Për fat të mirë edhe brezi i tyre kryesisht është edukuar në frymën e traditës së malësorëve
Nga Gjekë Gjonaj
Trieshjanët në Australi, të njohur edhe si shqiptaro-australian, janë pak familje të cilat mund të numërohen me gishtat e të dy duarve me më pak se 40 anëtarë, sipas pohimeve të tyre. Ata filluan të shpërngulen në Australi nga fillimi i viteve 1960. Trieshjani i parë i regjistruar, i vendosur në Australi, ishte Pjetër Nikollaj, ( i njohur në komunitet me emrin Tushi i Prëlë Nicit) nga fshati Muzheçk. Ai me familjen e tij u përcaktua të jetojë në qytetinSidnej, ku edhe qëndroi përgjithmonë. Fillimet e këtij mërgimtari në këtë vend të largët ishin të vështira, sepse atje ndjehej si një person i huaj. Në rrafshin shoqëror ai e identifikonte veten me bashkësitë në vendlindjen e tij, familjen, fshatin, krahinën dhe kombin, kurse në rrafshin mendor unin e vet e demonstronte si individ, i ndarë nga secili individ tjetër. Këto ndjenja emocionale dhe nevoja që t’u ndihmojë familjarëve në vendlindje të cilët i kishte lënë në një varfëri të skajshme, pa kurrfarë perspektive për të ardhmen, e motivuan atë që t’i tërheqë ata në Sidnej. Të përkujdeset për ta dhe t’u gjejë punën. Me shumicën e anëtarëve të kësaj familjeje të ndershme në moshën e fëmijërisë shoqëroheshim shpesh. Dhe, pasi ata u larguan nga Muzheçku dhe u shpërngulën në Australi , e pyeta babin se ku është vendi ku ata shkuan. Ai më dha këto përgjigje : “ Në fund të botës”, “ Në njërin prej vendeve më të mira të botës” , ” Si në përrallë”. Më pas duke e ndihmuar njëri-tjetrin mbërritën edhe emigrantë të tjerë . Në këtë mënyrë e prekën tokën australiane edhe një numër i vogël trieshjanësh nga vëllazëria Nikollaj, Gjokaj, Gjolaj, Cacaj dhe Dedivanaj. Të gjithë ata shkuan në Australi si emigrantë ekonomikë, si punëtorë për të shfrytëzuar mundësitë më të mira për jetesë dhe punë. Ata në këtë vend ushtruan profesione që i përkasin kryesisht punës fizike, kurse numri i atyre me arsimim të lartë që ushtrojnë profesionet e veta është tepër i pakët, për të mos thënë mungon fare.
Sot trieshjanët në Australi janë integruar në jetën e vendit dhe gëzojnë të njëjtin status juridik si të gjitha pakicat tjera etnike që jetojnë dhe punojnë atje. Nuk kanë heqë dorë nga shtetësia e dyfishtë. Përmes integrimit në bashkësitë shoqërore e ndiejnë veten “ australianë”, por në asnjë moment si individ nuk e kanë ndërprerë e shkëputur lidhjen me vendlindjen e tyre. Gjithnjë mbajnë lidhje simbolike, të pastër emocionale për vendin e origjinës të baballarëve të tyre. Disa nga ata i kanë riparuar shtëpitë e vjetra ku kanë lindur e ca të tjerë kanë ndërtuar shtëpitë e reja në Tuz.
Nikollë Nikollaj në bisedë telefonike më tha se lidhjet e tyre emocionale me vendlindjen e tyre janë të forta. “ Prej se më ka shkelur këmba në tokën e Australisë asnjëherë nuk e kam harruar fshatin tim të lindjes, Trieshin e Malësinë. Të rralla kanë qenë netët që nuk e kam ëndërruar atë vend të bukur me ajër të pastër, me ato bukuri të mrekullueshme natyrore e me njerëz të mirë e fisnikë. Sa herë që vij atje zemra më ngopet, më bëhet mal, e shpirti më kënaqet”, shprehet me shumë mall e emocion Nikolla. Njëjtë më rrëfeu në telefon edhe bashkëfshatari i tij dhe ish-nxënësi im ZefGjolaj. “ Shoku arsimtar, m’u drejtua sikur më thoshte në shkollë, të falënderoj nga zemra që të ka ra ndërmend për ne, sepse na ke gëzuar shumë , shumë… Edhe pse jemi larg jush, ne jemi të lidhur ngushtë me vendlindjen. Mundohemi të ruajmë traditën, gjuhën, doket e zakonet tona. Në familjet tona flitet shqip. Të gjitha festat, Vitin e Ri, Pashkët, Krishtlindjet dhe Zojën e Trieshit i kremtojnë njësoj apo ngjashëm sikur kemi qenë në vendlindje. Edhe ritet mortore, dasmat dhe ditëlindjet mundohemi t’i organizojmë në pajtim me traditën tonë të lashtë, pohon me krenari Zefi.
Për fat të mirë edhe brezi i tyre kryesisht është edukuar në frymën e traditës së malësorëve. Shembull konkret është Tomë Nikollaj, të cilin spontanisht e njoha para pak vitesh në hotelin “ Oazis” në Tuz. E fliste gjuhën shqipe sikur të kishte lindur në Triesh, e jo në Australi. Përveç kësaj më tha se është këngëtar dhe u bie tri instrumenteve popullore : çiftelisë, lahutës dhe fyellit. “ Unë si këngëtar dhe rapsod i ri kam kënduar në tubime të ndryshme të komunitetit tonë në Sidnej. Në të gjitha ato vende ku kam kënduar, në ndeja, festa, ditëlindje, dasma, kremte kombëtare e kudo tjetër jam munduar të këndoj me shpirt dhe të përcjell tek rinia dhe popullata jonë dashurinë ndaj instrumenteve tona popullore dhe ndaj këngëve të bukura shqipe”, thekson Toma.
Trieshjanët në Sidnej të Australisë , përveçse mundohen të ruajnë vlerat tona tradicionale përmes aktiviteteve të ndryshme të herëpashershme kulturore , fetare e kombëtare e kanë provuar veten edhe në fushën sportit. Ata në vitin 1981 themeluan me kontribute të veta financiare Klubin e Futbollit ” Besa”, të cilin disa vite e drejtoi me sukses Gjelosh Nikollaj. “Në këtë skuadër të vogël sportive të ngjizur në Sidnej përveç lojtarëve nga Trieshiishin të përfshirë edhe futbollistë nga komunitete të tjera etnike. Organizimi i saj perfekt në të gjitha aspektet një vit u finalizua me vendin e parë në ligën ku garoi”, thotë ish-futbollisti i këtij klubi”, Gjokë Gjolaj, shoku im i shkollës në Triesh. i cili tani jeton në Detroit , nëSHBA.
Këta mërgimtarë trieshjanë në Australi, përveç lidhjeve të gjakut dhe lidhjeve emocionale që kanë për vendlindjen, i bashkon edhe dhimbja dhe respekti për njëri-tjetrin.
malesia.org