Tiranë, 9 korrik 2023 – Një tragjedi ka ndodhur të dielën në bregdetin e Kavajës. Tre persona janë mbytur në det në plazhin Vilë Boshtovë. Viktimat janë identifikuar si Elvis Halilaj, 50 vjeç, nga Tirana me dy djemtë e tij të mitur, 13 dhe 15 vjeç.
Dy djemtë kanë hyrë për t’u larë, por nuk kanë mundur të dalin në breg, për shkak të dallgëve. Babai i tyre ka hyrë në det për t’u ndihmuar të dalin në breg, por e ka pasur të pamundur, për shkak të dallgëve të mëdha. Në përpjekje që t’i shpëtojë djemtë është mbytur edhe ai.
Sipas informacioneve, në momentin kritik deti ka qenë i trazuar dhe me dallgë të mëdha dhe në plazh nuk ka pasur roje bregdetare, për të sinjalizuar pushuesit për rrezikun. Ambulanca ka shkuar në vendin e ngjarjes, një orë e gjysmë më vonë.
Policia e shtetit ka dale në vendin e ngjarjes dhe ka nisur veprimet hetimore. Trupat e pajetë të viktimave janë dërguar për obduksion.
Pas ngjarjes tragjike, në plazh janë vendosur flamujt e kuq që paralajmërojnë pushuesit.
(r.m.)