TMERR NË TURQI – TËRMETI MË I FORTË NË HISTORINË E VENDIT

Mbi 2,800 ndërtesa të rrëzuara. Që do të thotë se numri 1,000 i të vrarëve të deritanishëm do të shumëfishohet. Dhe këto janë vetëm statistika të tërmetit të parë.

Nga Ruben Avxhiu

Turqia sapo u godit nga një tërmet i dytë, 7.6 ballë, pas atij gjatë natës prej 7.7 ballësh.

Shkatërrime të ngjashme kanë ndodhur edhe në Sirinë fqinje ku informacioni është më i ngadaltë, por tërmeti është ndjerë në mbarë rajonin.

Të gjitha vendet e botës, përfshi edhe NATO-n, Greqinë dhe Izraelin (fqinj me të cilët Turqia ka pasur shpesh marrëdhënie të ndërlikuara) kanë ofruar ndihmë të menjëherëshme.

Njerëzve me të drejtë u kanë bërë thirrje të mos kthehen në shtëpitë e tyre. Ky tërmet i dytë justifikoi thirrjen. Por të rrish jashtë nuk është e lehtë në këto ditë dimri.

Vija e shkatërrimeve shkon në disa qindra kilometra, qytete të tëra me dëmtime masive.

Si asnjëherë në historinë e saj, Turqia ka bërë thirrje të dëshpëruar ndërkombëtare për ndihmë. Miliona njerëz do të kenë nevojë për strehim, ngrohje, ushqim dhe kujdes mjekësor.

Një tërmet më i lehtë në këtë zonë ka shkaktuar 20,000 të vdekur në 1999. Mund të imagjinohet frika për pasojat e plota të kësaj katastrofe të re.

Kritikët kanë filluar të ankohen që tani për ndërtime jashtë standardeve zonën e tërmetit. Ndërkohë mesa duket Presidenti Erdogan ka biseduar në telefon vetëm me kryetarët e bashkive që vijnë nga partia e tij, duke sjellë reagime të ashpra nga opozita.

Vendi ishte në mes të një fushate të ashpër zgjedhore në të cilën Erdogani pritej të fitonte përsëri, megjithë pakënaqësitë në rritje.   

Turqit sot më shumë se kurrë kanë nevojë për t’u përqendruar në operacionet e shpëtimit dhe kujdesit. Besoj se në fund, ndihma do të shkojë për të gjithë. Dallga e ndihmës bujare që po vjen nga të gjithë në botë, miq e armiq duhet të reflektohet edhe në shoqërinë turke. Hesapet politike le të mbeten për një ditë tjetër.

Edhe tërmetet vetë nuk e kanë mbyllur punën e tyre. Shkundje të tjera priten, ndonëse më të vogla. Të gjithë lutjet dhe ngushëllimet për popullin në zonat e goditura. Jam i sigurtë se Shqipëria e Kosova, me mjetet e tyre të kufizuara nuk do të mungojnë në fushatën ndërkombëtare të ndihmës.