Tiranë, 4 janar 2022 – Në Partinë Demokratike të Shqipërisë janë rikthyer tensionet mes mbështetësve t ëish-kryeministrit Sali Berisha dhe mbështetësve të Lulzim Bashës.
Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD-së, i themeluar nga Kuvendi Kombëtar i organizuar nga mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha, protestuan sot para selisë së partisë, me motivacion se në ndërtesën e partisë po vendoseshin dyer të blinduara. Anëtarët e komisionit e akuzuan Lulzim Bashën se, siç u shprehën, “po e bunkerizon partinë kryesore të opozitës për interesat private të deputetit”.
Mbështetësit e Berishës i kanë dhënë Bashës afat deri të mërkurën, më 5 janar, që të lirojë zyrat, me pretendimin se Basha është shkarkuar nga pozita e kryetarit të partisë në referendumin e anëtarësisë së PD-së, më 18 dhjetor.
Ata shpërndanë sot edhe një poster me firmën zotit Berisha, përmes të cilit njoftuan se të shtunën para selisë qendrore të PD-së do të mbahet një tubim proteste kundër “bunkerizimit” të Bashës në selinë e partisë.
Strukturat e partisë që e mbështesin Bashën mohuan se në selinë e PD-sëpo vendosen dyer të blinduara. Sipas një deklarate për medie, aty po bëhën disa “punime mirëmbajtjeje të selisë këtë fillimviti në valën e riorganizimit të strukturave qendrore të partisë”.
Por, në deklaratë sulmohet ashpër ish-kryeministri Sali Berisha dhe mbrohet fuqishëm vendimi i Bashës për largimin e tij nga grupi parlamentar i PD-së.
“Ne jemi krenarë që jemi partia e parë politike në Shqipëri dhe Rajon që i bashkohet nismës botërore të SHBA për të mbajtur jashtë vendimmarrjes në institucionet e partisë personat e shpallur non-grata për korrupsion, abuzim me pushtetin apo përfshirje në krimin e organizuar”, thuhet në deklaratë.
(r.m.)