Tiranë: Autori i vrasjes së tri grave dhe plagosje së tri të tjerave sapo kishte dalë nga burgu

Tiranë, 2 mars 2023 – Tri gra u vranë dhe tri të tjera u plagosën, brenda një harku kohor prej 35 minutash, në tri zona të ndryshme, të mërkurën në Tiranë, nga dora e një njeriu të vetëm. Dan Hutra, i cili u arrestua në mbrëmje, prenoi  autorësinë e vrasjeve dhe nuk shprehu aspak pendesë.

Gjithçka nisi pak pas mesditës, kur autori ka shkuar fillimisht në dyqanin e Marjana Gurakuqit, me të cilën kishte njohje të mëparshme. Pasi kjo e fundit ka refuzuar t’i japë para borxh, ai e ka plagosur atë me thikë. Gruaja nuk ka bërë denoncim në polici, por kanë qenë mjekët e spitalit që kanë bërë njoftimin, pasi ajo ka shkuar për të marrë mjekim për plagët.

Rreth 20 minuta më vonë, Hutra ka shkuar në Kodër Kamzë, në banesën e ish bashkëjetueses së tij, Elena Hysa, me të cilën ndarja kishte qenë problematike. Ai ka qëlluar me breshëri automatiku duke vrarë motrën e Elenës, Mevlute Hysën, 30 vjeçe, dhe të fejuarën e vëllait të Elenës, Hasime Dafkun 30 vjeçe. Vetë Elena, ish-bashkëjetuesja dhe e ëma e saj, Kujtimja, kanë mbetur të plagosura.

Rreth 10 minuta më pas, duke udhëtuar më makinë, ai ka shkuar në zonën e Bathores, në banesën e familjes Kurti, ku e ka qëlluar dhe vrarë Etleva Kurtin, 31 vjeçe. Vrasja e saj dyshohet të jetë bërë për hakmarrje, për shkak të konflikteve që mendohet se ka patur në burg me vëllain e saj, një i dënuar me burg të përjetshëm.

Dan Hutra rezulton të ketë një të shkuar kriminale të pasur me vrasje, dhunë dhe vjedhje. Sipas policisë, në vitin 2003 ai ishte dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”. Në vitin 2009 ishte dënuar me 16 vjet burgim për vrasje me paramendim të ish bashkëshortes së tij. Në vitin 2021 ishte arrestuar në Durrës, për vjedhje banesash dhe në vitin 2022 po në Durrës ishte arrestuar për tentativë vjedhje banesash. Në qershor të po këtij viti ai ishte arrestuar nga strukturat e Policisë së Tiranës, për dhunë në familje, ushtruar ndaj ish-bashkëjetueses së tij Elena Hysa. Nga burgu kishte dalë para dy javësh, saktësisht më 16 shkurt 2023.

Krimet e djeshme të Hutrës kanë shkaktuar reagime të forta në Shqipëri.  Presidenti Bajram Begaj ka reaguar ashpër, menjëherë pas marrjes së lajmeve, të cilat i ka quajtur si “lajme makabre”.

Begaj i ka dënuar ashpër të gjitha format e dhunës në familje dhe ka kërkuar që organet ligjzbatuese të veprojnë me forcën e ligjit.

“Një shoqëri ku gruaja vritet, dhunohet, keqtrajtohet, nënshtrohet, është një shoqëri që nuk duhet të pushojë së vepruari deri sa ky realitet të ndryshojë totalisht”, ka shkruar Begaj në një postim në Facebook.

“Fenomene të tilla të dhunës ekstreme apo të çdo lloj forme dhune ndaj grave nuk kanë vend dhe nuk mund të jenë pjesë e shoqërisë sonë demokratike, ku dinjiteti dhe jeta e njeriut janë vlera të larta dhe të pazëvendësueshme”,  ka theksuar ai.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, e përgëzoi policinë për arrestimin e shpejtë të autorit, të cilin e cilësoi si”kriminel të regjur”, ndërsa e drejtoi gishtin e përgjegjësisë të organet e drejtësisë për lirimin e autoritnga burgu.

“Një ngjarje e rëndë, që mund të ishte shmangur nëse autori do të ishte në burg nga sistemi i drejtësisë në të shkuarën për skendën e tij kriminale”, tha Çuçi, në një deklaratë për publikun.

Pas dënimit për vrasjen e kryer në vitin 2007, Hutra rezulton të ketë dalë nga burgu në maj të vitit 2021. Në harkun kohor të një viti, ai është përballur tri herë të tjera me organet e ligjit. Mbetet e paqartë se përse ai nuk është dënuar, ndonëse është arrestuar dy herë për vjedhje apo për tentativë vjedhjeje banesash, aq më tepër për precedentët e tij të rrezikshëm. Në 8 shkurt të këtij viti ai u lirua pasi ishte arrestuar në qershor të 2022, pas denoncimeve për dhunë nga ish bashkëjetuesja e tij. Duket se ai mund të jetë dënuar me jo më shumë se një vit burg apo të ketë përfituar edhe nga gjykimi i shkurtuar, por nuk janë bërë ende të qarta motivet dhe vepra penale për të cilën Gjykata e Tiranës mori vendim ndaj tij. Po ashtu i paqartë është dhe fakti nëse gjykatësi i rastit ka pasur parasysh të shkuarën e tij, kur në qendër të krimeve të tij kanë qenë gratë.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, bëri të ditur se ka urdhëruar “nisjen e verifikimit të rastit për të identifikuar nëse ka përgjegjësi disiplinore nga ana e magjistratëve”.

(r.m.)