Një raport i ministrisë së Jashtme tregon me shqetësim marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve ne Ballkan. Përveçse pohoi gjendjen e tensionuar të shqiptarëve në shtetin maqedonas, drejtoresha e Drejtorisë Rajonale në ministrinë e Jashtme, Shpresa Kureta thekson probleme agresiviteti edhe mes shqiptarëve në Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës
Aristir Lumezi dhe Denion Ndrenika
Ministria e Jashtme e Shqipërisë raporton se marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve etnikë në vendet e Ballkanit janë agresive ndaj njeri-tjetrit.
Shumë shqetësim përbën marrëdhënia ndërmjet shqiptarëve në shtetin maqedonas.
Kryetarja e Komisionit të Politikës së Jashtme të Kuvendit, deputetja socialiste Arta Dade foli me shqetësim për qëndrimet që deputetët shqiptarë në shtetin maqedonas mbajnë ndaj njëri-tjetrit.
Zonja Dade i bëri komentet në një mbledhje me dyer të mbyllura të komisionit që në dhjetor 2013 kur u paraqit raporti i ministrisë së Jashtme, i siguruar nga gazeta “Illyria” dhe i botuar për çështje të ndryshme në vazhdimësi.
Ish-ministrja e Jashtme, Arta Dade ia parashtroi shqetësimin Drejtoreshës së Drejtorisë Rajonale në ministrinë e Jashtme, Shpresa Kureta, e cila raportonte në komision.
Bashkë me anëtarin e komisionit, deputetin e Partisë Demokratike opozitare, ish-ministër i Jashtëm, Aldo Bumçi, zonja Dade tha se kanë qenë në shtetin maqedonas, me nismën e tyre, por në takimet me ta kanë vërejtur shumë agresivitet.
“Unë do të kërkoja, ku konkretisht mund të luajmë rolin tonë, me zotin Bumçi kemi qenë në Shkup dhe me iniciativën tonë bëmë takime me deputetët atje. Ka një inat të shfaqur në mënyrë agresive edhe në takimet që bëjnë me ne dhe ku është një nga elementët që nuk është në favorin e tyre, nuk diskutohet”-tha kryekomisionerja e Jashtme, Arta Dade.
Ajo shtoi gjithashtu se deri tani nuk është kërkuar prania e diplomatëve, gjë që ndodhi për herë të parë në komision, por tanimë beson se “do të vazhdojmë”.
“Për ne si Komision i Jashtëm i Parlamentit, – tha ish-ministrja Dade, – rajoni është nga drejtimet kryesore të politikës së jashtme. Pa dyshim kontaktet me specialistët e rajonit do t’i kemi më të shpeshta dhe besoj që është në të mirë të dy palëve”.
Ndërkohë, drejtoresha Kureta kërkoi ndihmën e deputetëve për angazhim të tyre në pajtimin dhe kohezionin e faktorit shqiptar në rajon.
Përveçse pohoi gjendjen e tensionuar të shqiptarëve në shtetin maqedonas, kur tha “të gjithë e dimë situatën në Maqedoni, me sfidat që ata kanë që nga çështja e emrit e deri te zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit”, zonja Kureta theksoi probleme agresiviteti edhe në Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës:
“Ka një mungesë kohezioni midis shqiptarëve në Maqedoni, midis shqiptarëve në Preshevë, midis shqiptarëve në Malin e Zi. Me ligjin e ri, për shembull, në Mal të Zi, në rast se do të kishte një listë të përbashkët të faktorit shqiptar, që do të hynte në zgjedhje, nuk do të kishte dy deputetë, por do të kishte katër apo pesë deputetë shqiptarë”.