Trashëgim nga veterani i një shekulli të torturuar për brezat e shekullit të ri

Ruben Avxhiu

Vështirë të gjesh në letrat shqipe një shkëmbim më simbolik, se ai i Sami Repishtit, i arratisur politik nga Shqipëria, me oficerin serb të qelisë në Jugosllavi.

Shkodrani i ri kishte lënë pas 10 vite të burgut komunist, por pas kalimit të kufirit kishte përfunduar në tjetër lloj arrestimi, atë jugosllav.

Po e citoj këtu dialogun mbresëlënës, drejtpërdrejt nga libri i tij i botuar këtë vit, në Tiranë, “Nga andrrat rinore, në botën e mashtrimit”:

“- Govorish srpskij? – pyeti oficeri në gjuhën e vet.

– Jo! – i thashë në gjuhën time.

– Ruskij? – vazhdoi ai.

– Jo! – përsërita unë.

I prekun në sedër, iu drejtova.

– Parlez-vous Français?

– Ne!

– Parla Italiano?

-Ne!

– Do you speak English?

– Ne!

Qartazi, ishim pjeë e dy botëve të ndryshme”.

Dialogu mund të kishte qenë fare mirë nga ndonjë prej kryeveprave botërore të skenës. Shqiptarët për shkak të tekave të gjeopolitikës janë gjendur vazhdimisht në mes të dy botëve, tërheqja e të cilave e ka shqyer kombin duke krijuar ndarje të thella vëllavrasëse.

Sot, kur prej vitesh ka pasur një marrëveshje të gjerë për drejtimin historik, aspektet që sollën tragjeditë e të kaluarës janë përsëri mes nesh. Është në natyrën e njeriut të harrojë historinë, të shpërfillë sinjalet e alarmit, të humbasë këndvështrimin dhe kontesktin e duhur. Pastaj ndodhin ngjarje si ato të vitit 1997, kur i gjithë organizimi shoqëror rrëzohet për t’i lënë vendin anarkisë.

Është shpesh shokuese sesa shpejt rrokullisen situatat dhe një regjim që dukej se do të ishte i përjetshëm kthehet në gërmadhë. Po kjo nuk ndodh vetëm me diktaturat. Ndodh edhe me demokracitë, me paqen, me qendrueshmërinë sociale, financiare e të rendit publik. E ndonëse rrëzimi është tmerrësisht i shpejtë, shenjat paralajmëruese janë të hershme. Po është në natyrën e shoqërive të shpërfillin ata që japin alarmin, që analizojnë me kthejlltësi zhvillimet, të zhveshur nga pasionet partiake e interesat personale, nga adhurimet e vërbëra dhe urrejtjet e pallogjikshme.

Libri “Nga andrrat rinore, në botën e mashtrimit” është një koleksion dëshmish, thirrje alarmi, porosi bujare, jo thjesht nga një analizues i kthejllët i ngjarjeve kontradiktore të ditës, por edhe një dëshmitar i rrallë dhe i madh i epokave, mësimet e të cilave ose nuk i kemi nxënë, ose nuk i kemi përtypur mirë, ose i kemi lënë pa dashje ose me qëllim në harresë.

Sami Repishti, i bekuar po edhe i dënuar me jetë të gjatë, ka jetuar aq sa duhej për të parë që të rrëzohej regjimi që e burgosi dhe ia shkatërroi rininë. Ai ka jetuar edhe aq gjatë sa të shohë çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Si aktivist i të drejtave të njeriut, në SHBA, si lobist për kauzën kombëtare shqiptare, si dhe avokat për demokracinë e rajonit të Ballkanit dhe Europës Lindore, fati e soli që ai të bëhej dëshmitar i triumfeve të kauzave për të cilën shkroi e punoi gjatë jetës, në mërgim.

Por ai jetoi gjithashtu mjaftueshëm gjatë për të parë vështirësitë kritike të shoqërive paskomuniste e të demokracive të reja për të administruar lirinë e fituar. Në këto vështirësi, ndodhet fara e rrezikshme e mbirjes së diktaturave të reja, të vuajtjeve e mashtrimeve të reja, të formave të reja e të vjetra të kufizimit të lirisë.

Mund të mos biesh dakord me pikëvështrimet e tij, në shkrimet e letrat panumërta, në dekada, disa prej të cilave të përfshira në këtë vëllim të domosdoshëm për t’u lexuar, po nuk ke sit ë mos respektosh vëmendjen dhe merakun e thellë për rrugëtimin e demokracisë së re shqiptare.

Ndonëse në mënyrë jo aq flagrante, sa në rastin me oficerin e qelisë serbe, të cituar në fillim të këtij shkrimi, shpresh të duket se Prof Repishti dhe kritikët e tij në vite kanë folur me gjuhë të ndryshme e u kanë përkitur botëve të ndryshme. Është tashmë në natyrën tonë që të reagojmë me inat jo ndaj atij që abuzon me besimin tonë, por ndaj atij që na bën të ndërgjegjshëm se po na abuzojnë.

