Trajkoviq: E tmerrshme kujt ia lë në dorë Vuçiqi fatin e serbëve

Prishtinë, 27 prill 2023 – Rada Trajkoviq, kryetare e Partisë së Lëvizjes Evropiane të Serbëve, ka reaguar pas publikimit të përbërjes së ekipit për hartimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin e udhëheq Danijela Vujiçiq, deputete e Partisë Përparimtare të Serbisë të Aleksandar Vuçiqit në Kuvendin e Serbisë.

Trajkoviq, në një postim në Twitter, shpreh keqardhje që ky ekip udhëhiqet nga Danijela Vujiçiq, të cilën e quan “superfanse“ të nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojçiq, i cili është në kërkim për vepra penale të kryera në Kosovë.

“Deputetja e SNS (Srpska Napredna Stranka) në Parlamentin e Serbisë e udhëheq ekipin për hartimin e statutit të Acoaciacionit të Komunave Serbe. Natyrisht, ajo nuk është jurist dhe nuk është e kualifikuar për këtë punë. Por, ajo është superfanse e Milan Radoiçiqit. E tmerrshme kujt ia lë në dorë Vuçiqi fatin e serbëve në këtë moment vendimtar. Dhe atëherë shtrohet pyetja përse ngec puna në formimin e Asocacionit të Komunave Serbe“, ka shkruar Trajkoviq.

Rada Trajkoviq është ndër kritikët më të ashpër të politikës së Vuçiqit dhe të Listës Serbe, partisë së serbëve të Kosovës që e kontrollon Vuçiqi.

Trajkoviq e ka akuzuar publikisht Milan Radoiçiqin për krime të rënda në ojesën veriore të Kosovës, përfshirë edhe vrasjen e Milan Ivanoviqit.

Kohë më parë, Rada Trajkoviq është emëruar këshilltare e ministrit për Kthim e Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq.

Për këto arsye, ajo është sulmuar ashpër personalisht nga Vuçiqi, i cili e ka fyer rëndë, duke e quajtur edhe “llumi i serbëve” në Kosovë.

Ajo është ndaluar disa herë nga policia gjatë udhëtimit të saj për në Beograd dhe është marrë në pyetje nga sigurimi sekret i Serbisë.

(r.m.)