Tiranë, 10 korrik 2023 – Ka mbërritur sot në Kuvendin e Shqipërisë kërkesa zyrtare e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e ish-zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj.
Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se SPAK ka dorëzuar kërkesën për të marrë “OK” nga Kuvendi për arrestimin e Ahmetajt, i cili është nën hetim për aferën e inceneratorëve.
“Pak minuta më parë në Kuvendin e Shqipërisë është protokolluar kërkesa e SPAK që kërkon lejen për arrestimin e Ahmetajt për shkak të imunitetit të deputetit. Ndaj tij janë ngritur tri akuza penale: korrupsion pasiv, pastrim parash dhe deklarim i rremë dhe fshehje e pasurisë. Për këto akuza është kërkuar dhe arrestimi i tij. Bashkë me lejen për arrestimin është dhe ajo për kontrollin personal dhe të celularëve të tij”, raportoi Lala.
Më herët SPAK ka vepruar me kontrollin e dy banesave të partneres së z. Ahmetaj në Hamallaj dhe një vilë në zonën e Palasës që mendohet se disponohet nga ish-bashkëshortja e Ahmetajt. Të dy pasuritë janë sekuestruar nga SPAK dhe ka pasur një përpallje të tij me drejtësinë që e kundërshtonte këtë kontroll dhe sekuestro, sidomos për banesën në Hamallaj ku jetonte me bashkëjetuesen Erjola Hoxha.
Sipas ligjit do duhet të mblidhet komisioni dhe në qoftë se Ahmetaj do të vijojë ta mbajë imunitetin e deputetët, prokurorët e posaçëm do të paraqiten para komisionit në Kuvend për të paraqitur provat e tyre. Pritet të dëgjohet dhe vetë ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj deri te seanca që mund të vendosë për të dhënë aprovimin që mund të çojë në arrestimin e tij”, raportoi Lala.
Ahmetaj ka qenë një ndër njerëzit më të fuqishëm brenda maxhorancës socialiste dhe pse kohët e fundit marrëdhëniet e tij me kryeministrin Edi Rama kanë qenë më të ftohta. Ahmetaj, pas arrestimit të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahirit dhe dënimit të tij, është njeriu i dytë më i fuqishëm ndaj të cilit janë ngritur akuza penale.
Afera e inceneratorëve jo vetëm që i ka shkaktuar një dëm të madh buxhetit të shtetit, por implikoi zyrtarë të shumtë ish-ministra dhe ish-deputetë.
Më herët SPAK ka vënë nën akuzë dhe ka kërkuar dënime për tre biznesmenët e inceneratorëve, Mirel Mërtirin, Stela Gugalljan dhe Klodian Zoton.
(Balkanweb)