Po leximi i këtyre shkrimeve nga pikëpamja partiake e personale është ajo më e gabuara. Autori i kritikon zhvillimet e ditës duke i vënë në dritën e ndryshimeve epokale, duke i krahasuar me të kaluarën dhe me vizionet për të ardhmen.

Ai u druhet mbi të gjitha partive e grupeve që pretendojnë se zotërojnë “të vërtetën absolute”. E nisur nga mënyra sesi flasin, kjo përshkruan më shumë parti, institucione e figura publike sesa do të kishim dëshirë të shihnim në botën e sotme shqiptare, në të gjitha trojet kombëtare.

Agonia për thyerjen e premtimit të lirisë e shqetëson më shumë se çdo gjë tjetër Prof. Repishtin që këshillon një ringritje në këmbë të një kulture e morali të humbur.

“Çdo popull e ka një shpirt, e shpirti i shqiptarit ka qenë ‘besa’, Kur ‘besa’ asht thye dhe ata që e mbajtën u vranë, shqiptari humbi shpirtin që e dalloi. Hyni pabesia! Atdheu ynë ka nevojë për një rilindje morale, për nji mbështetje të fortë në parime thellësisht njerëzore si besa, nderi, burrëria, mikpritja tradicionale, ‘sous peine de mort’, si thonë francezët, ose me përballue vdekjen e plotë shpirtërore”.

I botuar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ky libër i radhës i Prof. Sami Repishtit më mbërriti në duar, në një përvjetor domethënës për të. Pas peripecive të pafund në Shqipëri e Jugosllavi,  ai mbrriti në SHBA, në 9 prill 1962, 55 vjet më parë.

Në këtë periudhë të më shumë se gjysëm shekulli, ai ka luftuar për të ndihmuar vendin nga ku u detyrua të largohej e që përpak i mori jetën. Duke i parë shqiptarët si viktima të regjimit që përndoqi edhe atë vetë, duke besuar se meritojnë dhe kanë potencialin për një demokraci liberale po aq të frytshme sa ato më të mirat perëndimore, ai nuk ka rreshtuar së shkruari e foluri në mbështetje të lirisë.

Në oqeanin proverbial të historisë, varkat e popujve të vegjël shpesh përmbysen apo shpëtohen nga anijet e fuqive të mëdha. Ndërhyrjet amerikane në Europë kanë sjell fat për shqiptarët, mëvetësinë e garantuar nga Presidenti Wilson, rrëzimin e komunizmit, ndihmën për integrim në NATO e BE, promovim të demokracisë dhe lirive të njeriut, çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës etj.

Në këtë prizëm, vështirë të gjeje një vend më të mirë në botë, gjatë Luftës së Ftohtë dhe pas saj për të mërguar dhe punuar për të mirën e kombit shqiptar. Me përfshirjen e tij në jetën publike të bashkësisë shqiptaro-amerikane në SHBA, Prof. Repishti ka pasur mundësi të lobojë dhe të edukojë zyrtarët dhe diplomatët e lartë amerikanë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Një pjesë e kësaj veprimtarie është zhvilluar duke filluar me Rininë Kosovare në Bote dhe ka përfunduar si nga themeluesit dhe President i Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan. Po përtej kufijve kohorë të këtij angazhimi janë vite të tëra shkrimesh, studimesh e fjalimesh me rëndësi në shërbim të paqes, demokracisë, lirisë dhe kombit shqiptar.

Me rrëzimin e komunimit në Shqipëri, çlirimin e Kosovës dhe vendosjes së demokracisë në Ballkan, shkrimet e tij filluan të lexoheshin në mbarë trojet shqiptare. Edhe ky libër tani mund të gjendet lehtë në atdhe.

Sa herë ndalemi për të kujtuar paraardhësit, ata që jetuan përmes ngjarjeve historike për të cilat vetëm sa kemi lexuar në libra dhe pyesim veten se çfarë do të mendonin ata për ditët tona. Fati na ka dhënë njerëz si Sami Repishti, që kanë marrë pjesë në qendresën kundër pushtimit fashist, që i kanë mbijetuar dhunës komuniste, dënimeve serbe dhe kanë përjetuar përplasjet e kthesat e Luftës së Ftohtë.

Të kesh dëshmitarë të tillë që kanë çfarë të thonë dhe dinë si të flasin është pasuri e madhe për çdo komb. Pasuri të cilën, Prof Sami Repishti po ua lë brezave fletë pas flete, të shkrimeve dhe librave të tij. Disa prej tyre, si “Nga andrrat rinore, në botën e mashtrimit” nuk duhet të mungojë në bibliotekat tona. Është një dhuratë, një trashëgimi e vyer nga veterani i një shekulli të torturuar për brezat e shekullit të ri.