Torres kërkon shkarkimin e zyrtares që kishte shkruar “bëje Kosovën Serbi sërish”

Uashington, 7 mars 2025 – Kongresmeni Ritchie Torres, ka njoftuar se Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, i ka kërkuar të shkarkojë nga pozita e Zëvendës Sekretares së Shtypit në këtë departament, Kingsley Wilson, e cila në vitin 2023 kishte shkruar publikisht “bëje Kosovën Serbi sërish”.

“Sot i shkrova Sekretarit të Mbrojtjes duke bërë thirrje ta shkrojë nga detyra Zëvendës Sekretaren e Shtypit në këtë departament.

Duke pasur parasysh fushën e minuar të retorikës antisemitike, komploteve nacionaliste të të bardhëve dhe propagandën pro-Kremlinit që Wilson e ka përhapur me krenari, prania e saj e mëtejme në Pentagon është një njollë në reputacionin e tij”, ka shkruar Torres në rrjetin social X.

Kongresisti Torres e ka publikuar edhe letrën që ia ka dërguar sekrerterit Hegseth.

Në letër thuhet se Kingsley Wilson, në postimet e saj në rrjetet sociale, e ka afirmuar propagandën anti-kosovare, duke theksuar se ky është “një sulm i drejtpërdrejtë ndaj më pro-amerikanëve aleate në Evropë”, gjë që “e përafron atë me interesat e Vladimir Putin”.

Torres shkruan se nga kërkimet në profilet e zonjës Wilson në mediat sociale shihet se “Wilson edhe ka promovuar hapur teorinë e ‘zëvendësimit të madh’, një komplot racist që ka frymëzuar të shtëna masive dhe sulme terroriste kundër komunitetit hebre…”

“Vazhdimi i pranisë së Wilsonit në Pentagon është një njollë për reputacionin e tij dhe unë ju bëj thirrje që ta pushoni atë menjëherë”, shkruan Torres.

“Nëse ju besoni që Kingsley Wilson është profili i personit që duhet të përfaqësojë Departamentin e Mbrojtjes, kjo ngre pikëpyetje serioze për gjykimin tuaj – dhe për përkushtimin tuaj ndaj vlerave që përcaktojnë këtë komb”, i shkruan ai sekretarit Hegseth.

(r.m.)

Comment

*