Uashington, 15 dhjetor 2024 – Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha të shtunën se ka zgjedhur ish-shefin e tij të zbulimit Richard Grenell, si të dërguar presidencial për misione të posaçme, një post ku ai pritet të ndihmojë administratën e ardhshme që të përballet me disa nga sfidat më të vështira të politikës së jashtme.
“Ric do të punojë për disa nga pikat më të nxehta në botë, përfshirë Venezuelën dhe Korenë e Veriut”, tha zoti Trump në platformën e tij të mediave sociale Truth Social, pa dhënë më tej për përgjegjësitë e këtij pozicioni.
Një burim nga ekipi i tranzicionit i zotit Trump tha për agjencinë Reuters se zoti Grenell do të fokusohet gjithashtu tek tensionet në Ballkan.
Zoti Grenell reagoi në platformën X:
“Të punosh në emër të popullit amerikan për Donald Trumpin është nderi më i madh i jetës. Presidenti Trump është dikush që u gjen zgjidhje problemeve, duke i mbajtur amerikanët të sigurt dhe të begatë. Kemi shumë punë për të bërë. Le të fillojmë punën”, u shpreh ai.
Gjatë mandatit të parë të zotit Trump, zoti Grenell shërbeu si ambasador në Gjermani, i dërguar i posaçëm presidencial për negociatat mes Serbisë dhe Kosovës, si edhe si Drejtor në detyrë i Zbulimit Kombëtar.
Ai ka qenë prej kohësh një nga këshilltarët e politikës së jashtme të zotit Trump.
Pasi bëri fushatë intensive për zotin Trump për zgjedhjet e 5 nëntorit, zoti Grenell ishte pretendent kryesor për postin e Sekretarit të Shtetit, por zoti Trump emëroi senatorin Marco Rubio për atë post.
Ai u përmend gjithashtu si kandidat i mundshëm për pozicionin e të dërguarit të posaçëm për luftën në Ukrainë, por përfundimisht zoti Trump zgjodhi gjeneral lejtnantin në pension Keith Kellogg për atë detyrë.
Ai ishte i pranishëm kur zoti Trump u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në shtator. Zoti Grenell është shprehur në favor të një marrëveshjeje paqeje që do të ruante territorin e Ukrainës megjithatë do të lejonte “rajone autonome” ku Rusia mund të mbetet në kontroll.
Ai ka këshilluar gjithashtu kundër zgjerimit të NATO-s përfshirë anëtarësimin e Ukrainës, duke thënë – ashtu si edhe zoti Trump – se aleanca nuk duhet të zgjerohet derisa anëtarët aktualë të përmbushin objektivat e shpenzimeve të mbrojtjes të aleancës. Anëtarët e aleancës transatlantike janë zotuar prej vitesh të shpenzojnë 2% të Prodhimit të tyre të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, por disa vende ende nuk e kanë arritur këtë objektiv.
Zoti Grenell bëri fushatë intensive për zotin Trump me votuesit arabo-amerikanë në Miçigan, ku presidenti i zgjedhur arriti të fitojë në një elektorat tradicionalisht demokratik, pavarësisht se në të kaluarën ai kishte ndaluar imigracionin nga disa vende me shumicë myslimane. Zoti Grenell organizoi aktivitete pro zotit Trump me votuesit arabo-amerikanë.
Presidentët emërojnë të dërguar të posaçëm apo presidencialë për t’u fokusuar në çështjet globale, krizat ose përpjekje specifike diplomatike. Koreja e Veriut dhe Venezuela janë kundërshtarë të SHBA-së, megjithëse sipas njoftimeve zoti Trump po konsideron mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, duke shpresuar të minimizojë rreziqet e konfliktit të armatosur.
Gjatë fushatës së tij presidenciale, Trump e quajti udhëheqësin venezuelian Nicolas Maduro një diktator. Zoti Maduro tha se rizgjedhja e zotit Trump ishte “një fillim i ri” për marrëdhëniet dypalëshe.
Në mandatin e tij të parë, Trump vendosi sanksione më të ashpra ndaj vendit të Amerikës së Jugut, veçanërisht në industrinë e tij kryesore të naftës. Maduro i ndërpreu marrëdhëniet në vitin 2019.
Agjencia Reuters njofton se në vitin 2020 zoti Grenell u takua fshehtazi me një përfaqësues të Maduros në përpjekje për të siguruar ikjen paqësore të udhëheqësit venezuelian nga pushteti pasi rizgjedhja e tij në vitin 2018 u konsiderua e manipuluar nga shumica e vendeve perëndimore, por nuk u arrit ndonjë marrëveshje.
Senatori republikan amerikan Bill Hagerty shprehu mbështetje për zotin Grenellin, duke thënë në platformën X se ai do të “bëjë një punë të shkëlqyer duke u marrë me disa nga sfidat më të vështira të botës”.
(Zëri i Amerikës)