Trump e përzgjedh për Sekretar të Mbrojtjes prezantuesin e Fox News, Pete Hegseth

Uashington, 13 nëntor 2024 – Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuaras, Donald Trump, ka njoftuar të martën se për Sekretar të Mbrojtjes e ka përzgjedhur prezantuesin e Fox News, Pete Hegseth.

Në njoftimin për këtë përzgjedhje, Trump e ka vlerësuar të kaluarën e Hegsethit si ushtar të Gardës Kombëtare, qëndrimin e tij si prezantues i televizionit “Fox News” dhe librin e tij shumë të shitur për shërbimin në ushtri.

“Pete e ka kaluar tërë jetën e tij si luftëtar për Ushtrinë dhe për vendin”, ka thënë Trump.

“Pete është i fortë, i zgjuar dhe besimtar i vërtetë se Amerika është e para. Me Peten në krye, armiqtë e Amerikës do të jenë në dijeni se ushtria jonë do të jetë përsëri e fuqishme dhe se Amerika nuk do të tërhiqet kurrë”, ka theksuar Trump.

Në qoftë se miratohet nga Senati, Hegseth pritet të realizojë premtimet parazgjedhore të Trumpit se ushtria amerikane “do të çlirohet” nga gjeneralët të cilët ai i ka akuzuar për “zbatimin e politikës progresive të diversitetit”.

Zgjedhja e Hegsethit ishte befasuese, me që ai nuk konsiderohej në mesin e personave që mund të jenë anëtarë të kabinetit të Trumpit.

Një zyrtar i Pentagonit ka thënë se askush nuk e kishte pritur një përzgjedhje të tillë.

“Të gjithë janë thjesht të tronditur”, ka thënë ai.

(r.m.)