Uashington, 8 mars 2023 – Ish-presidenti Donald Trump u kthye në një terren të njohur dhe shumë miqësor të shtunën mbrëma në sallën e Konferencës vjetore të Veprimit Politik Konservator, ndërsa sipas një sondazhi të bërë në konferencë, 62% e pjesëmarrësve mbështetën zotin Trump si kandidat të republikanëve për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
“Në vitin 2016 unë deklarova se jam zëri juaj. Sot shtoj gjithashtu se jam luftëtari juaj. Jam drejtësia juaj. Atyre që u janë bërë padrejtësi, apo janë tradhëtuar, unë jam shpagimi juaj”, tha Donald Trump, ish President i Shteteve të Bashkuara
Sfidantja e vetme, që publikisht është vënë përballë zotit Trump, e cila gjithashtu foli në Konferencë, ishte ish ambasadorja në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley.
“Jam këtu për të kërkuar votën tuaj. Por dua më tepër, dua që ne të frymëzojmë përsëri kombin tone”, tha Nikki Haley, ish ambasadore në Kombet e Bashkuara.
Një tjetër kandidat i mundshëm republikan, i cili deri më tani nuk e ka shpallur kandidaturën, që mbajti gjithashtu fjalim ishte ishte Mike Pompeo, ish sekretar shtetit gjatë presidencës së zotit Trump. Ai lëshoi kritika të tërthorta ndaj ish shefit të tij.
“Ne kemi nevojë për një parti, për një parti konservatore që me krenari mund ta quajmë përsëri shtëpinë tonë, që bazohet në idetë tona themelore, që udhëhiqet nga njerëz me karakter e aftësi konkuruese të vërteta, që udhëhiqet nga angazhimi për misionin që na ka bërë të gjithëve bashkë sot”, tha Mike Pompeo, ish Sekretar Amerikan i Shtetit
Zonja Haley foli gjithashtu edhe në aktivitetin tjetër në Florida, që u mirëprit nga grupi konservator me fokus taksat dhe ekonominë, “ Klubi (i Veprimit) për Rritjen Ekonomike”. Aktiviteti u zhvillua me dyer të mbylluara.
Fjalimi më i pritur në këtë aktivitet, në të cilin zoti Trump nuk ishte i ftuar, ishte ai i Guvernatorit të Floridës, Ron DeSantis. Ai shihet si kërcënimi më i madh ndaj ambicive të zotit Trump për të siguruar përsëri kandidimin për president nga Partia Republikane.
Në sondazhin e posaçëm të ditës së shtunë në Konferencën vjetore të Veprimit Politik Konservator, zoti De Santis arriti 20% të votave, një tregues se ai përballet më një beteje të vështirë për të rrëzuar nga froni zotin Trump, veçanërisht ndër radhët e mbështetësve më besnikë të ish-Presidentit.
(Zëri i Amerikës)