Uashington, 21 nëntor 2022 – Ligjvënësi amerikan, Ritchie Torres, tha të hënën në Prishtinë se është koha që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të marrin rol më të madh në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai i bëri këto komente në një bisedë me Zërin e Amerikës gjatë vizitës së tij disa ditëshe në Kosovë ku po takohet me udhëheqës të institucioneve dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare.
“Shpresoj që mund t’i afrohemi më shumë normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë. E mbështes idenë që Shtetet e Bashkuara të luajnë një rol më qendror në bisedimet ndërmjet të dyja palëve sepse mendoj që pa një rol të tillë të Shteteve të Bashkuara bisedimet kanë ngecur, kështu që është koha për Shtetet e Bashkuara të marrin një rol më të madh në këtë proces”, tha ai.
Zoti Torres tha se tensionet që pasuan mospajtimet për çështjen e targave të makinave, janë dëshmi e nevojës për përmbyllje të këtij procesi.
“Nuk më takon mua të them se si dhe kur Kosova duhet të zbatojë ligjet e veta sa u përket targave të makinave. Por, tensionet që e kanë përcjellë këtë çështje janë dëshmi e nevojës për të përmbyllur normalizimin e marrëdhënieve, për të përmbyllur procesin e paqes, në mënyrë që të mund ta integrojmë Kosovën në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, tha ai.
Vendimi i qeverisë së Kosovës për të nisur zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia, i cili u mor me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për një shtyrje dhjetë muajshe, ka ngritur shqetësime në Kosovë për dëmtim të marrëdhënieve me aletatët, posaçërisht me Shtetet e Bashkuara.
Por, zoti Torres tha se lidhja ndërmjet dy vendeve është tepër e fortë për t’u dëmtuar nga mospajtimet për një çështje të tillë.
“Ky është udhëtimi im i parë në Kosovë, por padyshim jo i fundit. Jam këtu për të dëshmuar miqësinë e thellë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, është një nga marrëdhëniet më të veçanta në botë. Është vështirë të gjesh një vend që e do më shumë SHBA-në dhe unë thjeshtë dua të dërgoj një mesazh të fuqishëm se përkushtimi i Amerikës ndaj Kosovës, pavarësisë së saj, sovranitetit dhe tërësisë së saj tokësore është i palëkundur”, tha ai.
Zoti Torres tha se rruga e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është element shumë i rëndësishëm për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
“Duhet të sigurohemi që historia të mos përsëritet kurrë dhe që Kosova të jetë e mbrojtur nga agresioni. Nuk ka siguri më të fortë kundër agresionit sesa anëtarësimi në NATO. Është një ombrellë sigurie që vetëm NATO-ja mund ta ofrojë. Kosova ka kohë që e ka merituar këtë”, tha ai.
Zoti Torres një nga bashkëkryetarët e Grupit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin amerikan, në pranverën e këtij viti u shkroi presidentit amerikan Joe Biden dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, duke theksuar se pas situatës së krijuar me agresionin rus në Ukrainë, Uashingtoni duhet t’i ndihmojë Kosovës që të anëtarësohet në NATO.
(Edlira Bllaca, Zëri i Amerikës)