Shkup,23 nëntor 2021 – Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur të martën tri ditë zie kombëtare për viktimat e aksidentit tragjik me autobus në Bullgari, në të cilin e humbën jetën të paktën 46 persona.
Sipas informacioneve të deritashme, shumica e viktimave ishin të rinj. Në mesin e tyre janë edhe të paktën 12 fëmijë.
Në autobus gjendeshin 53 udhëtarë. Vetëm 7 prej tyre arritën të dalin nga autobusi i përfshirë nga zjarri. Ata janë dërguar për gtrajtim në spitalin e Sofjes. Një zyrtar i spitalit ka thënë se ata janë jashtëe rrezikutpër jetën.
Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, së bashku me ministrin e Jashtëm, Bujar Osmani, dhe ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe, kanë shkuar në Bullgari. Zaev i ka vizituar të lënduarit dhe ka biseduar me njërin nga të mbijetuarit.
“Pata mundësinë të bisedoja me njërin nga të mbijetuarit. Ai shpjegoi se ata ishin duke fjetur, kur në autobus u dëgjua një shpërthim i fortë. Ata kanë mundur të thyejnë njërin nga xhamat dhe të shpëtojnë disa persona. Fatkeqësisht, të tjerët nuk ia arritën. Është një tragjedi e tmerrshme. Shumica prej tyre – 12 – janë fëmijë nën 18 vjeç, dhe të tjerët janë të rinj rreth 20-30 vjeç. Shumica prej tyre janë shtetas tanë, por ka edhe nga Serbia”, ka deklaruar Zaev.
Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, i ka vizituar të lënduarit që janë shtruar në spitalin e Sofjes. Ai ka thënë se ata janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.
“Të shtatë të lënduarit që janë shtruar në spitalin “Pirogov” në Sofje, pas aksidentit në Bullgari, janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore dhe askush nuk është në rrezik për jetën. Vetëm një pacient ka frakturë. Duhet të bëhen analiza shtesë që të përcaktohet nëse ajo do të duhet të operohet”, ka thënë ai.
Filipçe ka bërë të ditur se në mesin e të lënduarve është një vajzë 16-vjeçare, ndërsa të tjerët janë të moshës midis 40 e 50 vjeçare.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka thënë se shumica e viktimave janë nga Shkupi. Ata po ktheheshin nga Stambolli, ku ishin për vizitë treditëshe.
“Shumica e viktimave janë nga Shkupi. Në mesin e tyre ka më shumë se dhjetë fëmijë, por ka edhe shumë të rinj tëjerë që e kishin shfrytëzuar pushimin e zgjatur, pasi të hënën ishte ditë feste”, ka deklaruar Osmani.
Aksidenti tragjik ndodhi të martën, herët në mëngjes, në autostradën “Struma”, 45 kilometra në perëndim të kryeqytetit bullgar, Sofje.
Autobusi i agjencisë turistike “Besa Trans” nga Shkupi, për shkaqe ende të panjohura, u përfshi menjëherë nga zjarri.
Autoritetet bullgare kanë filluar hetimet lidhur me shkakun e aksidentit. Ministri i Brendshëm i Bullgarisë, Bojko Rashkov, ka thënë se autobusi e ka shkatërruar parmakun mbrojtës të autostradës, gjë që ngre dyshimet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga kontakti i autobusit me parmakun.
Stanislav Vladimirov, kryetar i Komunës së Pernikut, në afërsi të vendit ku ndodhi aksidenti, ka thënë se në këtë autostradë kanë ndodhur shpesh aksidente, sepse rruga nuk është e nivelizuar si duhet dhe trafiku është mjaft i rënduar.
“Përveç kësaj, rruga ishte e lagësht për shkak të shiut, kështu që arsyet mund të jenë shumë të ndryshme”, ka thënë ai.
Kryeministri bullgar, Stefan Yanev tha se tragjedia e ka vendosur Bullgarinë para një sfide të madhe, për të zbuluar sa më shpejt shkaqet e aksidentit.
“Është një tragjedi që e ka tronditur Bullgarinë, duke e vënë në situatë që të reagojë shumë shpejt. Do të bëjmë gjithçka është e mundur që ky aksident trafiku të hetohet. Të zbulojmë pse e humbën jetën 46 persona dhe çfarë mund të bëhet për të lënduarit. Tani gjithçka është në duart e organeve të hetuesisë dhe vetëm më pas mund të komentojmë shkakun dhe çfarë ka ndodhur saktësisht. Për momentin, e vetmja gjë që mund të themi është se kemi një tragjedi të madhe dhe shfrytëzoj rastin që të shpreh ngushëllimet e mia për të afërmit e viktimave”, ka deklaruar kryeministri bullgar, Stefan Yanev.
Prokurorja e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Maqedoninë e Veriut, Vilma Ruskoska, ka thënë se kanë filluar hetimet lidhur me gjendjen teknike të autobusit.
“Ne do ta sigurojmë dokumentacionin e plotë për të gjithë autobusët e kompanisë, për të parë kur janë regjistruar, kur kanë qenë për kontroll Teknik. Këto informacione do t’ua dërgojmë kolegëve këtu në Bullgari për hetime të mëtejme”, ka deklaruar ajo.
Sipas Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve të Maqedonisë së Veriut, agjencia “Besa Trans” ka pasur licencë të rregullt për transport ndërkombëtar.
Liderë të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë shprehur solidaritetin e tyre me Maqedoninë e Veriut pas aksidentit.
(r.m.)