Prishtinë, 18 qershor 2013 – Tre persona kanë vdekur në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), nga ethet hemorragjike, që shkaktohet nga picikimi i rriqrave. Të tre personat që kanë vdekur kanë qenë nga Malisheva dhe Rahoveci, dy komunat që shtrihen në një zonë të rrezikuar nga rriqrat.
Këtë e ka konfirmuar infektologu Sali Ahmeti, shef i repartit të etheve hemorragjike në këtë klinikë, për gazetën “Zëri”.
Ahmeti ka bërë të ditur se prej 23 prillit të këtij viti, kur ka filluar hospitalizimi i rastit të parë të dyshuar për ethe hemorragjike, në klinikë janë regjistruar 45 raste të dyshuara se janë prekur nga ethet hemorragjike, por analizat kanë gtreguar se vetëm 10 prej tyre kanë qenë të infektuar.
Dr Ahmeti ka bërë të ditur se zonat më të prekura janë komuna e Malishevës, Rahovecit, Klinës, Suharekës dhe Skenderajt dhe ka njoftuar se Klinika Infektive, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, i kanë marrë të gjitha masat për dezinfektimin e këtyre zonave dhe për vetëdijesimin e qytetarëve, nëpërmjet ligjëratave të profesionistëve shëndetësorë nëpër shkolla e qendra të mjekësive familjare. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve, sidomos atyre që jetojnë në zonat ku janë më trë përhapura rriqrat, që të evitojnë qëndrimin në fusha.
“Do t’i kisha lutur banorët e zonave më të prekura që këtë muaj dhe muajin e ardhshëm, kur dalin për punë në fushë, të mbrohen me rroba, duke veshur këmishë me mëngë të gjata dhe pantallona të gjatë, që mund të lidhen poshtë. Këmishët është mirë të jenë të bardha, në mënyrë që pickimi nga rriqrat të mund të vërehet më lehtë. Ndërsa nënat do t’i kisha këshilluar që fëmijët e tyre që dalin në fushë për të luajtur, në mbrëmje t’i zhveshin dhe t’i kontrollojnë mos janë pickyuar nga ndonjë rriqër. Në rast se vërehet se ndonjë rriqër u është ngjitur në trup, i këshilloj të shkojnë në qendrën më të afërt të mjekësisë familjare, për ta bërë largimin e saj në mënyrë profesionale mjekësore”, ka theksuar Ahmeti.
R.M.