Shkup, 12 shtator 2021 – Zjarri që shpërtheu të mërkurën, më 8 shtator, në spitalin COVID në Tetovë, ku humbën jetën 14 persona, ka ngritur dyshime mbi cilësinë dhe sigurinë e këtyre spitaleve, që janë ndërtuar si nevojë për trajtimin e të sëmurëve me koronavirus, ndaras nga të sëmurët e tjerë, por edhe për shkak të mungesës së kapaciteteve në klinikat infektive.
Maqedonia e Veriut ka 19 spitale modulare për pacientët me COVID-19, dy prej të cilave janë donacion, ndërsa për ndërtimin e të tjerave janë shpenzuar 3.6 milionë euro.
Në sistemin elektronik për furnizime publike nuk figuron asnjë marrëveshje apo tender i shpallur për ndërtimin dhe kushtet që kërkoheshin për ngritjen e tyre. Të gjitha spitalet janë ndërtuar nga firma “Brako”, në pronësi të ish-zëvendëskryeministrit, Koço Angjushev.
Dyshimet për abuzime financiare dhe cilësinë e dobët të ndërtimit, dolën fillimisht nga një zyrtar i opozitës maqedonase, Vlladimir Gjorçev.
“Spitali i përkohshëm COVID në Tetovë, u ndërtua me nxitim, për interesa biznesi. I trishtuar. Ka rënë sistemi…dorëheqje dhe përgjegjësi ”, kishte shkruar Gorçev në rrjetin social Facebook, duke e shoqëruar pretendimin e tij edhe me një reagim qysh në muajin prill, të një drejtuesi të spitalit të Tetovës, Artan Etemi, ku thuhej se “janë përcaktuar gabime gjatë ndërtimit nga firma ndërtuese”, nga e cila ishte kërkuar që t’i mënjanojë këto gabime, por pa saktësuar se cilat ishin ato.
Lidhur me zërat në opinion mbi lëshimet në ndërtimit e spitaleve modulare, ka reaguar kompania “Brako”.
“Në interes të informimit objektiv të publikut, ne duam të theksojmë se pjesa e punimeve që ishin përgjegjësia jonë gjatë ndërtimit, u realizuan në përputhje me të gjitha standardet për sigurinë dhe cilësinë. Para pranimit teknik, të gjitha punët që ishin detyrimi ynë u testuan dhe u verifikuan, gjë që dëshmohet nga pranimi i duhur teknik i objektit, i cili më pas u dorëzua për përdorim dhe në përputhje me standardet rigoroze të Bankës Botërore, si financues i projektit”, thuhet në komunikatën e kompanisë “Brako”.
Ministri i dorëhequr i Shëndetësisë, Venko Filipçe, gjithashtu ka hedhur poshtë këto pretendime, por sipas tij, fjalën e fundit duhet ta thonë hetimet që po zhvillohen lidhur me shpërthimin. Filipçe ka pretenduar se objekti ishte dorëzuar në mënyrë të rregullt.
“Hetimi duhet të përcaktojë se si ky objekt është mirëmbajtur pasi i është dorëzuar autoriteteve shëndetësore në Tetovë. Ministria në mënyrë transparente dhe aktive, do të bashkëpunojë me organet e hetuesisë dhe apeloj që këtë ta bëjnë edhe institucionet e tjera, që janë pjesë e hetimit, pasi është në interesin tonë që të dimë të vërtetën për atë që ka ndodhur. Të gjitha qendrat modulare janë ndërtuar duke respektuar të gjitha standardet dhe procedurat, ashtu siç kërkohen pasi ato janë mbështetur nga Banka Botërore. Hetimet tona të brendshme tregojnë se të gjitha materialet që janë përdorur për spitalet modulare janë të certifikuara, sikur ato për pajisjet elektrike, të ngrohjes e ujësjellësit”, ka deklaruar Filipçe.
Por, ai dhe institucionet tjera nuk janë përgjigjur në shumë pyetje, përfshirë edhe atë nëse spitali kishte sistem të integruar për detektimin e tymit dhe shuarjen e zjarrit.
Ndërkaq, ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, mjek specialist dhe kryetar i Komunës së Gostivarit, thotë për Radion Evropa e Lirë, se dyshimet ekzistojnë si për cilësinë e ndërtimit të spitaleve, ashtu edhe për menaxhimin e tyre. Por, ai nuk beson se hetimi do të zbulojë të vërtetën.
“As që ka dyshime se për këtë rast faji është te faktori njeri. As që ka dyshime se këtu ka dyshime edhe për elemente korruptive. Askush nuk ka dilema se krimi dhe korrupsioni këtu është bërë standard shtetëror. Duhej të ndodhte një tragjedi, të vdisnin 14 njerëz që t’i flasim këto punë. Hetimet duhet të zbulojnë se faktori njeri është përgjegjës, por ma merr mendja se pas dhjetë ditëve, edhe ky rast do të harrohet, pasi dyshoj nëse ndonjëherë prokuroria apo hetuesit do të dalin me rezultate për këtë rast”, thotë Taravari.
Ai thotë se nga kontaktet që ka me qytetarë, por edhe personel mjekësor bëhet e ditur se spitalet modulare, nuk i trajtojnë si duhet pacientët apo se atyre u mungojnë kushtet për trajtim adekuat. Kjo ka bërë që njerëzit të bëjnë gjithçka që të kujdesen për të afërmit e tyre. Kjo, sipas tij ndodh për shkak të menaxhimit jo të mirë me institucionet.
“Të gjitha gabimet qëndrojnë te menaxherët, tek udhëheqësit e institucioneve dhe përgjegjësinë duhet ta nisim ta kërkojmë prej vetvetes, së paku moralisht, nga dimensioni moral, nuk flas për hetimet dhe përgjegjësinë ligjore dhe morale, por nga aspekti moral që nuk ka të bëjë as me politikën e as me ligjin”, thotë Taravari.
Milena Stefanoviq, drejtore e Klinikës Infektive, thotë për Radion Evropa e Lirë se spitalet janë të sigurta. Ajo sikur edhe ministri Venko Filipçe, i cili më 10 shtator dha dorëheqje, thotë se nuk duhet të përhapet panik dhe mosbesim ndaj këtyre qendrave, që kanë rëndësi të madhe për trajtimin dhe shpëtimin e jetës së njerëzve në këtë krizë pandemie.
“Unë besojë se ato janë të sigurta. Të gjitha janë pranuar në mënyrë të rregullt dhe kanë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Ne, pranë klinikës infektive kemi një spital të tillë me 70 shtretër. Këtu kanë kaluar mijëra pacientë që kanë shpëtuar jetën e tyre pas një pasqyre të rëndë shëndetësore që kishin pas infektimit nga koronavirusi. Ne, nuk mund të themi se spitali modular nuk përmbush kriteret apo nuk është vendi adekuat për trajtimin e pacientëve”, thotë drejtorja Milena Stefanoviq.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut, të enjten ka kërkuar nga BE-ja dhe NATO-ja ndihmë ekspertësh “për një hetim sa më të shpejtë dhe më të thellë që të mos lihet asnjë fije dyshimi apo të zbardhet gjithçka lidhur me këtë rast”.
(Isuf Kadriu, REL)