Tre kritikë të Vuçiqit në Serbi: Në Beograd flitet për një skenar të zhvendosjes së serbëve të Kosovës në Sanxhak

 

Prishtinë, 1 shtator 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të dielën në takim tre prej kritikëve më të zëshëm serbë të politikave të pushtetit aktual të Serbisë për Kosovën: Presidenten e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ish-kryetarin e Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, Nenad Çanak, dhe drejtorin e Qendrës për Dialog Humanitar, Mark Baskin.

Zyra e kryeministrit Kurti njofton se në këtë takim është diskutuar “për situatën dhe zhvillimet në rajonin e Ballkanit perëndimor, vullnetin dhe shanset për integrim në BE dhe NATO, e në veçanti për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, historinë dhe aktualitetin si dhe perspektivat për të ardhmen”.

Në njoftim thuhet se zonja Biserko dhe zotërinjt Çanak dhe Baskin, e kanë njoftuar kryeministrin Kurti se në Beograd flitet se ka një skenar për zhvendosjen e serbëve të Kosovës në rajonin e Sanxhakut, në Serbi. Ata I kanë bërë thirrje Kurtit që të parandalojë realizimin e një skenari të tillë.

“Gjatë takimit, Biserko, Çanak dhe Baskin e njoftuan kryeministrin se po flitet që Beogradi zyrtar po planifikon planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës, sidomos atyre nga veriu, për në Sanxhak, ku siç po thuhet po ndërtohen shtëpi dhe banesa për ta. Ata apeluan te Kryeministri Kurti që të përpiqet të parandalojë një skenar të tillë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, Kurti, sipas njoftimit, ka vënë theksin në forcimin e demokracisë, në sundimit të ligjit, në barazinë e qytetarëve dhe në përfshirjen e komunitetit serb në institucionet shtetërore dhe në jetën politike e publike në Kosovë.

“Më tej, kryeministri i njoftoi mysafirët e tij për të drejtat që gëzojnë komunitetet joshumicë në Republikën e Kosovës, si dhe për përpjekjet që Qeveria po bën për rritjen e mundësive për këto komunitete në shumë fusha si arsimi, punësimi dhe siguria e tyre”, thuhet në njoftim.

Kryeministri Kurti i ka falënderuar mysafirët nga Serbia për angazhimin e tyre “në ndërtimin e urave të paqes e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë brenda rajonit, parime këto evropiane të cilat përqafohen e mishërohen edhe në Republikën tonë”.

Sonja Biserko, Nenad Çanak dhe Mark Baskin, në paraqitjet e tyre publike, e kanë akuzuar vazhdimisht pushtetin aktual n՞ Serbi, veçanërisht Presidentin Aleksandar Vuçiq, për manipulimin e serbëve të Kosovës me qëllim ruajtjen e pushtetit. Ata kanë tërhequr vërejtjen se çmimin më të lartë të manipulimit e paguajnë vetë serbët në Kosovë.

(r.m.)