Beograd, 8 nëntor 2022 – Rada Trajkoviq, kryetare e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, ka thënë se veriu i Kosovës po bëhet një zonë me rrezik të frikshëm. Ajo ka thënë se në veri ekzistojnë banda të armatosura, të cilat i ka futur Milan Radoiçiq, por nuk beson se atje ka edhe mercenarë të grupit rus “Wagner” .
“Ekziston rreziku, sepse në veri të Kosovës ka diçka që nuk na pëlqen ta themi dhe që vazhdimisht mundohemi ta fshehim. Atje ka banda të armatosura, të cilat i ka futur zoti (Milan) Radoiçiq. Nuk e di nëse edhe ai vetë është i pranishëm atje. Dëgjoj se përveç grupeve të armatosura janë parë edhe anëtarë të grupit ‘Wagner’, por nuk besoj, sepse janë mercenarë që aktualisht luftojnë për rusët në Ukrainë dhe që paguhen nga manjatë rusë. Nuk e di se cili manjat serb do t’i paguante ata, nëse do të hynin në veri me detyrë për të luftuar”, ka thënë Trajkoviq në TV “Nova S”.
Trajkoviq ka thënë se EULEX-i nuk ka mjaft policë për të mbuluar të gjitha vendet që kanë mbetur bosh me largimin e policëve serbë, prandaj EULEX-i nuk mund të ofrojë siguri në mënyrë efektive.
E pyetur se çfarë do të ndodhte nëse Prishtina do të vendoste të dërgonte në veri policë shqiptarë, zonja Trajkoviq ka thënë se se atëherë do të ishte problem i madh për të gjithë ata.
Ajo ka thënë se policët serbë që dhanë dorëheqje, vazhdojnë të qëndrojnë në stacionet policore në veri të Kosovës sipas ndonjë marrëveshjeje private.
“Nëse kanë dhënë dorëheqje dhe nëse janë ‘zhveshur’, tani janë persona të ulur në bazë të ndonjë marrëveshjeje private. Kjo është shumë e rrezikshme”, ka thënë Trajkoviq.
Ndëkaq, Aleksandar Arsenijeviq ka thënë se qytetarët serbë me siguri do të përshtaten ngadalë me dimensionin e ri të jetës në Kosovë.
“Komuniteti serb në veri të Kosovës ka qenë në situata të ngjashme edhe më parë dhe ka mësuar nga kjo përvojë. Nuk besoj se do të ndryshojë dukshëm sa i përket marrëdhënieve ndërmjet qytetarëve”, ka thënë ai
Arsenijeviq, nga Iniciativa Qytetare Serbe “Mbijetesa serbe”, ka thënë se komponentën e sigurisë në veri mund ta marrë përsipë EULEX-I.
“Sipas informacioneve që kam, në stacionet policore qëndrojnë policët e çarmatosur që kanë dhënë dorëheqje dhe tani i ruajnë pajisjet dhe stacionet policore. Në secilin prej tyre janë nga 16 policë. Sot në stacionin policor të Policisë së Kosovës në Zveçan është vërejtur edhe ardhja e policëve të EULEX-it. Kjo ndoshta është shenjë se EULEX-i do të marrë përsipër kornizën e sigurisë në veri të Kosovës”, ka thënë Arsenijeviq.
(r.m.)