TRIDHJET VJET VEPRIMTARI TË SUKSESSHME SHOQATA “FAN S. NOLI”

Para pak kohe, shoqata joqeveritare “Fan S. Noli”, kujtoi 30-vjetorin e krijimit të saj. Ajo u themelua më 19 maj të vitit 1994, në qytetin e Durrësit.

Shoqata u krijua në ato vite të vrullshme të ndryshimeve të mëdha që ndodhën në vendin tonë. Ishte përmbysur sistemi diktatorial komunist; kishte fituar sistemi demokratik pluralist. Liria e mendimit dhe iniciativa e lirë, po  lulëzonin dhe dukeshin në çdo aspekt të veprimtarisë së jetës së vendit.

Mësues, intelektualë të fushave të ndryshme të qytetit të Durrësit, me origjinë nga Kolonja, mblidheshin, dilnin e shëtisnin së bashku e bisedonin lirshëm me njëri-tjetrin, pa ndroje e frikë. Në bisedat e tyre, ata shprehnin krenari dhe mall për vendlindjen e tyre, për Kolonjën e tyre të dashur.

Ata donin që të prezantoheshin dhe njiheshin në Durrës, si një komunitet që vinin nga një trevë atdhetare, arsimdashëse dhe liridashëse, ku shkëlqente veprimtaria e rilindësve kolonjarë, për pavarsi, për mbrojte të trojeve shqiptare dhe mbrojtje të gjuhës e alfabetit të shqipes.

Ata përmendnin dhe diskutonin për figurat e shquara kolonjare të Rilindjes si; Fan Nolin, Faik Konicën, Petro Nini Luarasin, Jani Vreton, Shahin Kolonjën, Kristo Luarasin, vëllezërit dhe motrat Qirjazi, Shahin Kolonjën, Muço Qullin, Abdyl Ypin, dhe trimat luftëtarë Sali Butkën dhe Themistokli Gërmënjin.

Kështu, në vitin 1993, midis tyre po kristalizohej mendimi për të krijuar një shoqatë atdhetare-kulturore, me komunitetin kolonjar me banim në Durrës, me qëllim të evokonin këto figura të shquara të Kolonjës dhe gjithë Shqipërisë ku të evidentonin  dhe pasqyronin vlerat e tyre.                                                       

Ata zgjodhën Fan Nolin, për të pasqyruar vlerat e trevës së Kolonjës. Ai është një nga figurat madhore të historisë sonë.

Noli ishte një figurë poliedrike, poet, shkrimtar, përkthyes i paarritshëm, muzikant, studiues dhe kritik muzike, publicist, deputet, shtetar, kryeministër, polemist e orator i papërballushëm, poliglot, elokuent, klerik  dhe themelues i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, përkthyes në gjuhën shqipe të literaturës kishtare, të munguar deri në atë kohë. Fan Noli ishte atdhetar i madh, që tërë jetën punoi për mbrojtjen e pavarsisë dhe prosperitetin e Shqipërisë.

Nismëtarë për krijimin e shoqatës, ishin mësuesit: Skënder Fama, (ai rridhte nga një familje me influencë nga Selenica), Jani Kosho nga Koshollarët e Gërmënjit, (fis që ishte bërthama e krijimit të qytetit të Ersekës), Piro Kërrçaku nga Borova martire, Alo Cenko dhe Alqi Kadënasi nga Barmashi (fshat që priti me armë pushtuesit gjermanë kur shkelën në tokën tonë), Ing. Petro File, Kiço Bello nga  Shalsi i intelektualëve të shquar, agronom Zafer Ypi (babai i filozofes Lea Ypi, që rrjedh nga fisi i madh Ypi, në Starje) etj.

Nismëtarët menjëherë filluan nga puna. Kiço Bello, evidentoi dhe regjistroi gjithë emrat e kryefamiljarëve të familjeve kolonjare me banim në Durrës. Skënder Fama dhe Jani Kosho, hartuan statutin e shoqatës, e më pas me ndihmën e juristit Kastriot Frashëri, e legalizuan atë në gjykatën e Tiranës.

Shoqata zgjodhi kryesinë e saj. Ajo zgjodhi unanimisht, Skënder Famën kryetar, Kastriot Frashërin zv/kryetar dhe Jani Koshon sekretar të shoqatës (ky i fundit, ka evidentuar dhe ka arkivuar, në mënyrë shembullore gjthë dokumentacionin dhe veprimtarinë e shoqatës, ndër vite).

Anëtarët e kryesisë, në ditën e themelimit të Shoqatës, më 19 maj 1994, dhanë një konferecë shtypi në Radio Tirana, pranë Pallatit të Kongreseve, ku njoftuan lajmin e gëzuar të themelimit të Shoqatës “Fan S. Noli”. Në konferencë, përshëndetën kryetari Shoqatës, Skënder Fama dhe sekretari Jani Kosho.

Kryesia e Shoqatës ndër vite ka realizuar shumë aktivitete e veprimtari në qytetin e Durrësit, Tiranës dhe në trevën e Kolonjës. Ajo ka organizuar dy sesione shkencore në Durrës dhe në Ersekë. Në sesionin e Durrësit morën pjesë shumë historianë të shquar, shkrimtarë dhe përfaqësues nga forca politike dhe diplomatë të huaj. Sesioni tjetër u organizua në Ersekë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Muzeut të qytetit. Ne këto sesione u pasqyrua figura e Fan Nolit në shumë aspekte të veprimtarisë së tij.

