Tiranë, 3 mars 2023 – Opozita në Shqipëri protestoi para ndërtesës së kryeministrisë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, me arsyen se ai ka korruptuar ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Carles McConigal.
Sipas aktakuzës së prokurorisë amerikane, Mcconigal ka fshehur apo nuk ka raportuar disa takime me kryeministrin shqiptar. Gjithashtu, ai akuzohet se ka përfituar ryshfet prej 225 mijë dollarësh nga një ish-punonjës i Shërbimit Informativ Shtetëror, i cili ka qenë prezent në disa takime Rama-McConigal.
Protesta nisi pak orë pasi Gjykata e Apelit kishte filluar shqyrtimin e çështjes se kush do ta drejtojë Partinë Demokratike (PD).
Padia është dorëzuar në gjykatë nga Enkelejd Alibeaj, ushtrues detyre i PD-së, i cili ka ankimuar vendimin e Gjykatës së shkallës së parë, i cili vendim njohu Kuvendin Kombëtar të PD-së, të thirrur nga Sali Berisha më 11 dhjetor të 2021. Kuvendi ndryshoi statutin dhe vulën e PD-së, dhe zgjodhi Berishën kryetar të partisë.
Partia Demokratike aktualisht është e përçarë. Disa e njohin Berishën për kryetar, disa të tjerë Alibeajn si u.d. të saj, pas dorëheqjes së Lulzim Bashës.
Lëkundjet në Partinë Demokratike filluan në vitin 2021 kur Basha përjashtoi nga Grupi Parlamentar i PD-së dhe nga vetë partia ish-kreun e partisë, ish-kryeministrin Sali Berisha, pas vendimit të Departamentit amerikan të Shtetit për ta shpallur Berishën person të padëshiruar (person non grata) për shkak të akuzave për korrupsion.
Tani, vendimi i Gjykatës së Apelit është i rëndësishëm, pasi në kushtet aktuale Berisha nuk mund të regjistrojë në Komisionin Qendror te Zgjedhjeve kandidatët për zgjedhjet për bashki, të cilat do të mbahen më 14 maj. Aktualisht për disa bashki ka dy kandidatë nga PD-ja, një nga strukturat që njohin Berishën si kryetar dhe një nga ato që e njohin Alibeajn.
Edhe pse krerët e opozitës, Sali Berisha dhe Ilir Meta, deklaruan se protesta lidhet me rastin McConigal, fjalimet e tyre para protestuesve u fokusuan te vendimi i Gjykatës së Apelit.
“Pasi asgjësoi Partinë Socialiste (PS) dhe e ktheu në sektin e rilindjes, Rama kërkon që ta asgjësojë PD-në. Mendon se do e përjashtoj nga zgjedhjet, por Edi Rama do të përjashtojmë nga Shqipëria. Revolucioni ynë ka misionin e madh të demokracisë, të shpëtimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha Berisha.
Ndërsa Meta tha se Rama kërkon që të marrë edhe vulë ne PD-së.
“Por ne do të vazhdojmë rrugën tonë, protesta e zgjedhje. Në 14 maj do jemi këtu për të festuar fitoren e opozitës”, tha kreu i Partisë së Lirisë.
Pasi përfundoi mandatin e tij si president, Ilir Meta ia ndryshoi emrin Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), partisë që derisa ai ishte president e drejtonte bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, dhe tani kjo parti quhet Partia e Lirisë dhe kryetar është vet Meta.
Protesta zgjati rreth një orë dhe për mbarëvajtjen e saj u angazhuan rreth 1.500 forca policie. Gjatë protestës nuk u shënua asnjë incident.
Pas kthimit në selinë e PD-së, i pyetur nga gazetarët për vendimin e pritshëm të Gjykatës së Apelit, Berisha tha se nuk do ta komentojë, por do ta presë verdiktin e trupit gjykues. Seanca për këtë çështje është duke vazhduar.
(Jetmira Delia – Kaci, REL)