Uashington, 3 dhjetor 2024 – Presidenti i zgjedhur I SHBA-së Donald Trump do të marrë pjesë këtë fundjave në ceremoninë e rihapjes së Katedrales Notre Dame në Paris, udhëtimi i tij i parë jashtë vendit që pas zgjedhjeve.
Katedralja rihapet të shtunën pas më shumë se pesë vitesh rindërtimi pas një zjarri masiv në vitin 2019 që pothuajse e shkatërroi këtë objekt historik të Parisit.
Në ceremonitë që do të mbahen të shtunën dhe të dielën nën masa të forta sigurie, pritet të marrin pjesë rreth 50 krerë shtetesh dhe qeverish.
Zoti Trump njoftoi se ai do të jetë njëri prej tyre me një postim në rrjetin e tij social Truth Social të hënën në mbrëmje.
“Jam i nderuar të njoftoj se do të udhëtoj në Paris, Francë të shtunën për të marrë pjesë në rihapjen e Katedrales së mrekullueshme dhe historike Notre Dame, e cila është restauruar plotësisht pas një zjarri shkatërrues pesë vjet më parë,” shkroi ai.
“Presidenti Emmanuel Macron ka bërë një punë të mrekullueshme që Notre Dame të rikthehet plotësisht në madhështinë e saj. Do të jetë një ditë shumë e veçantë për të gjithë!”
Do të jetë udhëtimi i parë i zotit Trump jashtë vendit që kur fitoi zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Ai shkoi në Skoci dhe Irlandë në maj 2023, kur po kandidonte, për të vizituar klubet e golfit të kompanisë së tij.
Zoti Trump ishte president në vitin 2019 kur një zjarr masiv përfshiu Katedralen Notre Dame, duke shembur majën e saj dhe duke kërcënuar të shkatërrojë një nga thesaret më të mëdha arkitekturore në botë, e njohur për artin magjepsës në panelet prej xhami.
“Sa e tmerrshme të shikosh zjarrin masiv në Katedralen Notre Dame në Paris,” shkruante ai atëherë në Twitter, sot platforma X.
Zoti Trump foli gjithashtu në atë kohë me zotin Macron dhe Papa Françeskun për të shprehur keqardhjen e tij dhe tha se u kishte ofruar “ndihmën e ekspertëve tanë të mëdhenj të restaurimit dhe ndërtimit”.
Presidenti i zgjedhur Trump dhe Presidenti Macron kanë pasur një marrëdhënie të ndërlikuar. Gjatë mandatit të parë të zotit Trump në detyrë, zoti Macron ishte një ndër udhëheqësit botërorë më të aftë për të menaxhuar temperamentin e paparashikueshëm të presidentit amerikan, ndërsa bëri përpjekje për të zhvilluar një lidhje personale me të. Zoti Macron ishte i ftuari i nderit në darkën e parë shtetërore të zotit Trump dhe ky i fundit udhëtoi disa herë në Francë.
Por marrëdhënia mes tyre u përkeqësua më pas dhe zoti Macron e kritikoi atë lidhur me qëndrimet ndaj NATO-s.
Gjatë fushatës për një mandat të dytë këtë vit, zoti Trump shpesh e vuri në lojë zotin Macron në fushatën elektorale, duke imituar theksin e tij dhe duke paralajmëruar se do të vendoste tarifa të larta për verën dhe shampanjën që dërgoheshin në SHBA, nëse Franca përpiqej të taksonte kompanitë amerikane.
Pasi zoti Trump fitoi në zgjedhje muajin e kaluar, zoti Macron ishte ndër udhëheqësit e parë botërorë që e uroi duke shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar.
Presidenti Macron dhe udhëheqës të tjerë evropianë po përpiqen ta bindin zotin Trump që të mos tërhiqet nga mbështetja e Amerikës për Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit të Rusisë.
Udhëheqësit evropianë shpresojnë të bindin zotin Trump se një fitore e Rusisë do të shihej si një disfatë për Shtetet e Bashkuara dhe për presidentin e ardhshëm.
Presidenti i zgjedhur Trump gjatë fundjavës njoftoi se synon të emërojë babanë e dhëndrit të tij, Jared Kushner, Charles Kushner për të shërbyer si ambasador në Francë.
Në dhjetor 2020 kur ishte ende president, zoti Trump e fali zotin Kushner, i cili ishte deklaruar fajtor vite më parë për evazion fiskal dhe dhurime të paligjshme të fushatës.
Rihapja e Katedrales Notre Dame do të shoqërohet nga festime të sofistikuara disaditore, përfshirë shërbesa fetare, ceremoni solemne dhe një koncert me artistë të famshëm botërorë.
(Zëri i Amerikës)