Në aktivitete të ndryshme të saj, kryesia e Shoqatës, u takua dhe mori vlerësime nga shumë personalitete e figura të shquara të vendit dhe të huaj. Mbresëlënëse, ishin takimet dhe diskutimet për madhështinë e figurës së Nolit, me shqiptaro-amerikanet e shquar, si At Lionili, kleriku pasardhës i Nolit në kishën ortodokse shqiptare në Amerikë; me atdhetarin, biznesmenin dhe filantropin, Anthoni Athanas, si dhe me veprimtarin e madh Ekrem Bardha, (të dy këta figura të shquara të cilët kanë takuar disa nga presidentët e SHBA-ve, dhe kanë ndikuar në demokratizimn dhe ruajtjen e integritet të vendit tonë dhe në pavarësinë e Kosovës). 

Në aktivitete të shoqatës kanë marë pjesë dhe dy figura të shquara të vendit, shkrimtari nga Shtika e Kolonjës, profesori dhe akademiku bullgar Thoma Kaçorri,  dhe zonja e nderuar Nermin Vlora, (mbesa e Ismail Qemalit, themeluesit të shtetit shqiptar).  Vlerësime për figurën e Nolit, kryesia ka marë dhe nga takimi me senatorin amerikan Joseph DioGuard dhe ambasadorin rumun, Georgio Miku.   

Jani Kosho, Thoma Kacorri, Skënder Fama dhe Nermin Vlora

Me këmbënguljen e shoqatës u vendosën pllakata përkujtimore në shtëpinë ku ka banuar Noli dhe në kishën ku ka mbajtur meshën e parë në gjuhën shqipe, në qytetin e Durrësit. 

Kryesia e shoqatës ka kërkuar nga institucionet shtetërore të mundësojnë ngritjen e bustit të Fan Nolit, në Durrës, Ersekë, Tiranë dhe në Ibrik Tepe në Endrene, çka për gëzimin e gjithë kolonjarëve, janë realizuar.

Në bashkëpunim me drejtuesit e instucionit fetar ortodoks në Durrës, për të kujtuar dhe nderuar kujtimin e Nolit, janë organizuar mesha në ditën e kremtimit të Ujit të Bekuar, që përkon me ditëlindjen dhe emrin e tij, Theofan. Janë ftuar në këtë ceremoni përfaqësues të komuniteteve fetare dhe  të shoqatave të  ndryshme të qytetit.

Kryesia e shoqatës, me gjithë vështirësitë, bëri të mundur botimin e gazetës së saj të quajtur “ALBUM”. Në këtë gazetë, pasqyroheshin aktivitetet e shoqatës, e gjithashtu botoheshin pjesë nga shkrimet e Nolit.

Pranë shoqatës u afruan e dhanë ndihmesën e tye dhe mjaft dashamirës, intelektualë durrsakë si, Tomorr Golemi, shkrimtari Vaso Papaj, specialisti ortoped Bashkim Habibi, baëshkëshort i mjekes Dezdemona Ypi nga Starja, Theologu Dhimitër Qosja, inxhiner Abdulla Deliallisi etj.

Kryesia e shoqatës ka mbajtur lidhje me kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarve, dega Durrës, nëpërmjet shkrimtarit dhe poetit  të mirënjohur kolonjar, Shpend Topollaj dhe me shoqatën “Durrësi Autokton” nëpërmjet kryetarit të saj Z. Abdulla Deliallisi, dashamirës i Kolonjës. Abdullai është vëllai i Dr. Hilmi Deliallisit, që pati shërbyer në Kolonjë në vitet 1956-61. Lidhje nga afër, shoqata ka mbajtur dhe me biografin e shquar të Nolit, shkimtarin Nasho Jorgaqi, nëpërmjet mikut të tij,  Kastriot Frashëri.

Shoqata Atdhetare Kulturore “Kolonja” në Tiranë, në vitin 2015 krijoi degën e saj në komunitetin kolonjar në Durrës, me kryetar Doktorin e Shkencave, Kolonelin e Marinës Detare Çapajev Filen dhe sekretar doktor Dhimitraq Gjergon.

Ata, duke qenë dhe anëtarë të shoqatës “Fan Noli”, mundësuan që veprimtaria e shoqatës “F.Noli”, të pasqyrohej në gazetën prestigjioze “KOLONJA”, me kryeredaktor shtikalliun e apasionuar e të mirënjohur Z.Kristaq Laka. Ajo është gazetë e dashur për gjithë kolonjarët, kudo ku punojnë e jetojë.

Kohët e fundit, në Durrës erdhi Z. IIir Ikonomi, studiues, publicist i mirënjohur shqiptaro-amerikan, gazetar i VOA-s, biograf modern i mjaft figurave të historisë sonë, biograf i dy figurave madhore me origjinë kolonjare, Faik Konicës dhe Fan Nolit. Ai erdhi në Durrës i interesuar për shoqatën “Fan Noli” të komunitetit kolonjar, ku takoi dhe bisedoi me kryetarin e saj, Skënder Fama. Ai e pergëzoi dhe e falënderoi atë, për bisedën e ngrohtë dhe informacionet që mori.

Z.Ikonomi premtoi që në të ardhmen do vijë përsëri në Durrës, të promovojë librin biografik, Fan Noli-Apostulli, ku do ftojë dhe  komunitetin kolonjar që banon aty.

Në këtë përvjetor të shoqatës “Fan Noli”, kujtojmë me respekt të madh, shumë veprimtarë të saj, që janë ndarë nga jeta si: Pirro Kërrçaku, Alo Cenko, Kiço Bello, Petro File, Alqi Kadënasi, Çapajev File, Zafer Ypi dhe Aleko Vodica.

 I urojmë shoqatës “Fan Noli”

Jetë të gjatë dhe suksese.

 Dr. Dhimitraq Gjergo

                                                                                        Durrës, më 04.06.2024