Prishtinë, 10 qershor 2024 – sh-kryeministri britanik, Tony Blair u është drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Blair, i cili ka luajtur rol udhëheqës gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 që ndaloi përparimet e forcave okupatore serbe dhe ndihmoi Kosovën të fitonte pavarësinë, tha se nuk pendohet kurrë për vendimin që kishin marrë 25 vite më parë.
“Është nder për mua të jem sot këtu dhe nuk mund t’ju falënderoj mjaftueshëm për mirëpritjen e ngrohtë. 25 vite më parë u arrit marrëveshja për çlirimin e territorit të Kosovës dhe Kosova më fund ishte e lirë dhe populli ishin të lirë të jetojnë, të shpresojnë e të besojnë sërish në një të ardhme të lirë. Takuam refugjatë kosovarë në kampet afër Shkupit, dëgjuam rrëfime të prekshme. Në fytyrat e tyre kërkohej ndihmë. Ne ndihmuam dhe nuk pendohem kurrë për këtë”, tha Blair.
Ai tha se vendimi për bombardimin e objektivave usdhtarake serbe ishte një vendim kompleks.
“Si kryeministër asokohe më kthehen shumë kujtime të negociatave me liderët botërorë dhe të kompleksitetit të vendimit në atë kohë lufte”, tha Blair.
Ai theksoi se ai vendim “kishte efekte më të gjera se sa vetëm çlirimi i popullit të Kosovës”.
“Nëse do të kishim lejuar që populli i Kosovës të brutalizohej edhe më tutje, që të shkeleshin të drejtat dhe t’I vidhej e ardhmja e saj, atëherë do të zbehej edhe e ardhmja jonë”, theksoi Blair.
Ish-kryeministri britanik, i cili ishte njëri nga liderët e botës demokratike që vunë në lëvizje intervenimin e NATO-s në Kosovë, u bëri thirrje vendeve që s’e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë këtë.
Ai tha se e di që Kosova ballafaqohet ende me sfida të ndryshme, por shprehu bindjen se Kosova ka të ardhme të mire me brezin e ri të saj.
“E di që Kosova ende ballafaqohet me sfida, por rinia që keni e që është shumë e zgjuar është e ardhmja e Kosovës”, tha Blair.
Ish-kryeministri britanik është njëri ndër figurat më të dashura në Kosovë. Para ndërtëesë së Kuvendit të Kosovës ai u mirëprit nga disa nxënës të shkollave të Prishtinës, të cilët i uruan mirëseardhje. Një grup qytetarësh që e kishin marrë vesh se aty do të vinte një mik i madh i Kosovës e përshëndetën me duartrokitje frenetike dhe me brohoritje.
Para se t’i drejtohej Kuvendit, Tony Blair u prit te Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila e quajti mysafirin e nderuar si Hero të popullit të Kosovës.
“Më 1999, roli juaj si kryeministër britanik ishte vendimtar. Sikurse atëherë që ishit hero i popullit të Kosovës, lirisë e demokracisë, edhe sot jeni hero i paqes”, i tha Osmani.
Tony Blair tha se ai ishte shumë i emocionuar nga pritja që iu bë në Kosovë dhe ritheksoi se ai vazhdon të besojë se në vitin 1999, kur ishte marrë vendimi për ndërhyrjen ushtarake, ka qenë gjëja e duhur.
“Unë kam besuar se [fushata e NATO-s] ka qenë gjëja e duhur për t’u bërë atëherë dhe edhe tani besoj se ajo ka qenë gjëja e duhur”, tha Blair në një adresim për media bashkë me Presidenten Osmani.
Kjo është vizita e tretë e ish-kryeministrit britanik Tony Blair në Kosovë prej vitit 1999.
(r.m.)