Trendafilova pret që gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së të nisë brenda muajsh

Prishtinë, 21 shtator 2022 – Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka thënë se pret që gjyqi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të njohur si rasti “Thaçi e të tjerët”, të nisë në fund të këtij viti apo në fillim të vitit të ardhshëm.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, ish-drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndodhen në paraburgim në Hagë, prej nëntorit të vitit 2020.

Të katërtit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.

Trendafilova ka thënë se gjykatësi i procedurës paraprake është duke punuar shumë në këtë rast “voluminoz” për të trajtuar të gjitha çështjet.

“Gjykatësi i procedurës paraprake është duke punuar pa pushim që të dorëzojë të gjitha çështjet e komplikuara për këtë rast, ashtu siç ka vepruar në rastet tjera”, ka thënë ajo, të mërkuren, në Prishtinë.

Trendafilova i ka bërë këto deklarata në një takim online me shoqërinë civile dhe me organizata qeveritare në Kosovë. Ky takim duhet të zhvillohej në Gjilan, por ai u anulua për shkak të paralajmërimeve për protesta kundër saj dhe kundër Gjykatës Speciale, e cila ishte ftuar nga Partia Socialdemokrate, me motivacion se kjo gjykatë është politike.

Trendafilova ka thënë se nuk është ndjerë e kërcënuar për sigurinë e saj personale dhe ka thënë se do ta vizitojë sërish Kosovën.

“Do të jem atje sërish, por nuk e di kur, dhe kur them se po vij, nuk jam duke sfiduar askënd. Qëllimi i këtyre takimeve është ofrimi i informacioneve subjektive nga ana institucionale”, ka thënë ajo.

Trendafilova i ka mohuar pretendimet se Gjykata Speciale është politike. Ajoka thënë se kjo gjykatë nuk do të përfshihet në çështje politike dhe do të përmbushë mandatin e paraprarë sipas Kushtetutës së Kosovës.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që njihen edhe si Gjykata Speciale hetojnë dyshimet për krime të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, prej janarit të vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Gjykata Speciale është themeluar nga Kuvendi i Kosovës, por vepron në Hagë të Holandës.

(r.m.)