Trump akuzohet se kërkoi fshirjen e incizimeve lidhur me dokumentet e klasifikuara

Uashington, 28 korrik 2023 – Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po përballet me akuza të reja në rastin për posedim të paligjshëm të dokumenteve të klasifikuara. Prokurorët pretendojnë se ai i kërkoi një punonjësi t’i fshinte xhirimet e kamerave në pronën e tij në Florida, në një përpjekje për ta penguar një hetim federal për këto dokumente.

Aktakuza e re përfshin akuza shtesë për pengim të hetimit dhe mbajtje të qëllimshme të informacionit të klasifikuar, duke shtuar kështu detaje të reja në çështjen penale të iniciuar muajin e kaluar ndaj Trump dhe një punonjësi të tij të afërt.

Këto akuza të reja erdhën si befasi, raporton agjencia e lajmeve AP, në një kohë kur Trump kërkon ta rimarrë Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024. Në Uashington është shtuar besimi se do të ngrihet edhe një padi tjetër për përpjekjet e Trump për ta përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Aktakuza e përditësuar nga prokurori i posaçëm, Jack Smith, përqendrohet në pamjet e kamerave në pronën e Trump në Mar-a-Lago në Florida, që kanë qenë prej kohësh dëshmi jetike për rastin. Trump dyshohet se kishte kërkuar fshirjen e xhirimeve pasi hetuesit e FBI-së dhe Departamentit të Drejtësisë e vizituan pronën në qershor të vitit 2022 për të mbledhur dokumente të klasifikuara që ai i mori me vete pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë.

Aktakuza e re gjithashtu e akuzon atë për mbajtjen e paligjshme të një dokumenti që ai pretendohet se ua ka treguar vizitorëve në Nju Xhersi.

Një zëdhënës i Trump i ka hedhur poshtë akuzat e reja si “asgjë më shumë se një përpjekje e vazhdueshme e dëshpëruar” nga administrata e presidentit aktual amerikan, Joe Biden, “për të ngacmuar Presidentin Trump dhe ata përreth tij” dhe për të ndikuar në garën presidenciale të 2024-ës.

Prokurorët e akuzojnë Trumpin se ka komplotuar me punonjësin e tij, Walt Nauta, dhe një menaxher pronash në Mar-a-Lago, Carlos De Oliveira, për t’i fshehur pamjet nga hetuesit federalë pasi ata i kërkuan ato pamje.

Këto xhirime do të luanin një rol të rëndësishëm në hetim, thanë prokurorët, sepse aty shihej Nauta teksa lëvizte kuti dokumentesh brenda dhe jashtë një depoje , përfshirë edhe një ditë para një vizite të FBI-së. Kutitë u zhvendosën në drejtimin e Trumpit, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, Nauta u takua me De Oliveira më 25 qershor 2022 në Mar-a-Lago, ku ata shkuan te një kabinë sigurimi ku shfaqeshin videot e kamerave të sigurisë dhe ecën me një elektrik dore nëpër një tunel ku ndodhej dhoma e magazinimit, duke vëzhguar dhe vënë në dukje kamerat e vëzhgimit.

Dy ditë më vonë, sipas aktakuzës, De Oliveira eci nëpër një tunel bodrum me një punonjës të paidentifikuar të Trumpit, të cilin De Oliveira e pyeti se sa ditë i ruante pamjet serveri.

De Oliveira, thanë prokurorët, i tha punonjësit se “shefi” donte që serveri të fshihej dhe e pyeti: “Çfarë do të bëjmë?”

Gjatë një interviste vullnetare me FBI-në janarin e kaluar, prokurorët thonë se De Oliveira gënjeu kur tha se “kurrë nuk ka parë asgjë” në lidhje me kutitë e dokumenteve të klasifikuara në Mar-a-Lago.

De Oliveira iu shtua aktakuzës, i akuzuar për pengim dhe deklarata të rreme në lidhje me atë intervistë të dhënë për FBI-në. Avokati i tij nuk pranoi t’i komentojë akuzat.

Si Trump, ashtu edhe Nauta janë deklaruar të pafajshëm për aktakuzën origjinale me 38 pika. De Oliveira do të dalë në gjykatë në Florida më 31 korrik.

Gjyqi për Trump dhe Nauta është caktuar për më 20 maj 2024. Është ende e paqartë nëse shtimi i një të pandehuri të ri mund të rezultojë në një shtyrje të këtij gjyqi.

Akuzat e reja u ngritën ndërsa Trump po bëhet gati të përballet potencialisht edhe me një akuzë tjetër në lidhje me përpjekjet e tij për të zhbërë zgjedhjet e vitit 2020 në prag të trazirave të 6 janarit 2021 në Kapitolin e SHBA-së.

Javën e kaluar, ai zbuloi se kishte marrë një letër nga Departamenti i Drejtësisë që e informonte se ishte pjesë e atij hetimi dhe sugjeroi se mund t’i ngrihej akuzë.

(REL)