Tiranë, 12 maj 2023 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është kundërpërgjigjur homologut të tij grek, Kyriakos Mitsotakis, pas reagimit për arrestimin e kandidatit të opozitës në Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri.
Rama, në një poostim në Twitter, shkruan se prokuroria duhet të ketë prova se Beleri e ka shkelur ligjin.
“Ndalimi i kandidatit të opozitës për Himarën F.Beleri me urdhër të prokurorisë, përbën një sprovë të madhe për drejtësinë në vigjilje të zgjedhjeve, që do të thotë se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar”, ka shkruar Rama.
Ai u ka bërë thirrje autoriteteve greke që të mos nxitohen të japin konkluzione politike
“Beteja jonë me atë kandidat nuk ka asnjë lidhje me hetimet apo përfundimet e prokurorisë, prandaj duke respektuar pavarësinë e plotë të organeve të drejtësisë, i bëj thirrje të gjithëve të mos nxitohen me konkluzione politike po të presin me durim fjalën dhe provat drejtësisë”, ka shtuar ai.
Ndalimi i kandidatit të opozitës për Himarën F.Beleri me urdhër të prokurorisë përbën një sprovë të madhe për drejtësinë në vigjilje të zgjedhjeve, që do të thotë se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar!
— Edi Rama (@ediramaal) May 12, 2023
Edhe ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, i është përgjigjur homologut tësaj grek, Nikos Dendias.
“Me respekt i nxisim miqtë tanë në Athinë që të monitorojnë nga afër zhvillimin e çështjes, me durim, duke lejuar drejtësinë shqiptare të bëjë punën e saj pa presione të jashtme apo mesazhe përçarëse. Është mirë të mbajmë të informuar Brukselin, por duhet të presim edhe shfaqjen e fakteve”, ka shkruar Xhaçka në Twitter.
“Blerja e votës është një shkelje e rëndë në legjislacionin tonë dhe të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit kanë prioritet luftimin e saj gjatë kohës së zgjedhjeve. Kjo vlen për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, përfshirë vëllezërit dhe motrat e minoritetit grek që marrin pjesë në zgjedhjet tona “, është shprehur ajo.
1/3 Vote buying is a grave offense in our legislation, and our law enforcement agencies prioritize combating it during election time. This applies to all citizens of the Republic of Albania, including our Greek minority brothers and sisters participating in our elections.
— Olta Xhaçka (@xhacka_olta) May 12, 2023
“Kandidatura e shtetasit shqiptar, Alfred Beleri që kandidon për zgjedhje nga bashkëqytetarët e tij, nuk kërkon ndonjë trajtim të veçantë. Ai është i barabartë para ligjit si kushdo tjetër. I takon vetëm prokurorëve dhe gjyqtarëve që ta trajtojnë këtë çështje në përputhje me provat”, ka theeksuar ministrja e Jashtme shqiptare, Olta Xhaçka.
Ministria e Jashtme e Greqisë udhëzoi ambasadoren greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi, të kërkojë shpjegime për arrestimin e Belerit. Ambassadorja Kamitsi u prit nga Drejtori i Drejtorisë që i mbulon marrëdhëniet me Greqinë.
(r.m.)