Tropoja përcjell për herë të fundit poetin e saj të dashur, Hamit Aliaj- Mjeshtër i Madh



Me 8 mars 2023, me nderime të larta shtetërore, qytetare e familjare, poeti i shquar Hamit Aliaj- Mjeshtër i Madh, u përcoll me homazhe në vendlindjen e tij, në Tropojë.

Në ceremoninë përcjellëse, para Muzeut Historik të Tropojës, mbajti një fjalë kryetari i Bashkisë Tropojë, Rexhë Byberaj.

Për krijimtarinë, jetën e veprimtarinë e tij, folën miqtë e tij, ish ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, dr. Islam Lauka; ish Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, poeti e shkrimtari Besnik Mustafaj dhe krijuesi e studiuesi nga Kosova, Kamber Kamberi.

Gjithashtu folën edhe të afërm të tij, veprimtari i njohur i Tropojës, Ali Berbati dhe kryetari i Shoqatës së Shipshanit, Besnik Bajraktari.

Këshilli Bashkiak i Tropojës, rrugën kryesore të fshatit të tij të lindjes, Kasaj i Shipshanit, e pagëzoi me emrin e poetit të shquar Hamit Aliaj.

Folësit në ceremoninë përcjellëse vunë në dukje meritat e mëdha dhe vlerat e larta të 7 librave të tij poetik të vlerësuara edhe me çmime kombëtare, që siç thotë një akademik: emri i tij i bën nder edhe letërsisë evropiane. Ndërsa me tekstet e mbi 200 këngëve të tij, si “N’Dardani bie një tupan” etj., siç thotë një poet e mik i tij: “ishte UÇK para se të krijohej UÇK-ja”, sepse këngët e tij ishin hite e himne të Lirisë e të Pavarësisë së Kosovës dardane.

Ramiz LUSHAJ

(Foto e kamera nga Ismajl Buçpapaj)