Trajneri i ekipit të grave të Spanjës shkarkohet pas skandalit të Rubiales

Madrid, 5 shtator 2023 – Federata e Futbollit e Spanjës (FFS) e ka shkarkuar të martën Joge Vildan, trajnerin e ekipit kombëtar të grave që e fitoi Kupën e Botës. Shkarkimi erdhi disa ditë pasi ai e duartrokiti një fjalim kontrovers të kryetarit të Federatës së Futbollit të Spanjës, Luis Rubiales, rreth puthjes në buzë me forcë të futbollistes Jenni Hermoso.

Një bord i ri i formuar pas pezullimit të Rubiales nga FIFA mori vendim për t’ia ndërprerë kontratën trajnerit Vilda, i cili vlerësohet si aleat i ngushtë i Rubiales.

FIFA, federate e futbollit botëror, e pezulloi Rubialesin më 26 gusht, për shkak se ai e puthi në buzë me forcë Hermoson, gjatë ceremonisë së dorëzimit të Kupës së Botës, më 20 gusht, në Sidnei të Australisë.

Të premten, Vilda e duartrokiti shefin e futbollit Rubiales pas një fjalimi gjatë të cilit ai nuk pranoi të japë dorëheqje dhe e përshkroi puthjen si një veprim “të lirë, të ndërsjellë dhe konsensual”.

Duke iu drejtuar Vildas, Rubiales e quajti atë si trajnerin më të mirë në futbollin e grave dhe i ofroi kontratë të re katërvjeçare me pagë vjetore prej 500.000 eurove.

Por, një ditë më vonë, Vilda ndryshoi qëndrim dhe e kritikoi Rubialesin përmes një komunikate për media, megjithëse nuk bëri thirrje për dorëheqjen e tij.

Hermoso, disa ditë pas incidentit, tha se ajo ishte ndjerë sikur ishte sulmuar nga shefi i federatës së futbollit të Spanjës.

“U ndjeva e cenuar dhe viktimë e një sulmi, një veprimi impulsiv dhe maskulinor; një veprimi të pavend me asnjë lloj pajtimi nga ana ime. Thjesht, unë s’u respektova”, tha Hermoso në një deklaratë në rrjetet sociale më 25 gusht.

Unioni i futbollisteve, Futpro, Hermoso dhe 80 futbolliste të tjera, kanë thënë se nuk do të pranojnë të luajnë më për Spanjën “nëse federata vazhdon ta ketë udhëheqësin e njëjtë”.

Rubiales ka qëndruar i palëkundur në refuzimin e tij për të dhënë dorëheqje nga posti “për shkak të një puthjeje paksa konsensuale”.

Rubiales është duke u hetuar edhe nga Gjykata Sportive e Spanjës.

(r.m.)