për të siguruar integrimin e merituar të Ballkanit Perëndimor”, tha kryeministri maqedonas.
Autoritetet qeveritare në Shkup tani theksojnë nevojën e thellimit të bashkëpunimit me SHBA dhe partneritetin strategjik me Uashingtonin të arritur qysh në vitin 2008, për çka folën Ministri i jashtëm, Bujar Osmani dhe Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov në forum, por që e ka ritheksuar edhe presidenti, Stevo Pendarovski.
Ambasadorja amerikane Kate Mary Byrnes tha se vizioni për një Evropë të plotë në paqe dhe zotimi amerikan për të parë rajonin e integruar në institucionet euro-atlantike – nuk ka ndryshuar; “kjo kërkon investime të reja por dhe reforma”, tha ambasadorja duke theksuar nga ana tjetër luftën kundër korrupsionit dhe ngritjen e institucioneve demokratike, për çka Departamenti i Shtetit lëshoi një urdhër ekzekutiv para disa ditësh.
Pjesëmarrësit në forum folën edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe lidhjet infrastruktutore energjetike midis tyre.
(Isak Ramadani, Zëri i Amerikës)